Lajme

Europa Donna Albania reagon për shkurtimin e shtretërve në Spitalin Onkologjik
(31 Gusht 2016)

Organizata Europa Donna Albania, e cila ka në fokus pacientët me kancer dhe ka si qëllim përfaqësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre, nuk është dakord  me urdhrin e  Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë,  për shkurtimin e shtretërve në Shërbimin e Onkologjisë. Shërbimi i Onkologjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, është përballur me një urdhër arbitrar për shkurtimin e shtretërve. Me urdhrin, Nr. 227, datë 09.08.2016, Drejtoria e QSUT-së ka urdhëruar të shkurtohen shtretërit  e këtij shërbimi duke e reduktuar në  64 numrin total të  tyre. Megjithëse ka hyrë menjëherë në fuqi, ky urdhër nuk është bërë ende publik. Vendimi për shkurtimin e shtretërve është marrë pa u konsultuar me grupet e interesit dhe pa praninë e  shefit të Shërbimit, Onkologjik, prof. as. dr. Agim Sollaku. Burime brenda QSUT-së bëjnë me dije se mjekët e shërbimit të Onkologjikut kanë hyrë në konflikt me drejtuesit e QSUT-së, pasi kanë kundërshtuar zbatimin e këtij vendimi. Ndërkohë që numri i të sëmurëve me kancer po rritet në mënyrë drastike, duke arritur shifra alarmante, onkologjiku përballet me këtë vendim të cilin as nuk e kanë konsultuar me grupet e interesit. Rezulton se që nga viti 2014 në vitin 2015 ka një rritje të të sëmurëve me kancer, nga 3286 në 5158, duke dëshmuar  kështu nevojën urgjente për shtimin e buxhetit për këtë kategori. Brenda Shërbimit Onkologjik, këta të sëmurë përballen me të tjera probleme, ku më kryesori  vazhdon të mbetet  mungesa e medikamenteve që sjell pengesa dhe zvarritje në mjekimin e të sëmurëve sipas protokolleve  të përcaktuara mjekësore. Europa Donna Albania bën me dije se nuk do e tolerojë mosrespektimin e të drejtave shëndetësore të  pacientëve me kancer. Ajo do e ngrejë zërin fort dhe do e përcjellë shqetësimin e tyre në institucionet përgjegjëse dhe në media. Përfaqësues të kësaj organizate i bëjnë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Drejtorisë së QSUT-së të rishikojnë vendimin për shkurtimin e shtretërve dhe  të mos marrin vendime pa u konsultuar më parë me grupet e interesit dhe pa marrë në konsideratë opinionet e vetë pacientëve.

Europa Donna Albania: Nevojë urgjente për rritjen e buxhetit për trajtimin e kancerit

Nevoja për krijimin e kësaj shoqate lindi nga numri i madh i grave të prekura nga kjo sëmundje, me qëllimin e mbrojtjes së të drejtave të tyre. Tre vitet e fundit,  “Europa Donna Albania” ka qenë inaktive dhe ka rifilluar aktivitetin e saj në vitin 2016  pas reformimit  dhe riformatimit gjyqësor. Në Shqipëri kanceri përbën një problem në rritje. Ndërkohë që rritet numri i viktimave nga kanceri, sistemi shëndetësor ndeshet me nevojën për të siguruar barnat e efektshme dhe pajisje të teknologjisë së fundit. Sipas të të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, kanceri është shkaku kryesor i vdekshmërisë në vend pas sëmundjeve kardiovaskulare. Raportohen 4000-4500 raste të reja të kancerit çdo vit. Të dhënat e disponueshme të kancerit bazohen pjesërisht në regjistrin e Qendrës Onkologjike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, dhe pjesërisht nga regjistrat e spitaleve të rretheve dhe shërbimeve të patologjisë. Përqindja e regjistruar e kancerit në Shqipëri (rreth 1000 raste të reja për 100.000 banorë) është e ulët krahasuar me atë të vendeve të tjera Evropiane, gjë që mund të jetë për shkak të regjistrimit jo të plotë dhe/ose përqindjes së lartë të të rinjve në Shqipëri. Përafërsisht, 73% e Shqiptarëve ose gati tre të katërtat e popullsisë janë më pak se 45 vjeç dhe mosha mesatare eshte 31 vjeç – më e ulëta në Evropë. Por, në vitet e ardhshme, me plakjen e popullsisë, pritet një rritje e konsiderueshme e numrit të kancereve në vendin tonë. Kanceri tashmë është një problem serioz në vend, përgjegjës për 17% të të gjitha vdekjeve, duke u bërë kështu një barrë në rritje për sistemin e kujdesit shëndetësor (SKSH) në vendin tonë. Problemi kryesor vazhdon të jetë: Mungesa e medikamenteve. (“E drejta për akses”, Pika 2 e Kartës së të Drejtave të Pacientëve). Ndërkohë që numri i të prekurve me kancer gjiri shtohet edhe nevoja për ilaçe është më e madhe, pra nevoja për shtimin e buxhetit është urgjente. Trajtimi i një të sëmuri me kancer ka disa faza dhe është shumë e rëndësishme që të bëhet i plotë dhe në kohë.  (“E drejta për respektimin e kohës së pacientëve”, Pika 7 e Kartës së të Të Drejtave të Pacientëve) Mungesa e medikamenteve herë pas herë në Onkologjik, bën që pacientët të mos e bëjnë kurën e plotë dhe kjo reflektohet në komplikacione të mëtejshme. Ilaçet janë shumë të shtrenjta dhe pacientët nuk mund t`i sigurojnë (“E drejta për akses”, Pika 2 e Kartës së të Drejtave të pacientëve).

Europa Donna Albania ankesë për mungesën e Herceptines në Spitalin Onkologjik

Aktualisht në Spitalin Onkologjik në QSUT trajtohen rreth 120 paciente me kancer gjiri, të cilat për shkak të mungesës së medikamentit në vazhdimësi nuk po trajtohen sipas protokollit. Protokolli përcakton qartë se gratë e diagnostikuara me kancer gjiri të hershem ose metastatik që kanë rezultuar HER2+ , duhet të trajtohen me trastuzumab ( Herceptin) çdo 21 ditë për 18 cikle në kancerin e gjirit të hershem dhe deri në progresion të sëmundjes kur kanceri gjirit është metastatik. Administrimi me vonesë i barit, nga 1 javë deri në 10 ditë mund të ketë pasoja në ecurinë e sëmundjes e cila mund të progresoj më shpejt. Europa Donna Albania ka bërë një ankesë në Drejtorinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe në Ministrinë e Shëndetësisë ku tregon qartë se kjo organizatë përfaqëson interesat e pacientëve me kancer gjiri dhe se kërkon nga këto dy institucione të rëndësishme të marrin masa për trajtimin e rregullt të pacientëve.

Europa Donna Albania ankesë për mungesën e Herceptines në Spitalin Onkologjik

“Europa Donna Albania” është bijë e organizatës ombrellë “Europa Donna”, e cila është një organizatë jofitimprurëse, e përbërë nga organizata anëtare në të gjithë Europën. Ky koalicion organizatash punon për të rritur ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit dhe për të mobilizuar mbështetjen e grave europiane për të ushtruar më shumë presion për përmirësimin e edukimit lidhur me kancerin e gjirit, diagnostikimin dhe trajtimin e përshtatshëm dhe gjenerimin e fondeve për kërkime shkencore.  LEuropa Donna Albania përfaqëson interesat e grave shqiptare lidhur me parandalimin dhe trajtimin e kancerit  të gjirit përballë institucioneve shëndetësore dhe autoriteteve publike të cilat e kanë për detyrë ta realizojnë këtë.   Aktualisht në Spitalin Onkologjik në QSUT trajtohen rreth 120 paciente me kancer gjiri, të cilat për shkak të mungesës së medikamentit në vazhdimësi nuk po trajtohen sipas protokollit. Protokolli përcakton qartë se gratë e diagnostikuara me kancer gjiri të hershem ose metastatik që kanë rezultuar HER2+ , duhet të trajtohen me trastuzumab ( Herceptin) çdo 21 ditë për 18 cikle në kancerin e gjirit të hershem dhe deri në progresion të sëmundjes kur kanceri gjirit është metastatik. Administrimi me vonesë i barit, nga 1javë deri në 10 ditë sikurse po ndodh në Spitalin Onkologjik mund të ketë pasoja në ecurinë e sëmundjes e cila mund të progresoj më shpejt. Gjithashtu në kushtet kur premtohet një sistem shëndetësor me mbulim universal është e papranueshme që ende 40 gra të jenë në listë pritje dhe mos t’ju jepet mundësia e trajtimit në kohë. Europa Donna Albania bën me dije se nuk do e tolerojë mosrespektimin e të drejtave shëndetësore të pacientëve me kancer gjiri. Ajo do e ngrejë zërin fort dhe do e përcjellë shqetësimin e tyre në institucionet përgjegjëse dhe në media. Ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Drejtorisë së QSUT-së të marrë masa për trajtimin e pacienteve me kancer gjiri sipas protokolleve mjekësore.

Një lajm shumë i mirë për pacientet me kancer gjiri, ‘Herceptina’ në listen e barnave të rimbursueshme

Qeveria shqiptare ka miratuar listën e re me 36 barna të rimbursueshme. Medikamenti për kancerin e gjirit, “Herceptinë”, është përfshirë në këtë listë dhe pacientet do ta marrin edhe në spitale të tjera të vendit, për të lehtësuar procedurat. Në listë është përfshirë një formë-dozë e re e medikamentit Herceptine (subcutane), që mund të merret me shiringë, edhe në spitale të tjera të vendit. Tanimë, gratë me kancer gjiri që trajtohen me herceptinë, do të mund ta marrin atë me shiringë edhe në spitale të tjera të vendit, pa u dashur të marrin rrugën për në spitalin e QSUT-së në Tiranë. Kjo formë doze e herceptinës, shkurton edhe kohën e trajtimit për to. Nga 4 orë që duhej të qëndronte pacientja në spital, tanimë ajo merret për 20-30 minuta. “Është një premtim i mbajtur. Nuk do të ketë më mungesa për trajtimin me Herceptinë, të grave që vuajnë nga tumori i gjirit. Me futjen e këtij bari në LBR, si dhe me kontratën e posaçme të lidhur mes MSHMS dhe prodhuesit të autorizuar, na ka lejuar që të mbulojmë trajtimin me këtë bar, për të gjitha gratë me tumor të gjirit që kanë nevojë për këtë medikament”, - ka pohuar Manastirliu. Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë gjatë mbledhje së qeverisë që u zhvillua në qytetin e Fierit, ka qenë vetë kreu i qeverisë i cili bëri me dije miratimin e listës së barnave në këtë mbledhje, si dhe përfshirjen e Herceptinës në listën e barnave të rimbursueshme dhe zgjidhjen përfundimtare për Herceptinën, medikament për trajtimin e kancerit të gjirit. “Lista e barnave të rimbursueshme është zgjeruar, për të mbuluar shtresat në nevojë. Janë 36 barna të reja që do të rimbursohen nga shteti, ku do të përfshihet si një zgjidhje përfundimtare edhe herceptina, medikament jetik për kancerin e gjirit, që ka një trajtim të shtrenjtë”, - tha Kryeministri. Pacientet me kancer gjiri duhet të trajtohen me “Herceptinë”, një herë në tre javë, pa ndërprerje. Herceptina është medikament shumë i shtrenjtë. Një seancë me “Herceptinë” kushton 2000 euro. Një grua e diagnostikuar me kancer gjiri, kërkon 18 të tilla.

Europa Donna Albania përzgjidhet nga “Forumi Europian i Pacientëve”

Europa Donna Albania është përzgjedhur mes 70 aplikantëve për të qenë pjesë e modulit të trajnimit për ‘Fuqizimin e Lidershipit dhe Qeverisjes pozitive”. Ky modul ka si qëllim forcimin  e organizatave të pacientëve, për të fuqizuar aftësitë e ‘Leadership-it”. Mes 70 aplikuesve janë përzgjedhur vetëm 24, ku ndër to është dhe Europa Donna Albania dhe do të përfaqësohet nga drejtuesja e kësaj organizate, Donjeta Zeqa. Ky modul është parashikuar në tre etapa. Etapa e parë është mbyllur në datën 23 prill, ku ishte dhe ‘ballafaqimi’ i parë mes të përzgjedhurve. Ky takim u zhvillua online dhe u bë me dije nga ana e EPF se se çfarë kanë për detyrë të përzgjedhurit të bëjnë si dhe u prezantuan pikat kryesore të këtij moduli. Ky takim “online” ishte i pari për të vazhduar më pas me takimet “face to face” në Maj dhe në Tetor.

Çfarë është EPF?

EPF është organizata ombrellë e organizatave evropiane të pacientëve, aktive në fushën e mbrojtjes së shëndetit publik dhe advokimit për një shëndet më të mirë. Forumi i Pacientëve Europian, i njohur gjërësisht si EPF, është një organizatë jofitimprurëse dhe e pavarur joqeveritare me bazë në Bruksel, Belgjikë. Ajo u krijua në vitin 2003 për t'u bërë zëri i fortë dhe i bashkuar i pacientëve për të të vendosur pacientët në qendër të politikës dhe programeve të kujdesit shëndetësor të BE-së.