October 24, 2018 Europa Donna Albania: Nevojë urgjente për rritjen e buxhetit për trajtimin e kancerit
Nevoja për krijimin e kësaj shoqate lindi nga numri i madh i grave të prekura nga kjo sëmundje, me qëllimin e mbrojtjes së të drejtave të tyre. Tre vitet e fundit, “Europa Donna Albania” ka qenë inaktive dhe ka rifilluar aktivitetin e saj në vitin 2016 pas reformimit dhe riformatimit gjyqësor.
Në Shqipëri kanceri përbën një problem në rritje. Ndërkohë që rritet numri i viktimave nga kanceri, sistemi shëndetësor ndeshet me nevojën për të siguruar barnat e efektshme dhe pajisje të teknologjisë së fundit.
Sipas të të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, kanceri është shkaku kryesor i vdekshmërisë në vend pas sëmundjeve kardiovaskulare. Raportohen 4000-4500 raste të reja të kancerit çdo vit. Të dhënat e disponueshme të kancerit bazohen pjesërisht në regjistrin e Qendrës Onkologjike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, dhe pjesërisht nga regjistrat e spitaleve të rretheve dhe shërbimeve të patologjisë. Përqindja e regjistruar e kancerit në Shqipëri (rreth 1000 raste të reja për 100.000 banorë) është e ulët krahasuar me atë të vendeve të tjera Evropiane, gjë që mund të jetë për shkak të regjistrimit jo të plotë dhe/ose përqindjes së lartë të të rinjve në Shqipëri. Përafërsisht, 73% e Shqiptarëve ose gati tre të katërtat e popullsisë janë më pak se 45 vjeç dhe mosha mesatare eshte 31 vjeç – më e ulëta në Evropë. Por, në vitet e ardhshme, me plakjen e popullsisë, pritet një rritje e konsiderueshme e numrit të kancereve në vendin tonë. Kanceri tashmë është një problem serioz në vend, përgjegjës për 17% të të gjitha vdekjeve, duke u bërë kështu një barrë në rritje për sistemin e kujdesit shëndetësor (SKSH) në vendin tonë.
Problemi kryesor vazhdon të jetë:
Mungesa e medikamenteve. (“E drejta për akses”, Pika 2 e Kartës së të Drejtave të Pacientëve). Ndërkohë që numri i të prekurve me kancer gjiri shtohet edhe nevoja për ilaçe është më e madhe, pra nevoja për shtimin e buxhetit është urgjente.
Trajtimi i një të sëmuri me kancer ka disa faza dhe është shumë e rëndësishme që të bëhet i plotë dhe në kohë. (“E drejta për respektimin e kohës së pacientëve”, Pika 7 e Kartës së të Të Drejtave të Pacientëve)
Mungesa e medikamenteve herë pas herë në Onkologjik, bën që pacientët të mos e bëjnë kurën e plotë dhe kjo reflektohet në komplikacione të mëtejshme. Ilaçet janë shumë të shtrenjta dhe pacientët nuk mund t`i sigurojnë (“E drejta për akses”, Pika 2 e Kartës së të Drejtave të pacientëve).