Prognoza: Do jetoje!

Prognoza: Do jetoje!

Dr. Joana Millo

Kanceri është pjesë e jetës. Tashmë pothuaj çdo njeri e ka të qartë faktin që secili prej nesh mund të përballet me këtë sëmundje personalisht apo në rrethin e ngushtë familjar. Nuk dëshiroj t`ju trishtoj, por t`ju kujtoj që pranimi i një problemi është hapi i parë për ta zgjidhur atë.

Hapi i dyte është patjetër informimi. Ndaj me anë të kësaj letre dëshiroj t`ju informoj për hapat e mëdha të bërë ne trajtimin e kancerit te gjirit. Më shpesh flasim për sukseset e zbulimit të hershëm dhe diagnostikimit.

Por mendoj që gjithashtu me shumë interes për ju është të fokusohemi edhe në mundësitë e trajtimit që ofrohen për kancerin e gjirit.

Çfarë është e rëndësishme të dihet paraprakisht për të zgjedhur trajtimin optimal?
Mjekut do t’i  duhet të vlerësojë disa aspekte të lidhura si me pacientin ashtu edhe me sëmundjen që të mund të vendosë për trajtimin me të përshtatshëm.

Cilat janë disa nga informacionet me relevante te lidhura me pacientin?
Këto janë: Mosha, historia personale mjekësore, historia familjare për neoplazi sidomos për kancerin e gjirit dhe të vezoreve, mirëqenia fizike e pacientit, prezenca ose jo e sëmundjeve të tjera shoqëruese, rezultatet e analizave te gjakut, mirëqenia e organeve te tjera si p.sh. mëlçia dhe veshkat etj.

Cilat janë disa nga informacionet me relevante te lidhura me sëmundjen?
Këto do te ishin: Stadifikimi i sëmundjes në momentin e diagnozës me anë të cilit vlerësohen madhësia e tumorit, prekja e gjëndrave në afërsi dhe largësi si dhe prekja apo jo nga tumori e organeve të tjera në distancë.  Rezultatet e Biopsisë që na japin informacion për tipin e qelizës në masën tumorale por edhe në gjëndrat e ekzaminuara, për shkallën e ndryshimit të qelizës tumorale nga qelizat motra të paprekura nga tumori. Statusi HER2 dhe ai i receptorëve hormonale estrogjene ER dhe progesteron PR, që tregojnë se cilat prej këtyre receptorëve shpreh qeliza tumorale në sipërfaqen e saj.  Kur këto proteina të sipërfaqes qelizore janë prezente, themi që tumori është HER2, ER dhe PR pozitiv.

Cilat janë opsionet e trajtimit?
Plani i trajtimit të kancerit të gjirit vendoset jo vetëm nga një mjek por nga një grup mjekësh që përbëjnë atë që quhet Ekipi Multidisiplinar dhe ku bëjnë pjesë kirurgu, radioterapeuti, onkologu mjekësor, imazheristi, anatomopathologu etj.  Stafi vendos se me cilin opsion të trajtimit do të fillohet, me kirurgji, apo terapi sistemike, apo radioterapi dhe si do të vazhdohet më tej duke përcaktuar saktë atë që quhet “Plani i trajtimit”.

Supozojmë që stafi multidisiplinar vendosi në bazë të kritereve të mësipërme që do të fillohet trajtimi me terapi sistemike, pra me barna që pacienti i merr me serume, nga goja apo nën lëkurë.

Cfarë është terapia sistemike?
Qëllimi i terapisë sistemike është që të arrijë në qelizat tumorale të cilat mund të jenë shkëputur nga tumori primar dhe të kenë migruar në gjak, gjëndra apo organe të tjera. Këtu përfshihen:

  • Terapia hormonale
  • Kimioterapia
  • Terapia e targetuar kundër HER2.

Më sipër përmendëm llojet e receptorëve, prezenca e tyre merr pikërisht këtu kuptim. Nëse tumori shfaq në sipërfaqen e tij receptorët  hormonale (ER+ dhe/ose PR+), atëherë ai mund të luftohet me anë të barnave hormonale që i kapin dhe i bllokojnë këta receptorë duke frenuar kështu rritjen e pakontrolluar të qelizës. Këto barna mund të jepen pas ose me kimioterapinë ose edhe vetëm në rastet kur mjekët vendosin që pacientja nuk e ka të nevojshme aplikimin e saj.

Disa nga preparatet hormonale janë:  Tamoxifen, frenuesit e aromatizes si anastrozole, exemestane ose letrozole.

Kimioterapia është dhënia në të njëjtën kohë e një ose më shumë citostatikëve. Ajo jepet me cikle p.sh. çdo 3 javë dhe me një maksimum ciklesh p.sh. 6 ose 8 cikle.

Disa prej citostatikëve që përdoren më shpesh në kancerin e gjirit janë:

  • Doxorubicin ose epirubicin
  • Docetaxel
  • Cyclophosphamide
  • Methotrexate
  • Fluorouracil
  • Paclitaxel etj.

Terapia e drejtuar ndaj receptorit HER2. Ne këtë rast beri tenton të lidhet me receptorin HER2 dhe të dërgojë brenda qelizës sinjale që e ndalojnë atë të rritet në mënyrë të pakontrolluar. Duhet që HER2 të jetë pozitiv në nivelin 3+ që pacientja të përfitojë nga ky trajtim. Në këtë rast trajtimi quhet bllogadë njëshe e HER2.  Trastuzumab dhe Lapatinib janë 2 barnat që përdoren prej kohësh për të bllokuar këtë receptor. Tjetër bar i ri qe gjithashtu bllokon HER2 është pertuzumabi i cili mund të jepet së bashku me Trastuzumab dhe të arrijë një bllokadë dyshe të receptorit HER2.

Përfundimisht mund të themi që tashmë ofrohen jo vetëm modalitete të ndryshme të luftës kundër kancerit të gjirit, por edhe brenda secilit modalitet ofrohen përqasje të ndryshme inovative si p.sh: kirurgjitë me teknikat e ruajtjes së një pjesë të gjirit, Radioterapia me akseleratoret lineare apo IMRT etj.