Dhurimi i flokëve është një dhuratë më personale sesa dërgimi i një çeku

Dhurimi i flokëve është një dhuratë më personale sesa dërgimi i një çeku

 

Gërshërët teksa bashkohen bëjnë një tingull të çuditshëm e të paqartë dhe një gjatësi prej thuajse 35 cm, që ishte arritur prej më shumë se një viti “u zhduk”.

Por jo sa për të rënë në tokë, e për t`i hedhur pastaj.

Flokët e Jedës dhe dy Anxhela-ve, kanë shkuar për një kauzë shumë të rëndësishme siç është ajo  e grave me kancer gjiri. Të treja vajzat që kanë dhuruar flokët e tyre  pranë Europa Donna Albania dhe e përshkruajnë si një ndjesi që rrallë mund të gjesh fjalët e duhura për ta përshkruar.

Jedrita Llapi ishte vetëm 17-vjeçe kur dhuroi flokët e saja. Studentja e “Inxhinierisë dhe Telekomunikacionit”, tregon për EDA, se të ndihmojë të tjerët është diçka që e bën të ndihet e lumtur. Jeda që në fillim, rritjen e flokëve e kishte qëllim: për t`i dhuruar.

Kur flokët e saj kishin arritur gjatësinë e duhur, Jeda tregon se po kërkonte për vendin e duhur për t`i dhuruar dhe “Europa Donna Albania” ishte organizata të cilën vendosi t`i besojë gjestin e saj human.

Për Jedën, gjesti i dhurimit të flokëve, më shumë se sa ndihmë për vajzat dhe gratë me kancer gjiri, i ka dhënë dhe një ndjesi të veçantë që vetë studentja e përshkruan “pjekuri emocionale”.

“Nuk e kisha menduar kurrë se duke u përpjekur të ndihmoja dikë tjetër do të ndihmoja veten time. Emocionet që më përshkuan në momentin që mora flokët e mi në dorë ishin të pashpjegueshme. Nuk isha ndjerë kurrë më e lumtur dhe më e plotësuar në jetën time.”

E ndërsa për Anxhela Celibashin, historia e dhurimit të flokëve është shumë e veçantë. Gazetare pranë Ora Neës, sfida e përditshme e Celibashit është të gjejë tema sociale. Përmes Facebook-ut, Anxhela, si shumë vajza të tjera që kanë dhuruar flokët, është njohur me nismën e EDA-s.

Anxhela e kishte mundësinë të gjente një personazh që mund të dhuronte flokët dhe të bënte temën e radhës për televizionin ku punon, por siç shprehet dhe vetë ajo:  “Më shumë se këdo tjetër, në vend të atij personazhi shikoja veten time”.

Anxhela bëri një sakrificë pak më të madhe, pasi flokët e saj nuk ishin shumë të gjata që t`i ngelnin dhe për vete:

“Megjithëse flokët e mija nuk kishin gjatësinë e duhur për t`u prerë e për të më mbetur një gjatësi e konsiderueshme për vete, nuk u mendova dy here, u thash gocave të organizatës: “merrni aq sa duhen”. Në momentin që dëgjova zhurmën e gërshërëve mbi flokët e mia u përfshiva në emocione të pashpjegueshme, pozitive dhe shumë të veçanta. Flokët e mia ngelën shumë të shkurtra, ndoshta dhe nuk ngjaja aspak bukur, por të gjithë më thonin të kundërtën, sot e kuptoj, se më shumë më ka zbukuruar gjesti se modeli i ri i flokëve.”

Anxhela Myftiu, ka pasur gjithmonë flokë të gjatë, por shumë të gjata dhe ishin pika e dobët e studentes së Inxhinierisë e cila është menaxhere në “Defacto Retail”. Edhe pse kishte që e vogël më flokë të gjata, bukuria e saj identifikohej prej flokëve, për Anxhelën që e kishte marrë si vendim, rëndësi kishte momenti final: dhurimi i tyre.

“Qëllimi im ishte të gjeja vendin e duhur dhe për kauzën e duhur. Europa Donna Albania ishte pikërisht ajo që doja, ne vajzat dhe gratë, të bashkuara dhe pranë njëra-tjetrës në momente të vështira. Kështu që dhurova flokët e mi duke falur një buzëqeshje e duke marrë një ndjenjë të mirë në shpirt.”

Anxhela, kur ka dhuruar flokët ka përjetuar shumë emocione, aq sa është përlotur dhe ky ka qenë një nga momentet kulminante të aktivitetit të dhurimit të flokëve në tetor gjatë “Muajit Rozë”.

Flokët e dhuruara e do të përdorën nga gra që i kanë humbur për shkak të trajtimit që bëjnë dhe në eksperiencën e shumë vajzave që kanë dhënë nga vetja për këtë kauzë, dhurimi i flokëve është një dhuratë më personale se sa dhurimi i një çeku. Ju dërgoni një pjesë të vetes për një vajzë të re apo një grua që po lufton me këtë sëmundje.

Klikoni linkun e mëposhtëm për të lexuar artikujt e botimit numër 6 të revistës së “Europa Donna Albania”:

Botimi numër 6 i revistës Europa Donna Albania

Realizoi fotot e kopertinës dhe aktivitetit “Dhuro flokë, fal shpresë”: Blerta Celibashi