July 08, 2020 Heronjve të vërtetë të COVID-19: Faleminderit!
Ne të Europa Donna Albania e dimë se sa shumë keni punuar dhe jeni angazhuar – gjithmonë– por sidomos gjatë pandemisë globale të COVID-19. Një sakrificë e madhe nga të gjitha bluzat e bardha, që ishit – dhe vazhdoni të jeni – në vijën e parë të luftës.
Prandaj, në mënyrën më modeste por shumë të ndjerë, gjithë stafi ynë, anëtarët dhe pacientët, dëshirojmë t`ju themi FALEMINDERIT.
Faleminderit që jeni kujdesur për familjen, miqtë dhe kolegët tanë. Faleminderit që keni punuar me orë të gjata në rrezik të madh personal për t`u kujdesur për një nga kategoritë më tëriskuara në rast se do prekëshin nga koronavirusi.
Faleminderit për të gjithë ato që po bëni tani për të gjithë ne.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, shumë prej nesh; pacientë, komuniteti dhe kushdo, ka treguar dashuri me bollëk për stafin mjekësor – dhe siç ne diskutuam kur po realizonim kopertinën e revistës – , falenderimi më i madh për ekipin mjekësor është atëherë kur ne respektojmë të gjitha rregullat dhe protokollet për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Ekipet në të gjitha departamentet në të gjithë sistemin po punojnë pa u lodhur për t’u kujdesur për komunitetin tonë. Gjëja më e mirë që mund të bëni për t’i ndihmuar ata është të qëndroni të shëndetshëm! Pacientët me kancer gjiri janë me një imunitet delikat, ndaj dhe puna në Shërbimin Onkologjik kërkon një qasje po aq delikate. Praktikoni higjienë të mirë të duarve dhe ndiqni udhëzimet për distancimin shoqëror për të ngadalësuar valën e virusit.
Për situatën e krijuar prej pandemisë globale të COVID-19, kanë folur për Europa Donna Albania, drejtuesit e Spitalit Onklogjik. Përveç pasqyrimit të situatës, Doktorët e këtij spitali riktheksojnë rëndësinë e higjienës personale, dhe të gjitha masave që duhet të respektohen në mënyrë rigoroze dhe strikte.
Dr.Prof Asc. Helidon Nina,
Drejtues Mjekësor dhe Përgjegjës i Kirurgjisë Onkologjike dhe Terapisë Intensive në Spitalin Onkologjik, QSUT
Dr. Nina ka dhënë një pasqyrim të detajuar të gjithë situatës nga shpërthimi i pandemisë së COVID-19 deri në këto momente që po flasim, ku aktiviteti në Spitalin Onkologjik i është kthyer normalitetit por me masa të rrepta sipas protokolleve të përcaktuara për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Gjatë periudhës së COVID-19, Spitali Onkologjik (nëse flasim si entitet), nuk e anuloi punën e vet, nuk e shtyu, por ka qenë në aktivitet të plotë.
Sipas urdhrit të ministrit, Spitali Onkologjik ka vazhduar punën në të gjitha Njësitë bazë të tij: kirurgji, kimioterapi, radioterapi, vizita ambulatore, diagnostike imazherike, etj. Njësia e Kirurgjisë ka vazhduar aktivitetin e saj kirurgjikal vetëm me raste onkologjike.. Kuptohet që në kirurgjitë që ne kemi patur prioritet, ato që kanë qenë raste që nuk mund të prisnin, si p.sh të pacientëve që kishin kryer kimioterapitë.. Kjo është një kategori që nuk mund të shtyhej pasi nëse ne do t`i shtynim për kohë shumë më të madhe – që nuk dihej, mund të ishte 2-3 mujore, siç shkoi – atëherë humbte dhe efekti i kimioterapisë neoadjuvante që ishte bërë më përpara.
Rastet kirurgjikale jo onkologjike u shtynë totalisht. Kirurgjia onko-gjinekologjike pezulloi aktivitetin për ketë periudhe, duke realizuar vetëm një rast qe paraqiste urgjence.
Kemi patur parasysh ne gjykimin e rasteve, kuptohet aty ku ka patur mundesi, rekomandimet e (S.S.O) Shoqatës Onkologjike të Kirurgjisë, kemi bërë konsultat respektive të rasteve, pra stafet multidisiplinare janë vazhduar por jo me kapacitet të plotë nga pikpamja e burimeve njerëzore. Pra, nëse nga kimioterapia vinin 3 mjekë, nëse nga Radioterapia vinin 2, etj, i kemi pasur me numër shumë të kufizuar, nga një pjesëtar, pra minimumi i nevojshëm për te marrë vendim.
Në bazë të këtyre rekomandimeve të “Society of Surgical Oncology”, për disa raste (ku kishte indikacion) ne kemi filluar kimioterapi neoadjuvante. Pra nuk kemi bërë kirurgjinë, që të shmangej ai kontakti i gjate i pacientit me stafin, qëndrimi i gjate në spital para dhe pas kirurgjisë, etj.. etj; por kanë filluar dhe kimioterapitë duke gjykuar si për rastet neoadjuvante, ku rastet kanë qenë të plotësuara të gjithë me: core-biopsi, imunohistokimi. Sepse një nga gjykimet e sakta te një stafi multidisiplinar është kur një rast është i plotësuar me dy parametra kryesorë (biopsi dhe IHC), kuptohet pastaj edhe me elementet e tjerë: imazheri, skaner, markus tomorale etj.
Për sa i përket Njësive te Kimioterapisë dhe Radioterapisë është vazhduar, pra nuk është bërë asnjë moment pushim dhe anulim. Kuptohet me një riorganizim dhe ky riorganizim ka qenë për të gjithë Spitalin Onkologjik, që pacientët janë futur brenda ambienteve të spitalit vetëm, të pashoqëruar nga familjarët, kjo ka vlejtur edhe për periudhën post-radioterapie ose post-kimioterapie me shtrim ditor. Pra, Spitali Onkologjik ka vepruar në aktivitet gjatë gjithë kësaj kohe, kuptohet edhe është kufizuar si tek: Ri-kontrollet e pacientëve qe janë kontrollet rutinë për ata që kanë kryer kirurgjinë, kimioterapinë dhe radioterapinë. Këto follow-up-e jemi munduar që t`i zgjidhim në distancë, përmes platformave online, ku secili pacientë ka folur me mjekët përkatës ose i ka kryer tek onkologët e Spitaleve Rajonale.
Aktualisht puna, ka filluar me normalitet në gjithë QSUT-në, por Onkologjiku është rivendosur akoma dhe më në normalitet, jo për faktin se punën nuk e kemi bërë por aktualisht kemi vazhduar dhe me patologjitë jo tipike onkologjike që trajtohen këtu – sa i përket fushës kirurgjikale.
Si Spital Onkologjik deri tani nuk kemi pasur raste të episodeve me COVID-19, vetëm një rast tek Radioterapia. Ka qenë një paciente që bënte radioterapi ambulatore, e jashtme, rast që edhe është vërtetuar. Por për shkak të masave efektive qe janë marre për zhvillimin e punës ditore (maska, largësia e pacientëve, zbatimi i orareve, etj), ky rast kaloi duke mos infektuar asnjë person tjetër. As pacientët që kanë qenë përreth dhe as në stafin mjekësor. Në të gjitha testet pasuese që kanë bërë kanë rezultuar negativë.
Nuk mund të themi që gjithë kjo situatë nuk ka pasur efektet e saj ne përgjithësi, por ajo që vë në dukje është se Spitali Onkologjik gjate gjithë kësaj periudhe ofroi për pacientet shërbimin e tij pa u frenuar puna për asnjë ditë të vetme.
Dr. Silvana Çeliku
Shefe Shërbimi
Përgjegjëse e Njësisë Gjinekologjike Onkologjike në Spitalin Onkologjik, QSUT
Dr. Silva, përveçse si mjeke, jep forcë dhe kurajë dhe si një grua, si një nënë. Këshilla e vazhdueshme e Doktoreshës është që të ruajmë të gjitha masat e ripërsëritura nga të gjitha institucionet dhe protokollet e lëshuara prej OBSH-së.
Mars 2020, çdo gjë ndryshoi në jetën tonë. Pas një tërmeti që la pas dridhjen e tokës nën këmbët tona hyri një virus i panjohur që drodhi zemrat tona dhe na e bëri jetën të pasigurt. Por ky ishte një këndvështrim për njerëzit e zakonshëm, jo për mjekët që mbajnë veshur bluzën e bardhë. Dhe ne e përballuam këtë situatë me sukses. Ishin dy muaj të mbushur me ankth, stres, pasiguri por përherë me optimizëm. Shërbimi Onkologjik ishte dhe është përherë këtu, pranë pacientëve dhe për pacientët. COVID-19 është ende mes nesh dhe ne vazhdojmë me vendosmëri të punojmë duke mbrojtur fort jetën e pacientëve dhe atë të personelit shëndetësor. Bashkëjetesa me këtë virus nuk do të jetë e lehtë. Shumë na quajnë heronj, shumë të palodhur, disa ndonjëherë janë dhe mosbesues, por ne thjeshtë bëjmë detyrën, bëjmë atë për tëcilën jemi betuar. Në këto ditë të vështira për gjithë globin ku jetojmë, unë dhe kolegët e mi të palodhur vërtetë jemi çdo ditë në punë pranë pacientëve por dhe ata dhe familjarët e tyre duhet të kenë parasysh e të zbatojnë me rigorozitet këshillat e dhëna.
Ne vërtetë nuk dimë shumë për këtë virus, për trajtimin e tij, por një gjë e dimë me siguri, si të mbrohemi prej tij; mbani maskën sa herë vini në spital, mbani distancë nga njëri-tjetri dhe respektoni radhën për të takuar mjekun apo plotësuar dokumentacionin. Shmangni sa më shumë hyrjet e panevojshme në spital. Mbani higjienë personale e kolektive.
Bashkë do ja dalim.
Dr. Dhurata Tarifa
Ish-përgjegjëse e Njësisë së Kimioterapisë, një ndër mjeket më me eksperiencë në Spitalin Onkologjik, QSUT
Dr. Dhurata sqaron situatën për Njësinë e Kimioterapisë dhe ecurinë e pacientëve që trajtohen me kimioterapi dhe si është proceduar me këtë kategori.
Lidhur me pacientët që trajtohen me kimioterapi, asnjë pacientë nuk ka rezultuar të jetë pozitiv. Megjithatë, masat që ne kemi marrë – dhe që mund të marrim dhe që do vazhdojmë të marrim, brenda kufijve të mos dëmtimit të mbijetesës është që kemi evituar terapitë shumë agresive, kemi zëvendësuar terapitë agresive, aty ku mundet, me tableta. Nuk kemi bërë shtyrje të terapive.
Të vetmet shtyrje të bëra janë folloë-up-et (ndjekjet) e pacientëve, të cilët jo të gjithë kanë pasur mundësinë të vinin apo dhe kanë evituar praninë e tyre edhe për merakun personal të virusit.
Dr.Orges Spahiu,
Përgjegjës i Njësisë së Radioterapisë, Spitali Onkologjik, QSUT
COVID-19 vuri përballë sfidave dhe dilemave shërbimin mjekësor në përgjithësi dhe atë në shërbim të pacientëve me kancer në mënyrë të veçantë.
Ashtu si në mbarë botën edhe në Shqipëri, Shërbimi Onkologjik vazhdoi punën e tij në shërbim të pacientëve më vulnerabël duke mbajtur mbi supe disa përgjegjësi që influencojnë vendimmarrjen e trajtimit:
- Përgjegjësia e vendimmarrjes midis rrezikut të COVID-19 dhe rrezikut të avancimit të sëmundjes;
- Përgjegjësia e ruajtjes së distancës fizike dhe kushteve të sigurisë nga virusi;
- Përgjegjësia e ruajtjes të stafit mjekësor dhe vazhdimësisë së shërbimit;
Lufta ndaj Covid-19 kërkon solidaritet social për të siguruar distancimin e nevojshëm fizik. Mjekët, pacientët dhe stafi mjekësor janë bashkë në luftën kundër sëmundjes dhe në luftën kundër virusit.
Në mënyrë të veçantë pacientët e sëmurë me kancer paraqesin dobësi të imunitetit duke qenë më vulnerabël ndaj virusit. Respektimi i masave parandaluese prej këtij grupi pacientësh duhet të jetë prioritet i vazhdueshëm brenda dhe jashtë ambienteve spitalore pasi dhe ata janë përgjegjës për veten, për pacientët e tjerë dhe për stafin mjekësor në shërbim të tyre.
Të kurosh nga kanceri apo të ruash nga virusi, kjo është çështja!
Realizoi fotot: Jona Kazani
Nga numri i fundit i revistës Europa Donna Albania, të cilën mund ta lexoni në linkun: Shfletoni revistën