June 07, 2023 Ecja dhe joga mund të ulin rrezikun e përhapjes ose rikthimit të kancerit
Ecja për 30 minuta në ditë dhe praktikimi i jogës mund të ndihmojë në reduktimin e lodhjes tek pacientët me kancer dhe zvogëlimin e rrezikut të përhapjes së sëmundjes ose rikthimit të kancerit – sipas studimit të fundit të publikuar në takimin e ASCO në Chicago.
Në botë, më shumë se 18 milionë njerëz zhvillojnë kancer çdo vit. Siç dihet, të qenit joaktiv rrit rrezikun e formave të ndryshme të sëmundjes. Tre studime të paraqitura në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane të Onkologjisë Klinike (ASCO), konferenca më e madhe e kancerit në botë, i shtojnë peshë provave se aktiviteti fizik mund të ndihmojë, (por theksojmë, jo të pengojë) pacientët.
“Ishte: ‘Ti je i sëmurë, qetësohu dhe pusho’,”- tha Dr Melissa Hudson, një eksperte kryesore për mbijetesën e kancerit, në konferencën në Chicago. Gjithnjë e më shumë mjekë, janë të mendimit se pacientët duhet të rifillojnë stërvitjen, qoftë edhe gradualisht në fillim.
Në studim, më shumë se 500 pacientë me kancer me një moshë mesatare 56 vjeç u rekrutuan nga e gjithë SHBA. Të gjithë kishin marrë trajtim për sëmundjen nga dy muaj deri në pesë vjet më parë. Secili grup mori pjesë në seanca 75-minutëshe dy herë në javë për katër javë.
Më pas pacientët iu nënshtruan një sërë analizash gjaku. Studimi, i udhëhequr nga Qendra Mjekësore e Universitetit të Rochester-it, zbuloi se ata që bënë yoga kishin “nivele dukshëm më të ulëta të shënuesve pro-inflamatorë” krahasuar me pacientët në grupin tjetër.
“Të dhënat tona sugjerojnë se joga redukton ndjeshëm inflamacionin tek të mbijetuarit e kancerit,” shkruajnë autorët e studimit në një raport të botuar në takimin e ASCO.
“Klinikët duhet të marrin në konsideratë recetat e jogës për të mbijetuarit që përjetojnë inflamacion, i cili mund të çojë në një ngarkesë të lartë toksiciteti kronik dhe rritje të rrezikut të përparimit, përsëritjes dhe kancerit të dytë.”
Karen Mustian, studiuesja kryesore, shtoi: “Ajo që unë u them mjekëve është që ju duhet t’u rekomandoni atyre [pacientëve me kancer] jogën si një opsion dhe duhet t’i ndihmoni ata të gjejnë vende në komunitetin e tyre ku mund ta bëjnë atë.”
Njëzet vjet më parë, shtoi ajo, ekzistonte një tendencë për të menduar që të gjithë pacientët me kancer duhet ta marrin me lehtësi, por tani shumica e mjekëve rekomandojnë ushtrime. “Unë mendoj se profesionistët e onkologjisë e kanë pranuar atë.”
Në studimin e dytë, të udhëhequr gjithashtu nga Qendra Mjekësore e Universitetit të Rochester, studiuesit shqyrtuan ndikimin e jogës në lodhje dhe cilësinë e jetës. 173 pacientë të moshës 60 vjeç e lart u regjistruan në provë. Përsëri, pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe. Ata ndoqën klasa 75-minutëshe joga ose edukimi shëndetësor dy herë në javë për katër javë. Studimi zbuloi se joga ndihmon në lehtësimin e lodhjes dhe ruajtjen e cilësisë së jetës.
Një studim i tretë zbuloi se pacientët me kancer që janë aktivë mund të zvogëlojnë rrezikun e vdekjes me pothuajse një të pestën.
Studimi gjashtëvjeçar, i udhëhequr nga Dr. Jurema Telles de Oliveira Lima nga Instituto de Medicina Integral në Brazil, përfshiu më shumë se 2600 pacientë me kancer në Brazil. Pacientët u renditën sipas niveleve të tyre të aktivitetit, me “aktivë” të klasifikuar si të paktën një shëtitje 30-minutëshe pesë ditë në javë. Rezultatet treguan se rreziku i vdekjes ishte më i lartë tek ata me një mënyrë jetese jo aktive. Pas 180 ditësh, 90% e njerëzve në grupin aktiv ishin ende gjallë, krahasuar me 74% në grupin që nuk ishin aktiv.
Lima tha se çdo gjë që pacientët me kancer mund të bëjnë për të shmangur qëndrimin ulur ose shtrirë për periudha të gjata, sado pak, mund të jetë e dobishme. Edhe kryerja e punëve të lehta ose pazari që bëni për shtëpinë.
“Ne gjithashtu duhet të edukojmë familjen,” shtoi ajo. “Sepse është shumë e zakonshme që familja dëshiron të mbrojë personin e moshuar kur ka kancer, si p.sh.: ‘Nuk do ta lejoj të bëjë asgjë ose të shkojë askund.’ Ne duhet t’i themi familjes se aktiviteti fizik mund të jetë më e mira për pacientin edhe në një nivel psikologjik.”
Jim Burt, drejtor ekzekutiv i programeve në Akademinë Kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar për Receta Sociale, i cili nuk ishte i përfshirë në studime, tha: “Ky hulumtim mbështet numrin në rritje të provave që demonstrojnë përfitimet e mëdha dhe të ndryshme të ushtrimeve për shëndetin fizik dhe mendor.”
Europa Donna Albania