1. Mbështet shpresën, lufto për jetën
(10 mars 2017)
1. Mbështet shpresën, lufto për jetën
(10 mars 2017)
Europa Donna Albania dhe YWCA of Albania organizuan në datën 10 mars aktivitetin “Mbështet shpresën, lufto për jetën”. Përmes këtij aktiviteti u synua të rritet ndërgjegjësimi i shoqërisë për sfidat e vështira me të cilat ndeshen çdo ditë gratë që luftojnë me kancerin e gjiri, si dhe të kërkohen rrugë e mjete efikase për të ndikuar në qeveri, për rritjen e buxhetit për luftën kundër kancerit të gjirit në përgjithësi, e në mënyrë të veçantë për trajtimin e pacientëve me këtë sëmundje. Në aktivitetin “Mbështet shpresën, lufto për jetën” ishin të pranishëm përfaqësues e diplomat të huaj në Shqipëri, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare si dhe përfaqësues të Spitalit Onkologjik. Aktiviteti nisi me interpretimin e ndjerë dhe të shkëlqyer të aktores Taulanta. Nëpërmjet vargjeve dhe interpretimit shprehu përjetimet e një gruaje me kancer gjiri. Në aktivitet u shfaq dhe një dokumentar i shkurtër rreth kancerit të gjirit, dhe rrëfimi i Brunilda Alimerkaj, e cila po lufton me kancerin për herë të dytë. Bruna tregoi historinë e saj dhe luftën që po bën prej 9 vitesh me këtë “përbindësh” siç e quajti ajo. Historia dhe forca që tregoi Bruna për të pranishmit, i preku të gjithë. Më pas u bë publike një Letër e Hapur, ku shtroheshin çështje shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me trajtimin mjekësor të pacientëve me kancer gjiri. Në mbyllje të veprimtarisë u ftuan të gjithë pjesëmarrësit të firmosin "Letrën e Hapur".
2. “Pedalo për jetën” të rinjtë sensibilizojnë për kancerin e gjirit
(23 dhjetor 2016)
“Pedalo për Jetën” ishte mesazhi që të rinjtë përcollën për të sensibilizuar për kancerin e gjirit, aktivitet i organizuar nga Europa Donna Albania. Gazetarë e studentë dhanë mesazhin se të bësh një jetë aktive ndihmon në reduktimin e kancerit të gjirit. Për të parandaluar kancerin e gjirit një rol të rëndësishëm luan sistemi imunitar, që zë një vend po kaq të rëndësishëm tek kërkimet shkencore. Stili i jetës dhe faktorët e lidhur me stresin përbëjnë një rëndësi në rritje sa i përket riskut për t`u prekur nga kanceri i gjirit. Për një shëndet të mirë duhet bërë aktivitet fizik i rregullt, sepse ndihmon duke ulur mundësinë e prekjes nga tumoret deri në 38 %. Të rinjtë pedaluan në qendër të Tiranës duke përcjellë mesazhin se duke bërë një jetë aktive dhe praktikimi i sporteve forcon imunitetin dhe ndikon në uljen prekjes së tumoreve. Europa Donna Albania po bën sensibilizim intensiv për gratë e sëmura me kancer edhe në muaj të tjerë dhe jo vetëm në tetor që është dhe muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë botën. Donjeta Zeqa, drejtoresha e organizatës “Europa Donna Albania” u shpreh se aktiviteti fizik është shumë i rëndësishëm për një shëndet të mirë.
3. “Dhuro flokë! Fal Shpresë” bën bashkë tre futbollistët e Kombëtares shqiptare
(14 tetor 2016)
“Dhuro flokë! Fal Shpresë”, fushata që ka nisur në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, ka mbledhur bashkë njerëz të ndryshëm nga bota e ekranit dhe fusha e futbollit. Organizata “Europa Donna Albania” ka nisur një fushatë në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Kjo fushatë ka të bëjë me dhurimin e flokëve për pacientët me kancer. Me 15 tetor u zhvillua dhe aktiviteti, ku u mblodhën njerëz të ndryshëm për një kauzë të përbashkët. Aktiviteti u zhvillua në parkun “Rinia”, ku artistë dhe personazhe të njohur të ekranit dhanë mesazhe sensibilizuese, si dhe shumë vajza dhuruan flokët. Kjo fushatë ka përfshirë edhe futbollistët. Elseid Hysaj, lojtari më i paguar i kuqezinjve, është bërë pjesë e fushatës duke shpërndarë në fanpage-in e tij eventin “Dhuro Flokë! Fal Shpresë”, duke i ftuar të gjithë të bëhen pjesë e kësaj fushate. Mesfushori Andi Lila gjithashtu u ka kërkuar ndjekësve të tij të mbështesin kauzën e organizuar nga “Europa Donna Albania”. Dhe sulmuesi i Kombëtares shqiptare, si dhe një ndër lojtarët i cili i dhuroi një gol kombëtares tonë në Kampionatin Evropian, Armando Sadiku, ka ftuar të gjithë të ofrojnë mbështetje dhe sensibilizim duke treguar një ndjeshmëri për qenien e femrës. Duke e quajtur atë “të jashtëzakonshme”. Tre ndër lojtarët më të rëndësishëm të Kombëtares Shqiptare kanë treguar kështu se janë ndjeshëm dhe mbështetës të kauzave të tilla gjithëpërfshirëse. Fushata vazhdon deri në fund të muajit tetor.
4. “Dhuro flokë, fal shpresë”. Gratë dhe vajzat presin flokët, i dhurojnë për të sëmurët me kancer
(15 tetor 2016)
Të dhurosh flokë, të falësh mirësi nga vetja jote, trupi dhe shpirti yt. E ku ka mesazh më të bukur dhe human për vajzat që vuajnë nga kanceri i gjirit. Në kuadër të muajit sensibilizues kundra kancerit të gjirit, "Europa Donna Albania" sot zhvilloi aktivitetin e saj të parë "Dhuro flokë! Fal Shpresë". Një aktivitet për të cilin ka disa ditë që po flitet në media dhe në rrjete sociale. Europa Donna Albania është organizatë që ka në fokus pacientët me kancer gjiri dhe është bijë e organizatës ombrellë “Europa Donna”, e përbërë nga organizata anëtare në të gjithë Evropën. Vajza, gra dhe bashkëshortë ishin të pranishëm në aktivitet, për të përkrahur kauzën që Europa Donna Albania ka nisur prej disa ditësh në kuadër të kancerit të gjirit.Në këtë aktivitet ishin edhe personalitete të njohur të ekranit, dhe jo vetëm: Lajla Pernaska, Fiori Dardha, Irma Libohova, Jona Dervishi, të cilat përcollën mesazhet e tyre sensibilizuese. Gazetarja e njohur Fiori Dardha ishte aty bashkë me mamanë e saj, e cila ka vuajtur nga kanceri i gjirit. Fiori nuk u përmbajt dot dhe u emocionua ndërkohë që po fliste për mamanë e saj. "I vetmi mesazh që ju jap është që të bëni kontrolle të herëpashershme. Shpesh ne neglizhojmë duke thënë se nuk kemi asgjë. Edhe mami im gëzonte shëndet të plotë në momentin që kreu kontrollin rutinë dhe konstatoi sëmundjen. Punonte, madje punonte edhe më shumë se ç`duhej për moshën që ka. Ajo ka vuajtur më shumë për ne sesa për sëmundjen që mbarte. Ndaj unë ju bëj thirrje të kryeni kontrolle të herëpashershme, është thjesht një eko gjiri, ju merr vetëm 10 minuta. Unë jam shumë e lumtur që jam sot këtu, që kam mamin tim pranë, që më duket si një ëndërr dhe e kemi kaluar të gjithë këtë. Zakonisht mua nuk më mungojnë kurrë fjalët, por e shoh që po përcillem dhe po përtypem, sepse qenka shumë e vështirë të flasësh për një sëmundje të tillë, aq më tepër kur e ke provuar në familjen tënde", ka përfunduar Fjori e përlotur. Oltiana Petri dhe Diana Myrto ishin dy pacientet të cilat vendosën për të rrëfyer historinë e tyre. Oltiana, një grua e guximshme, e cila i është dashur të luftojë me kancerin e gjirit, rrëfen se për të ka qenë shumë e vështirë në fillim, por tani është në gjendje shumë të mirë dhe po e gëzon jetën në çdo qelizë të saj. Ndërsa Diana po e lufton për herë të dytë këtë sëmundje të tmerrshme. Një fakt i tillë nuk e ka penguar që ajo ta gëzojë jetën në çdo moment dhe të luftojë fort për të. Historia e këtyre dy grave na bën të besojmë fort thënien se “nëse lufton, gjithmonë fiton”. Shumë vajza erdhën enkas në aktivitet për të dhuruar flokët për të sëmurët me kancer. Këto flokë më pas do përpunohen në paruke të personalizuara dhe do të dhurohen për personat që kanë humbur flokët për shkak të mjekimeve. Drejtoresha e Europa Donna Albania, Donjeta Zeqa tha se gjithë kjo fushatë ka nisur nga dëshira e saj personale për të dhuruar flokët për pacientët me kancer, duke qenë se ajo ka kaluar një eksperiencë personale me mamanë e saj. "Unë e njoh shumë mirë këtë sëmundje, e di shumë mirë se cilat janë pasojat që sjell, stresin, vuajtjen dhe forcën që duhet për ta përballur. Mamaja ime i ka kaluar të gjitha etapat e kësaj sëmundjeje dhe prandaj unë jam këtu sot, duke mbrojtur të drejtat e këtyre grave duke u mobilizuar në mbështetjen e tyre. Kjo fushatë do të thotë shumë për mua, duke qenë se kam kohë që dëshiroj të dhuroj flokët, jam shumë e lumtur që po e bëj në momentin e duhur dhe e rrethuar nga të gjithë ju". Donjeta ishte e para që vendosi të dhuronte flokët. Ky koalicion organizatash punon për të rritur ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit dhe për të mobilizuar mbështetjen e grave evropiane, për të ushtruar më shumë presion për përmirësimin e edukimit lidhur me kancerin e gjirit. Europa Donna Albania përfaqëson interesat e grave shqiptare, lidhur me parandalimin dhe mbrojtjen nga kanceri i gjirit, përballë institucioneve shëndetësore dhe autoriteteve publike, të cilat e kanë për detyrë ta realizojnë këtë. Disa nga vajzat që dhuruan flokët: Donjeta Zeqa, Drejtoreshë Ekzekutive e organizatës "Europa Donna Albania" Suela Tuci nga Iceberg Communication. Enada Bytyçi Rudina Kopo Anxhela Devole, gazetare Alba Suparaku Xhoana Hoxhallari Fize Smailaj Alba Ndoja ...si dhe shumë vajza të tjera, që mund t’i shihni në foto.
5. “Ju keni në dorë shëndetin tuaj”, Europa Donna Albania takim me vajzat dhe gratë e Kishës Biblike Baptiste
Të premten pasdite, Europa Donna Albania zhvilloi një takim informues në ambientet e Kishës Biblike Baptiste në Tiranë. Vajzat dhe gratë e kësaj kishe kishin organizuar një takim të rrumbullakët dhe tepër familjar për të pritur tre nga përfaqësuesit e Europa Donna Albania dhe për tu informuar mbi rrezikun e kancerit të gjirit. Takimi u zhvillua në orën 18:00 dhe nisi me prezantimin e Diana Myrtos, ish kryetare e Europa Donna Albania, e cila është përballur me këtë sëmundje dy herë. Diana iu drejtua vajzave dhe grave të pranishme në mënyrë të drejtpërdrejtë duke u kërkuar atyre mos ta lënë veten pas dore. “Bëni kontrolle të vazhdueshme dhe bëjini ato në disa mjekë të ndryshëm. Mos e lini vetën të shkoni në gjendjen që shkova unë”, u shpreh Diana. Diana është nga ato gratë e forta e cila ka një arsye madhore për të luftuar: familjen e saj. Prandaj ajo është një shembull për të gjitha gratë që përballen me këtë sëmundje. Më pas, drejtuesja aktuale e organizatës, Donjeta Zeqa, bëri një prezantim për Europa Donna Albania, interesat që përfaqëson si dhe bëri thirrje grave që të mos e lënë vetën pas dore. “Është shumë e rëndësishme që ju të jeni vigjilente për shëndetin e gjirit tuaj. Nëse bëni vizita të vazhdueshme dhe kujdesni në mënyrë intensive mund të shmangni vuajtjet dhe pasojat që mund të sjell një neglizhence dhe pakujdesi e juaja. Mamaja ime ka kaluar çdo etapë të kësaj sëmundjeje dhe sot është mirë falë Zotit. Por ju mund t`i shmangni ato që kanë kaluar mami im, Diana, Olta e shumë gra të tjera jashtë këtyre dyerve”, theksoi Donjeta. Ndërkohë, Oltiana Petri e cila është ish paciente bëri një prezantim të sëmundjes në termat mjekësor, duke iu përshtatur dhe profesionit të saj. Olta u tregoi grave dhe vajzave aty se sa i rëndësishme është optimizmi për të mposhtur sëmundjen dhe theksoi me të madhe së nuk duhen lënë pas dore vizitat. “Ju mund të bëheni mjek të vetës tuaj. Unë e kam dalluar masën në gjirin tim duke u vetë-ekzaminuar. Kjo nuk iu kushton asgjë, mund ta bëni një herë në muaj tek vetja juaj. Gjithashtu e ritheksoj atë që tha Diana më parë: Bëni vizita të shpeshta dhe nëse është nevoja në më shumë se një mjek,” u shpreh Olta. Në përfundim, Olta shfaqi dhe një video ku tregohej se si gratë mund të kryenin vetë-ekzaminimin. Në përfundim të prezantimeve dhe pyetjeve që u diskutuan në një ambient të këndshëm dhe shumë të ngrohtë, vajzat e Kishës kishin organizuar dhe koktej.
6. Europa Donna Albania ofron mamografi falas
Europa Donna Albania ofron ditën e sotme në ambientet e ISHP-së (Instituti i Shendetit Publik) mamografi falas. Europa Donna Albania është një organizatë që mbron të drejtat e grave me kancer gjiri dhe në kuadër të muajit tetor që është dhe muaji i ndërgjegjësimit të kësaj sëmundje, kjo organizatë në bashkëpunim me ISHP-në ofron sot gjatë gjithë ditës mamografi falas për vajzat dhe gratë. Europa Donna Albania u bën thirrje të gjitha grave dhe vajzave që të bëjnë kontrolle të herëpashershme për të shmangur pasojat që sjell kanceri i gjirit nëse nuk kapet në kohë.
7. Aktivitete fizike dhe lojëra sportive në “Ditën e Shëndetit të Gjirit”
Në datën 15 tetor Europa Donna Albania realizoi disa lojëra sportive në kuadër të Ditës së Shëndetit të Gjirit. Lojërat u zhvilluan në fushë sportive dhe ndryshe nga herë të tjera gratë të cilat iu bashkuan këtij aktiviteti kishin marrë fëmijët e tyre duke i kthyer lojërat sportive në argëtuese. Gjithashtu, një grup futbollistësh i kategorisë së futbollistëve të vegjël iu bashkuan aktivitetit tonë. Kjo nuk është hera e parë që futbolli i bashkohet aktiviteteve të Europa Donna Albania.
8. Shpresë për gratë me kancer gjiri, EDA dhuron paruke për pacientet
Europa Donna Albania organizoi me 31 tetor 2017 aktivitetin e dhurimit të parukeve. “Dhuro flokë! Fal shpresë” ishte fushata e dhurimit të flokëve që u iniciua një vit më parë nga EDA, ku shumë vajza dhuruan flokët për gratë me kancer gjiri të cilat i kanë humbur për shkak të trajtimit me medikamente të forta. Dhoma “Zen” e cila është dekoruar nga Europa Donna Albania e konceptuar si një dhomë pritje për pacientët, ishte ambient që priti të ftuar, pacientet dhe stafin mjekësor në aktivitetin e zhvilluar sot në Onkologjik, QSUT. Paruket u dhuruan direkt pacienteve dhe familjarëve të tyre. Në luften e tyre të madhe ku dhe pamja luan rol të madh psikologjik, një paruke për ta ndryshoi gëzimin në fytyrat e tyre.