“Dhuro flokë, fal shpresë”. Gratë dhe vajzat presin flokët, i dhurojnë për të sëmurët me kancer

“Dhuro flokë, fal shpresë”. Gratë dhe vajzat presin flokët, i dhurojnë për të sëmurët me kancer

 

Të dhurosh flokë, të falësh mirësi nga vetja jote, trupi dhe shpirti yt. E ku ka mesazh më të bukur dhe human për vajzat që vuajnë nga kanceri i gjirit. Në kuadër të muajit sensibilizues kundra kancerit të gjirit, “Europa Donna Albania” sot zhvilloi aktivitetin e saj të parë “Dhuro flokë! Fal Shpresë”. Një aktivitet për të cilin ka disa ditë që po flitet në media dhe në rrjete sociale.

Europa Donna Albania është organizatë që ka në fokus pacientët me kancer gjiri dhe është bijë e organizatës ombrellë “Europa Donna”, e përbërë nga organizata anëtare në të gjithë Evropën. Vajza, gra dhe bashkëshortë ishin të pranishëm në aktivitet, për të përkrahur kauzën që Europa Donna Albania ka nisur prej disa ditësh në kuadër të kancerit të gjirit.Në këtë aktivitet ishin edhe personalitete të njohur të ekranit, dhe jo vetëm: Lajla Pernaska, Fiori Dardha, Irma Libohova, Jona Dervishi, të cilat përcollën mesazhet e tyre sensibilizuese.

Gazetarja e njohur Fiori Dardha ishte aty bashkë me mamanë e saj, e cila ka vuajtur nga kanceri i gjirit. Fiori nuk u përmbajt dot dhe u emocionua ndërkohë që po fliste për mamanë e saj.

“I vetmi mesazh që ju jap është që të bëni kontrolle të herëpashershme. Shpesh ne neglizhojmë duke thënë se nuk kemi asgjë. Edhe mami im gëzonte shëndet të plotë në momentin që kreu kontrollin rutinë dhe konstatoi sëmundjen. Punonte, madje punonte edhe më shumë se ç`duhej për moshën që ka. Ajo ka vuajtur më shumë për ne sesa për sëmundjen që mbarte. Ndaj unë ju bëj thirrje të kryeni kontrolle të herëpashershme, është thjesht një eko gjiri, ju merr vetëm 10 minuta. Unë jam shumë e lumtur që jam sot këtu, që kam mamin tim pranë, që më duket si një ëndërr dhe e kemi kaluar të gjithë këtë. Zakonisht mua nuk më mungojnë kurrë fjalët, por e shoh që po përcillem dhe po përtypem, sepse qenka shumë e vështirë të flasësh për një sëmundje të tillë, aq më tepër kur e ke provuar në familjen tënde”, ka përfunduar Fjori e përlotur.

Oltiana Petri dhe Diana Myrto ishin dy pacientet të cilat vendosën për të rrëfyer historinë e tyre. Oltiana, një grua e guximshme, e cila i është dashur të luftojë me kancerin e gjirit, rrëfen se për të ka qenë shumë e vështirë në fillim, por tani është në gjendje shumë të mirë dhe po e gëzon jetën në çdo qelizë të saj. Ndërsa Diana po e lufton për herë të dytë këtë sëmundje të tmerrshme. Një fakt i tillë nuk e ka penguar që ajo ta gëzojë jetën në çdo moment dhe të luftojë fort për të. Historia e këtyre dy grave na bën të besojmë fort thënien se “nëse lufton, gjithmonë fiton”.

Shumë vajza erdhën enkas në aktivitet për të dhuruar flokët për të sëmurët me kancer. Këto flokë më pas do përpunohen në paruke të personalizuara dhe do të dhurohen për personat që kanë humbur flokët për shkak të mjekimeve.  Drejtoresha e Europa Donna Albania, Donjeta Zeqa tha se gjithë kjo fushatë ka nisur nga dëshira e saj personale për të dhuruar flokët për pacientët me kancer, duke qenë se ajo ka kaluar një eksperiencë personale me mamanë e saj.

“Unë e njoh shumë mirë këtë sëmundje, e di shumë mirë se cilat janë pasojat që sjell, stresin, vuajtjen dhe forcën që duhet për ta përballur. Mamaja ime i ka kaluar të gjitha etapat e kësaj sëmundjeje dhe prandaj unë jam këtu sot, duke mbrojtur të drejtat e këtyre grave duke u mobilizuar në mbështetjen e tyre. Kjo fushatë do të thotë shumë për mua, duke qenë se kam kohë që dëshiroj të dhuroj flokët, jam shumë e lumtur që po e bëj në momentin e duhur dhe e rrethuar nga të gjithë ju”. Donjeta ishte e para që vendosi të dhuronte flokët.

Ky koalicion organizatash punon për të rritur ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit dhe për të mobilizuar mbështetjen e grave evropiane, për të ushtruar më shumë presion për përmirësimin e edukimit lidhur me kancerin e gjirit. Europa Donna Albania përfaqëson interesat e grave shqiptare, lidhur me parandalimin dhe mbrojtjen nga kanceri i gjirit, përballë institucioneve shëndetësore dhe autoriteteve publike, të cilat e kanë për detyrë ta realizojnë këtë.

Disa nga vajzat që dhuruan flokët:

Donjeta Zeqa, Drejtoreshë Ekzekutive e organizatës “Europa Donna Albania”

Suela Tuci nga Iceberg Communication.

Enada Bytyçi

Rudina Kopo

Anxhela Devole, gazetare

Alba Suparaku

Xhoana Hoxhallari

Fize Smailaj

Alba Ndoja

…si dhe shumë vajza të tjera, që mund t’i shihni në foto.