October 08, 2018 “Bashkë do ja dalim”, beteja me kancerin e gjirit
Historia e dy grave që kanë luftuar dhe ja kanë dalë, ende luftojnë…
Të veshura dhe mjaft optimiste për jetën, Oltiana dhe Brunilda janë dy gra, të cilat jeta I përballi me sëmundjen e kancerit të gjirit.
Oltia ia ka dalë dhe Bruna ende lufton…
Nuk janë nga ato skenaret e famshme të regjisorëve të Hollywood-it por një realitet I hidhur por I luftuar me krenari e dinjitet, me dëshirën e madhe për jetën.
Oltiana Petri është mjeke mikrobiologe, me një optimizëm dhe një dëshirë të madhe për ta jetuar jetën. Olta është një nga ato gratë që nuk dorëzohet lehtë, luftoi shumë dhe ia doli të jetë fitimtare mbi sëmundjen e shekullit.
“Pesë vite më parë, kur nuk kisha mbushur ende të 36-at, në prag Krishtlindjesh kisha shkuar të vizitoja dhe të festoja me të afërmit. Aty kuptova se diçka nuk shkonte me trupin tim,”- kështu nis historia e doktoreshës mikrobiologe e cila edhe pse e ka fituar betejën, nuk lë pas dore kontrollet e vazhdueshme mjekësore. Ashtu siç mban nën kontroll punën që zhvillon çdo ditë në laborator si mjeke mikrobiologe dhe aktivizohet me Europa Donna Albania, për t`i ardhur në ndihmë grave me kancer gjiri dhe për të ndërgjegjësuar çdo vajzë e grua në Shqipëri.
Olta, nënë e dy djemve, bashkëshortë, motër dhe bijë, e megjithatë ajo nuk kërkonte keqardhje nga askush. As atëherë kur u dërgonte mikeve të saj në Whatsapp fotografi dhe u thoshte: “Mos e lini veten tuaj pas dore. E shikoni si jam katandisur? Pa flokë, pa vetulla…”.
Nga ana tjetër, Brunilda Alimerkaj, lufton me këtë sëmundje prej 10 vitesh. Nëse e shikon Brunën nuk të shkon mendja kurrë se me çfarë i është dashur të përballet. Është gjithnjë e kuruar deri në detaje, me fustanet tip sportive por që kanë pak klas brenda dhe me atletet e saj të preferuara “All stars”, Bruna është gjithnjë në lëvizje dhe nuk humb asnjë sekondë nga jeta.
Bruna ka shumë miq dhe shumë dashuri përreth, dy gocat dhe prindërit. Asaj i duhet të udhëtojë shpesh drejt Italisë për t`u trajtuar, por asnjëherë nuk lë pas dorë vëmendjen ndaj grave paciente në Shqipëri, e gatshme për t`i ndihmuar kurdo.
Në vitin 2007 Bruna nisi kalvarin e saj të vuajtjeve në spitale, në moshën 30-vjeçe, nënë e dy vajzave mësoi se është me kancer. Sikur mos të mjaftonte kjo, bashkëshorti pasi mori vesh për sëmundjen, e braktisi Brunën dhe vajzat. Por kjo nuk e pengoi Brunën të luftonte për jetën e saj, për vajzat dhe për prindërit dhe ia doli mbanë. Pas trajtimeve iu kthye jetës normale, punës dhe familjes.
Por në vitin 2015 do të diagnostikohej sërish me kancer, këtë herë sëmundja kishte prekur mushkrit. Bruna është ende duke u trajtuar, që të mbajë nën kontroll sëmundjen.
Bruna dhe Olta, dy gra me histori të ndryshme kanë një emërues të përbashkët: luftojnë për të jetuar. Ato kanë një mesazh dhe apel për vajzat dhe gratë, që të kenë kujdes për shëndetin e tyre dhe të bëjnë kontrolle të vazhdueshme.