July 08, 2020 Në kujtim të Sonela Totrakut
Një mikeshë e imja e mirë – dhe e juaja padyshim – ndërroi jetë pas një lufte 11-vjeçare me kancerin metastatik të gjirit. Në mes të pandemisë së COVID-19, në ditët më të vështira të njerëzimit, ne humbëm shoqen tonë, aktivisten e pashoqë, Sonela Totrakun.
Mëngjesi i 14 prillit ishte kaq i trishtë jo vetëm për familjen e saj por për këdo që njihte Sonelën.
Në momentin kur përballesh me diagnozën e kancerit të gjirit, jeta juaj ndryshon. Këtë gjë e di mjaft mirë prej thuajse 20 vitesh tashmë. Por, dita ditës, bëhet akoma më e vështirë kur ndeshesh me një tjetër që diagnostikohet, me një tjetër që humb luftën apo më dikë që ri-diagnostikohet.
Nuk është dhe aq e lehtë të menaxhosh gjithë këto ndjesi dhe përjetime, e në të njëjtën kohë të luftosh për të drejtat e grave me kancer gjiri. T`u japësh forcë dhe mbështetje. Bashkërisht të luftojmë për kauzën për të cilën kemi vendosur t`i dalim për Zot.
Nga të gjitha episodet që më kanë ndodhur, qëkur kam nisur angazhimin me Europa Donna Albania e deri më sot, dita më e vështirë për mua ka qenë 14 prilli i 2020-ës. Dita kur humbëm Sonelën me buzëqeshjen më solare që mund të ketë dikush. Të cilën nuk mundëm as ta përcillnim t`i bënim nderimet siç i meritonte.
Takimi ynë i fundit ka qenë në tetor, në muajin e Ndërgjegjësimit të Kancerit të Gjirit. Para takimit të fundit, në po të njëjtin muaj u takuam për të zhvilluar intervistën e saj për revistën tonë, ku do ishte dhe personazhi i kopertinës. Intervistë e cila rezultoi të ishte e fundit për Sonelën.
“Dona, kam refuzuar çdo ftesë nga gazetarët këtë vit. Nuk dua të dal më në televizione. Më pëlqen të jem vetëm tek revista dhe ta mbyll këtë radhë pa asnjë dalje tjetër mediatike”- më tha teksa po shkrepnim foto me Blerinën, mikeshë e jona e përbashkët.
Megjithëse gjendja e saj nuk ishte si më parë, Sonela vetëm qeshte. Edhe kur ndihej e lodhur, nuk harronte të dhuronte vetëm mirësi dhe të rrezatonte këdo përreth.
Në profilin që ndërtuam për Sonelën në numrin e revistës që u publikua në fund të Tetorit, u përpoqëm që të sillnim dhe pasionet e saj, dëshirat dhe ëndrrat, e jo vetëm për sëmundjen- pa ditur që ky do ishte komunikimi i saj i fundit me publikun.
“Çdo ditë zgjohem e lumtur se dua të jetoj”.
E donte kaq shumë jetën, adhuronte detin sepse e krahasonte me jetën e saj, herë i qetë dhe i bukur, herë i frikshëm, plot dallgë dhe stuhi. 11 vitet e fundit të saj kështu kishin qenë të stuhishme goxha për Sonelën, plot sfida, betejë pas betejë dhe lufta më e madhe e saj për jetën.
Pika më e fortë dhe më e dobët ishte për Sonelën familja. Gjithmonë fliste me dashuri për ta dhe shqetësohej që të mos mërziteshin.
Sonela, ishte ndër ato vajza që nuk ankohej, nuk fliste për feminizëm por e tregonte çdo ditë me vepra feminizmin e saj. Megjithëse gjendja e saj po përkeqësohej, nuk u dorëzua asnjë moment, nuk hoqi dorë nga profesioni i saj, të cilin e adhuronte dhe i donte kaq shumë nxënësit, që i shihte dhe si burim force.
Sonel` e dashur, i jam mirënjohëse jetës dhe Zotit që na bëri të na kryqëzoheshin rrugët. Jam e inspiruar nga historia jote, forca dhe dëshira për jetën. Bashkë kemi luftuar për një kauzë të përbashkët dhe të gjithë ne do vazhdojmë rrugën tënde.
Zoti të deshi pranë vetës dhe shpresoj shumë që në jetën tjetër të takohemi sërish sepse më ka marrë malli të shoh buzëqeshjen tënde solare.
Donjeta.
Nga numri i fundit i revistës Europa Donna Albania, të cilën mund ta lexoni në linkun: Shfletoni revistën