January 23, 2023 Java e parandalimit të kancerit të qafës së mitrës
Nga data 23 deri më 29 janar është Java e Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës. Kjo është një javë veçanërisht jetike ndërgjegjësimi pasi shërben për të nxjerrë në pah një temë të cilën shumë njerëz ose e anashkalojnë ose ndihen të parehatshëm duke e diskutuar – veçanërisht brenda vendit të punës.
Çfarë është kanceri i qafës së mitrës?
Kanceri i qafës së mitrës është kancer që prek qafën e mitrës. Kryesisht prek gratë seksualisht aktive të moshës 30-45 vjeç, megjithëse çdo grua mund të vuajë prej saj. Shkaktohet kryesisht nga disa lloje të HPV-së (ose papilloma e virusit human.) Kjo është një sëmundje shumë e zakonshme seksualisht e transmetueshme – në fakt, të paktën gjysma e të gjithë njerëzve seksualisht aktivë do të kenë HPV në një moment të jetës së tyre. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se çdo grua me HPV do të zhvillojë kancer të qafës së mitrës. HPV-ja është një virus i cili pasi hyn në organizëm mund të mbetet aty i fshehur me vite pa dhënë asnjë shenjë sëmundjeje, por personat që e mbartin mbeten infektues për partnerët e tyre seksualë.
Ka shumë lloje të HPV-së, por shumica e tyre nuk shkaktojnë sëmundje dhe kalojnë në mënyrë spontane. Megjithatë, pothuajse të gjitha rastet e kancerit të qafës së mitrës i atribuohen infeksionit HPV, më shpesh i tipeve 16 dhe 18.
Pothuajse çdo rast me kancer të qafës së mitrës mund të parandalohet nëpërmjet kontrollit dhe vaksinimit. Tashmë është e provuar se programet e kontrollit të kancerit të qafës së mitrës mund të parandalojnë deri në 80% të rasteve, dhe së bashku me vaksinën mund të reduktojnë ndjeshëm nivelet e këtij kanceri.
Çfarë është depistimi i kancerit të qafës së mitrës?
Gjatë një ekzaminimi të qafës së mitrës, një mostër e vogël qelizash merret nga qafa e mitrës për të testuar për HPV. Vetë testi zakonisht zgjat më pak se 5 minuta, duke e bërë të gjithë takimin rreth 10 minuta.
Ne mund t`i japim fund kancerit të qafës së mitrës! Informohu – Testohu – Vaksinohu
Pse duhet që vendet e punës të nxisin kontrollet e qafës së mitrës?
Shëndeti mendor dhe shëndeti fizik shkojnë bashkw, ku njëri më shpesh se jo gjithmonë ndikon tjetrin. Inkurajimi dhe të folurit hapur për tema si ekzaminimet e qafës së mitrës shërben për të mbrojtur shëndetin fizik dhe mendor të punonjësve tuaj duke u siguruar që ata të jenë fizikisht të shëndetshëm, si dhe duke reduktuar ankthin që vjen nga keqinformimi ose vonesa e kontrolleve shëndetësore.
Hulumtimet zbulojnë se 80% e grave që punojnë me orar të plotë nuk kanë qenë në gjendje të marrin një takim të përshtatshëm për kontrollin e qafës së mitrës, me 15% që vonojnë ekzaminimet e tyre sepse nuk ndiheshin mirw tw merrnin pushim nga puna. Vendet e punës mund t’i inkurajojnë punonjësit e tyre të marrin pjesë në ekzaminimet e qafës së mitrës duke mbrojtur diskutime të hapura rreth temës dhe duke ndarë informacion të besueshëm për të ndihmuar në heqjen e stigmës. Ofrimi i kohës fleksibël të punës për takime do t’i lejojë punonjësit të ndihen rehat duke ndjekur ekzaminimin e tyre nëse nuk mund të marrin një takim jashtë orarit të punës.
Gjatë Javës së parandalimit të kancerit të qafës së mitrës, Europa Donna Albania në bashkëpunim me Spitalin Amavita ofrojnë 10 vizita gjinekologjike falas. Për detajet mund të klikoni në postimin e mëposhtëm: