Formacionet cistike të gjirit. Si shfaqen dhe a janë të rrezikshme për shëndetin dhe jetën e gruas ?

Formacionet cistike të gjirit. Si shfaqen dhe a janë të rrezikshme për shëndetin dhe jetën e gruas ?

 

Me termin “cist”, që do të thotë  “qeskë”, emërtohen të gjitha formacionet e ndryshme që shfaqen në formë qeskash ose ballonash të mbyllura dhe janë të mbushura me përmbajtje të lëngshme ose gjysëm të lëngshme. Cistat mund të zhvillohen kudo në organizmin e njeriut, por më shpesh takohen në gjirin e grave i cili është një nga vendet më të  preferuara të zhvillimit të tyre.

Diagnostikimi i saktë i cistave dhe dallimi nga gjendjet e tjera patologjike të këtij organi, përfshirë dhe kancerin, ka një rëndësi të veçantë në praktikën e përditshme onkologjike. Në këtë paraqitje të shkurtër do të flitet vetëm për cistat e zakonshme, të cilat zhvillohen, në mënyrë të “pavarur” dhe nuk janë të lidhura me ndonjë gjendje tjetër fiziologjike apo patologjike të gjirit.

Si janë ndërtuar dhe cilat janë dallimet kryesore  ndërmjet cistave të llojeve të ndryshme.

Krahas tipareve të përbashkëta për të gjitha cistat e gjirit, ka edhe disa veçori dalluese në bazë të të cilave, cistat e gjirit ndahen ose klasifikohen në disa nëngrupe më të vogla.Ndër veçoritë kryesore mund të  përmendim:

► Përmasat:

Përmasat e cistave, në shumicën e rasteve,  luhaten nga 2-3 mm deri në një cm e më shumë.  Në raste të veçanta madhësia e tyre mund të arrijë në disa cm.

 

► Numri dhe vendndodhja e cistave
Cistat  mund të jenë të pranishme vetëm në gjirin e njerës anë dhe quhen cista unilaterale (të njëanshme) osë në të dy gjinjtë  dhe quhen cista bilaterale (të dyanshme). Po kështu, cistat mund të jenë të vetme, por, jo rrallë, në të njëjtin gji mund të takohen 2, 3 ose më shumë ciste, dhe në këtë rast flitet për ciste multiple (të shumta).

Duhet të kemi parasysh se as numri dhe as madhësia e cistave nuk është tregues i rrezikshmërisë së tyre.

► Struktura e brendshme
Në shumicën e rasteve cistat përbëhen nga një dhomëz (hapësirë) e vetme dhe quhen cista “unilokulare” që do të thotë një-dhomëshe.  Në raste të tjera , hapësira e brendshme e cistës  mund të jetë e ndarë nga perde indore fibroze në dy ose më shumë hapësira të veçanta që nuk komunikojnë me njëra tjetrën. Këto lloj cistash quhen cista shumë-dhomëshe ose “ multilokulare

►  Përmbajtja
Në varësi të përmbajtjes së tyre cistat ndahen në dy grupe :

  • Cistat e thjeshta. Të gjitha cistat që kanë përmbajtje të

lëngshme dhe rrethohen nga murre të holla , të rregullta, uniforme.

  • Cistat komplekse. Cistat komplekse që përmbajnë brenda tyre jo vetëm lëng, por dhe material indor  të mishtë që mbush pjesërisht hapësirën e cistës.

Dallimi midis tyre është së shpesh ata ndryshojnë ndërmjet tyre si përsa i përket ecurisë klinike ashtu  dhe trajtimit të tyre.

Pse formohen cistat e gjirit?
Shkaku i saktë formimit të cistave nuk është shumë i qartë dhe, me sa duket, në formimin e tyre  mund të ndikojë më shumë se një faktor i vetëm.

Disa nga faktorët kryesorë të akuzuar si shkaktarë të mundshëm tw cistave janë:

■   bllokimi i rrugëve natyrore të qarkullimit normal të lëngjeve indore si rrjedhojë e proceseve imflamatore, shtypjes mekanike nga masat tumorale (beninje ose malinje), defektet e zhvillimit embrional etj.

■   luhatjet e balancës hormonale që shoqërojnë organizmin e gruas veçanërisht

gjatë periudhës përpara menopauzës.

■   ndryshimet regresive indore të gjirit  si rrjedhojë e kalimit të moshës.

Me çfarë shenjash klinike shoqërohen cistat e gjirit dhe si bëhet diagnostikimi i tyre

Në një shumicë rastesh cistat zbulohen nga vetë gruaja ose gjatë kontrolleve mjekësore rutinore.  Gjate prekjes, cistat normalisht ndjehen si formacione me kufi të rregullt, të lëmuar, me formë të rrumbullakët ose ovale dhe në përgjithësi kanë konsistencë (fortësi) elastike, të ngjashme me kokrrat e rrushit.

Jo rrallë, cistet mund të jenë janë mjaft të forta dhe të japin përshtypjen e një nodusi të mishtë.  Zakonisht cistat nuk shoqërohen me dhimbje apo shqetësime të tjera dhe ky është një nga faktorët që mund të pengojë në zbulimin e tyre më të hershëm.  Kur cistat ndodhen në thellësi të indit të gjirit, kanë akoma përmasa të vogla dhe janë të padhimbshme, zbulimi i tyre me anë të prekjes është i vështirë dhe, zakonisht, në këto raste, ata zbulohen me anë të ekzaminimit mamografik.

Por jo rrallë, ky ekzaminim, nuk arrin të dallojë në mënyrë të qartë nëse  në brendësi të cistës, përveç lëngut të zakonshëm, ka dhe përmbajtje solide , domethënë masë indore të mishtë. Në këto raste, një ndihmë të çmuar jep ekzaminimi ekografik. Me anë të ekografisë dallimi ndërmjet një ciste të thjeshtë një ciste komplekse , është shumë më i kollajtë.

Një tjetër metodë diagnostike mjaft e dobishme, për të përjashtuar mundësinë e një procesi kanceroz është dhe ekzaminimi citologjik që njihet ndryshe dhe me termin biopsia aspirative. Gjatë këtij ekzaminimi, përmbajtja e cistës thithet (aspirohet) me anë të një shiringe dhe i nënshtrohet ekzaminimit mikroskopik për të parë nëse përmban qeliza atipike ose kanceroze.  Në një shumicë rastesh, pas shpimit, lëngu zbrazet me shpejtësi në shiringë dhe cista shfryhet sikur të ishte një ballon i shpuar.

Çfarë rreziku paraqesin cistat e gjirit dhe në ç’mënyrë mund të mjekohen

Duhet theksuar se në shumicën të rasteve, cistat e gjirit janë formacione beninje që nuk paraqesin asnjë rrezik për gruan dhe nuk kanë nevojë për asnjë lloj mjekimi të posaçëm. Për këtë arsye, kur cistat nuk janë të dhimbshme ose kur nuk shoqërohen me shqetësime të tjera, ata  mund të lihen siç janë dhe vetëm të kontrollohen periodikisht, nëpërmjet vet-ekzaminimit të gjirit (nga vetë gruaja) dhe vizitave mjekësore tek mjeku.  Për cistat më të mëdha ose që krijojnë shqetësime, si një trajtim fillestar rutinë, rekomandohet kryerja e një biopsie aspirative, me zbrazjen e plotë të përmbajtjes së cistës.  Lëngu i thithur  i nënshtrohet ekzaminimit mikroskopik për të analizuar përmbajtjen e tij qelizore dhe për të përjashtuar praninë e qelizave kanceroze.

Kur ekzaminimi mikroskopik nuk vë në dukje qeliza të dyshimta,  si rregull, përveç zbrazjes së thjeshtë të cistës,  nuk bëhet asnjë trajtim i mëtejshëm.

Duke qenë se lëngu, jo rrallë, mund të rimblidhet përsëri, gruaja  pas dy-tre javësh riekzaminohet dhe po qe se  cista është rimbushur me lëng mund të rizbrazet me të njëjtën procedurë.  Në qoftë se, pas dy  ose më shumë zbrazjesh, cista vazhdon të rimbushet, rekomandohet heqja kirurgjikale.

Mjekimi medikamentoz, si rregull,  nuk ka asnjë efekt në mjekimin e cistave ekzistuese të gjirit

Cistat  komplekse, që përmbajnë brenda tyre dhe material indor të mishtë, paraqesin një rrezik më të lartë të transformimit malinj dhe, për këtë arsye, kërkojnë një kujdes më të veçantë qoftë përsa i përket vlerësimit diagnostik, ashtu dhe mënyrës së trajtimit.   Si një hap i parë për trajtimin e cistave  komplekse rekomandohet  heqja e plotë kirurgjikale dhe ekzamimini mikroskopik i materialit të hequr, nga rezultati i të cilit, varet se si do të jetë trajtimi i mëtejshëm i rastit.

Duhet theksuar se mundësia e cistave malinje apo kanceroze është shumë e rrallë.  Llogaritet se mesatarisht vetëm 1 në çdo 200 raste cistash të gjirit  mund të fshehë në të vërtetë  mundësinë e një procesi të maskuar të natyrës kanceroze.