Europa Donna Albania në takimin e parë të Organizatave Ballkanike të Kancerit të Gjirit

Europa Donna Albania në takimin e parë të Organizatave Ballkanike të Kancerit të Gjirit

Organizatat që mbrojnë dhe përfaqësojnë interesin e pacientëve me kancer gjiri kanë zhvilluar një takim në Lubjanë të Sllovenisë në datat 25 dhe 26 gusht. Ky ishte takimi i parë mes organizatave ballkanike që i hap rrugën bashkëpunimeve të tjera, i cili kishte si qëllim angazhimin e organizatave dhe shkëmbimin e përvojave e praktikave më të mira në fusha të ndryshme të veprimtarisë së shoqatave, për të rritur ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit.

Europa Donna Sllovene, shoqatë për luftën kundër kancerit të gjirit, ftoi  për një vizitë pune përfaqësues të shoqatave të pacientëve me kancer gjiri nga Ballkani në nivel evropian, që lidh Federatën Evropiane Europa Donna. Në këtë takim morën pjesë Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Kroacia dhe Sllovenia. Takimi nisi me prezantimin  e organizatave, çështjet aktuale me të cilat përballen në vendin e tyre dhe rishikimin e projekteve të suksesshme dhe shkëmbimin e ideve, ku Shqipëria përfaqësohej nga shoqata Europa Donna Albania.

EDA gjatë prezantimit të saj tregoi për shifrat alarmante që po rriten në mënyrë drastike të pacientëve me kancer. Si dhe evidentoi problemet që ka Shqipëria në Shërbimin Onkologjik, duke theksuar problemin kryesor që është dhe vazhdon të mbetet  mungesa e medikamenteve, që sjell pengesa dhe zvarritje në mjekimin e të sëmurëve sipas protokolleve të përcaktuara mjekësore.