“Ju keni në dorë shëndetin tuaj”, Europa Donna Albania takim me vajzat dhe gratë e Kishës Biblike Baptiste

“Ju keni në dorë shëndetin tuaj”, Europa Donna Albania takim me vajzat dhe gratë e Kishës Biblike Baptiste

 

Të premten pasdite, Europa Donna Albania zhvilloi një takim informues në ambientet e Kishës Biblike Baptiste në Tiranë.   Vajzat dhe gratë e kësaj kishe kishin organizuar një takim të rrumbullakët dhe tepër familjar për të pritur tre nga përfaqësuesit e Europa Donna Albania dhe për tu informuar mbi rrezikun e kancerit të gjirit.

Takimi u zhvillua në orën 18:00 dhe nisi me prezantimin e Diana Myrtos, ish kryetare e Europa Donna Albania, e cila është përballur me këtë sëmundje dy herë. Diana iu drejtua vajzave dhe grave të pranishme në mënyrë të drejtpërdrejtë duke u kërkuar atyre mos ta lënë veten pas dore.

“Bëni kontrolle të vazhdueshme dhe bëjini ato në disa mjekë të ndryshëm. Mos e lini vetën të shkoni në gjendjen që shkova unë”, u shpreh Diana.

Diana është nga ato gratë  e forta e cila ka një arsye madhore për të luftuar: familjen e saj. Prandaj ajo është një shembull për të gjitha gratë që përballen me këtë sëmundje.

Më pas, drejtuesja aktuale e organizatës, Donjeta Zeqa, bëri një prezantim për Europa Donna Albania, interesat që përfaqëson si dhe bëri thirrje grave që të mos e lënë vetën pas dore.

“Është shumë e rëndësishme që ju të jeni vigjilente për shëndetin e gjirit tuaj. Nëse bëni vizita të vazhdueshme dhe kujdesni në mënyrë intensive mund të shmangni vuajtjet dhe pasojat që mund të sjell një neglizhence dhe pakujdesi e juaja. Mamaja ime ka kaluar çdo etapë të kësaj sëmundjeje dhe sot është mirë falë Zotit. Por ju mund t`i shmangni ato që kanë kaluar mami im, Diana, Olta e shumë gra të tjera jashtë këtyre dyerve”, theksoi Donjeta.

Ndërkohë, Oltiana Petri e cila është ish paciente bëri një prezantim të sëmundjes në termat mjekësor, duke iu përshtatur dhe profesionit të saj. Olta u tregoi grave dhe vajzave aty se sa i rëndësishme është optimizmi për të mposhtur sëmundjen dhe theksoi me të madhe së nuk duhen lënë pas dore vizitat.

“Ju mund të bëheni mjek të vetës tuaj. Unë e kam dalluar masën në gjirin tim duke u vetë-ekzaminuar. Kjo nuk iu kushton asgjë, mund ta bëni një herë në muaj tek vetja juaj. Gjithashtu e ritheksoj atë që tha Diana më parë: Bëni vizita të shpeshta dhe nëse është nevoja në më shumë se një mjek,” u shpreh Olta. Në përfundim, Olta shfaqi dhe një video ku tregohej se si gratë mund të kryenin vetë-ekzaminimin.

Në përfundim të prezantimeve dhe pyetjeve që u diskutuan në një ambient të këndshëm dhe shumë të ngrohtë, vajzat e Kishës kishin organizuar dhe koktej.