Europa Donna Albania reagon për shkurtimin e shtretërve në Spitalin Onkologjik

Europa Donna Albania reagon për shkurtimin e shtretërve në Spitalin Onkologjik

Organizata Europa Donna Albania, e cila ka në fokus pacientët me kancer dhe ka si qëllim përfaqësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre, nuk është dakord  me urdhrin e  Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë,  për shkurtimin e shtretërve në Shërbimin e Onkologjisë.

Shërbimi i Onkologjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, është përballur me një urdhër arbitrar për shkurtimin e shtretërve. Me urdhrin, Nr. 227, datë 09.08.2016, Drejtoria e QSUT-së ka urdhëruar të shkurtohen shtretërit  e këtij shërbimi duke e reduktuar në  64 numrin total të  tyre.

Megjithëse ka hyrë menjëherë në fuqi, ky urdhër nuk është bërë ende publik. Vendimi për shkurtimin e shtretërve është marrë pa u konsultuar me grupet e interesit dhe pa praninë e  shefit të Shërbimit, Onkologjik, prof. as. dr. Agim Sollaku. Burime brenda QSUT-së bëjnë me dije se mjekët e shërbimit të Onkologjikut kanë hyrë në konflikt me drejtuesit e QSUT-së, pasi kanë kundërshtuar zbatimin e këtij vendimi.

Ndërkohë që numri i të sëmurëve me kancer po rritet në mënyrë drastike, duke arritur shifra alarmante, onkologjiku përballet me këtë vendim të cilin as nuk e kanë konsultuar me grupet e interesit. Rezulton se që nga viti 2014 në vitin 2015 ka një rritje të të sëmurëve me kancer, nga 3286 në 5158, duke dëshmuar  kështu nevojën urgjente për shtimin e buxhetit për këtë kategori.

Brenda Shërbimit Onkologjik, këta të sëmurë përballen me të tjera probleme, ku më kryesori  vazhdon të mbetet  mungesa e medikamenteve që sjell pengesa dhe zvarritje në mjekimin e të sëmurëve sipas protokolleve  të përcaktuara mjekësore.

Europa Donna Albania bën me dije se nuk do e tolerojë mosrespektimin e të drejtave shëndetësore të  pacientëve me kancer. Ajo do e ngrejë zërin fort dhe do e përcjellë shqetësimin e tyre në institucionet përgjegjëse dhe në media.

Përfaqësues të kësaj organizate i bëjnë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Drejtorisë së QSUT-së të rishikojnë vendimin për shkurtimin e shtretërve dhe  të mos marrin vendime pa u konsultuar më parë me grupet e interesit dhe pa marrë në konsideratë opinionet e vetë pacientëve.