“Dhuro flokë! Fal Shpresë” bën bashkë tre futbollistët e Kombëtares shqiptare

“Dhuro flokë! Fal Shpresë” bën bashkë tre futbollistët e Kombëtares shqiptare

“Dhuro flokë! Fal Shpresë”, fushata që ka nisur në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, ka mbledhur bashkë njerëz të ndryshëm nga bota e ekranit dhe fusha e futbollit. Organizata “Europa Donna Albania” ka nisur një fushatë në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Kjo fushatë ka të bëjë me dhurimin e flokëve për pacientët me kancer.

Me 15 tetor u zhvillua dhe aktiviteti, ku u mblodhën njerëz të ndryshëm për një kauzë të përbashkët. Aktiviteti u zhvillua në parkun “Rinia”, ku artistë dhe personazhe të njohur të ekranit dhanë mesazhe sensibilizuese, si dhe shumë vajza dhuruan flokët. Kjo fushatë ka përfshirë edhe futbollistët.

Elseid Hysaj, lojtari më i paguar i kuqezinjve, është bërë pjesë e fushatës duke shpërndarë në fanpage-in e tij eventin “Dhuro Flokë! Fal Shpresë”, duke i ftuar të gjithë të bëhen pjesë e kësaj fushate.

 

Mesfushori Andi Lila gjithashtu u ka kërkuar ndjekësve të tij të mbështesin kauzën e organizuar nga “Europa Donna Albania”.

 

Dhe sulmuesi i Kombëtares shqiptare, si dhe një ndër lojtarët i cili i dhuroi një gol kombëtares tonë në Kampionatin Evropian, Armando Sadiku, ka ftuar të gjithë të ofrojnë mbështetje dhe sensibilizim duke treguar një ndjeshmëri për qenien e femrës. Duke e quajtur atë “të jashtëzakonshme”.

Tre ndër lojtarët më të rëndësishëm të Kombëtares Shqiptare kanë treguar kështu se janë ndjeshëm dhe mbështetës të kauzave të tilla gjithëpërfshirëse.

Fushata vazhdon deri në fund të muajit tetor.