June 15, 2023 Europa Donna Albania dhuron 100 proteza silikoni për vajzat dhe gratë me Kancer Gjiri
Pas shumë përpjekjeve dhe burokracive të shumta që ligji shqiptar ka lidhur me donacionet, arritëm që të sillnim donacionin e dytë të protezave të silikonit për vajzat dhe gratë me Kancer Gjiri dhe Kancer Metastatik të Gjirit.
Për dy ditë me radhë nga mëngjesi deri pasdite, Europa Donna Albania ka zhvilluar një event në ambientet e Onkologjikut në Spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, ku u dhuruan 100 proteza silikoni për këto paciente. Ky është donacioni i dytë i protezave të silikonit që zhvillohet nga organizata jonë dhe protezat bashkë me reçipetat janë dhuruar nga kompania ‘ABC Breast Care’, së cilës ne i jemi shumë mirënjohës për gjithë durimin dhe përkushtimin deri në realizimin final.
Barbara, Brigitte dhe Rosi, udhëtuan nga Gjermania për të asistuar në shpërndarjen e protezave dhe për të gjetur masën fikse për secilen prej zonjave dhe zonjushave që fati i ka përballur me këtë sëmundje. Të treja, janë të trajnuara dhe kanë vite që merren me këtë profesion dhe kanë ndihmuar qindra gra për të dashur edhe njëherë veten, për t`u ndjerë më mirë me veten dhe fizikun pasi kanë humbur një nga pjesët me delikate dhe sensuale të trupit të tyre.
Falenderojmë stafin e Onkologjikut që i hap gjithmonë dyert për çdo aktivitet dhe takim tonin me pacientët.
Me shpresën që shumë shpejt edhe në Shqipëri Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të fusë në skemën e rimbursimit protezat e silikonit – ashtu si çdo shtet në Ballkan, ju rikujtojmë se një pjesë e të ardhurave nga regjistrimet e “Race for the Cure 2023 Albania” do të shkojnë për blerjen e protezave për vajzat dhe gratë me kancer gjiri në Shqipëri.
Regjistrohu në Race for the Cure Albania 2023