Diagnoza “Triple Negative”

Diagnoza “Triple Negative”

Nga Besmira Malaj
Mjeke Onkologe, Spitali Rajonal Korçe
Edhe pse përbëjnë më pak se 20% të të gjithë tumoreve të gjirit, kanceri i gjirit triple- negativ është përgjegjës për një numër jo proporcional të rasteve dhe vdekjeve midis grave të reja. Statistika të tilla bëjnë shumë gra që diagnostikohen me këtë sëmundje të ndjehen pashpresë. Megjithatë, studimet në dekadën e fundit kanë demonstruar se pacientët me sëmundje triple-negativ kanë një reagim thellësisht më të mirë ndaj kimioterapisë konvencionale se sa gratë me lloje të tjera të kancerit të gjirit. Shumë shpesh këto të dhëna anashkalohen ose keqkuptohen nga pacientët. Prandaj, informacioni dhe edukimi i pacientëve janë shumë të rëndësishëm.

Kanceri “triple-negativ” i gjirit (TNBC) është një term që historikisht është përdorur për kancer-et që kanë shprehje të ulët, më pak se 1%, të receptorit të estrogjenit (ER), receptorit progesteron (PR) dhe faktorit të rritjes epidermale të njeriut 2 (HER2), ose mungesën e shprehjes së këtyre receptorëve. Kanceri i gjirit triple-negativ ka tendencën të jetë më agresiv krahasuar me tipet e tjera të kancerit të gjirit. Ai përbën rreth 20% të kancerit të gjirit duke numëruar rreth 200`000 raste të reja në vit në të gjithë botën. TNBC është diagnostikuar më shpesh në gratë më të reja se 40 vjeç në krahasim me kancerin e gjirit hormon-pozitiv.
Disa nga faktorët e riskut që lidhen me diagnozën e TNBC janë:
• Prania e mutacionit BRCA, veçanërisht BRCA1.
• Raca – Haset më shpesh në popullatën e grave Afro- Amerikane.
• Statusi menopauzant – Ka incidencë më të lartë në femrat premenopauzante.
• Faktorë që lidhen me mëmësinë – Kryerja e më shumë se 3 lindjeve, mosha e re në shtatzëninë e parë, mosushqyerja e fëmijëve me gji.
• Obeziteti


Studimet kanë treguar se kanceri i gjirit triple- negativ paraqitet klinikisht me rritje më të shpejtë. Karakteristikat histopatologjike të këtij kanceri janë grada e lartë e diferencimit dhe mbizotëron tipi histologjik i karcinomës duktale invazive. Diagnostikimi dhe stadifikimi i TNBC është i njëjtë si nën-tipet e tjera të kancerit të gjirit.
Parimet për menaxhimin kirurgjikal dhe opsionet e radioterapisë për kancerin e gjirit aplikohen në mënyrë të ngjashme në të gjithë nën-tipet e tij. Përveç kësaj, opsionet e trajtimit sistemik si neoadjuvant ose adjuvant për pacientët me TNBC janë të ngjashme me ato të përdorura në nën tipet e tjerë të kancerit të gjirit.
Kimioterapia adjuvante rekomandohet për gratë me TNBC ≥0.5 cm ose me limfonoduj metastatik, pavarësisht nga madhësia e tumorit. Pacientët me TNBC kanë përfitim më të madh ndaj kimioterapisë adjuvante krahasuar me ata hormon- pozitiv. Këta pacientë kanë risk më të lartë të relapsit në krahasim me tipet e tjera të kancerit të gjirit dhe nuk janë kandidatë për forma të tjera të terapisë adjuvante, si terapia endokrine apo target terapia. Megjithëse nuk ekziston një regjim standart i kimioterapisë që vlen në mënyrë specifike për gratë me TNBC, regjimet e kimioterapisë të bazuara në antraciklina, alkaline dhe taksane mbeten më shpesh të përdorurat, veçanërisht pasi taksanet kanë aktivitet të rëndësishëm në trajtimin e TNBC.
Për gratë me TNBC, kimioterapia neoadjuvante është alternativë e arsyeshme krahas kimioterapisë adjuvante (postoperative). Kjo është mënyra e preferuar e trajtimit në pacientët me kancer gjiri lokalisht të avancuar, të cilët nuk konsiderohen të operueshëm ose që nuk janë kandidatë për ruajtjen e gjirit në momentin e diagnostikimit. Për këta pacientë, përgjigja e plotë patologjike lidhet me përmirësimin e mbijetesës së lirë nga sëmundja (DFS). Në pacientët me sëmundje reziduale pas kimioterapisë neoadjuvante, një studim i randomizuar i fazës III zbuloi se DFS dhe mbijetesa e përgjithshme rritet nga terapia adjuvante me Capecitabine në këta pacientë me risk të lartë.


Pacientët me TNBC kanë prognozë më të keqe krahasuar me pacientët me nën tipe të tjera të kancerit të gjirit. Ata kanë mbijetesë specifike të kancerit të gjirit dhe mbijetesë të përgjithshme më të ulët, por gjithashtu edhe risku i rekurencës së vonshme është i ulët.
Nuk ka udhëzime specifike të ndjekjes pas trajtimit për pacientët me TNBC. Sipas Shoqërisë Amerikane të Onkologjisë Klinike (ASCO) pacientët me kancer gjiri duhet t’i nënshtrohen një rutine të ngjashme të ndjekjes pas trajtimit, pavarësisht nga nëntipi I kancerit të gjirit. Kjo duhet të përfshijë anamnezën dhe ekzaminimin fizik të plotë çdo tre muaj për tre vitet e para, pastaj çdo 6 deri në 12 muaj.
Rreziku i metastazimit në distancë dhe vdekjes nga TNBC mbizotëron rreth tre vjet pas diagnozës dhe zvogëlohet shpejt pas kësaj. TNBC karakterizohet nga përqindje më e lartë metastazimi krahasuar me kancerin e gjirit hormon- pozitiv, duke përfshirë një risk të lartë të përsëritjes lokoregjionale dhe metastazave në mushkëri dhe në tru, por ka më pak gjasa të metastazojë në kockë. Kimioterapia është trajtimi kryesor për TNBC. Megjithatë, studimet kanë treguar se TNBC është më imunogjenik krahasuar me nën tipet e tjera të kancerit të gjirit. Kështu, ai përgjigjet më mirë ndaj trajtimit me imunoterapi. Në pacientët metastaik, shtimi i antitrupit PD-L1(Atezolizumab) në terapinë me taksane ka treguar përmirësim të përgjigjes ndaj trajtimit, veçanërisht në tumoret PD-L1 pozitiv. Megjithatë, testimi i PD-L1 nuk është as rutinë, as istandartizuar në kancerin e gjirit, dhe të dhëna të mëtejshme janë të nevojshme përpara se kjo të bëhet një qasje standarde.

Kështu, kancer gjiri triple-negative është informacion, nuk do të thotë as mirë as keq. Për shembull, nëse një paciente me sëmundje triple-negativ është përgjigjur ndaj trajtimit, ajo ka përfunduar me trajtimin. Në të kundërt, një pacient me kancer gjiri hormon-pozitiv potencialisht duhet të marrë terapinë hormonale për të paktën 5 vjet dhe kohët e fundit janë bërë studime për vazhdimin e trajtimit deri në 10 dhe 15 vjet për shkak të rrezikut për rekurencat e mëvonshme. Pra, ekzistojnë përfitime të fshehura për pacientët me TNBC.
Kanceri i gjirit triple-negativ është me të vërtetë një sëmundje që mund t’a trajtojmë dhe mendoj se po e trajtojmë atë gjithnjë e më shumë në mënyrë efektive.

Botimi numër 6 i revistës Europa Donna Albania