July 13, 2023 Fushata e Dhurimit të Flokëve – Njoftim Publik
Prej vitit 2016, Europa Donna Albania ka organizuar një fushatë aktive të “Dhurimit të Flokëve” ku dhjetëra vajza të reja dhe pak më të rritura por dhe djem, i janë bashkuar kësaj fushate nga të gjitha trevat shqiptare – duke lumturuar jo pak vajza dhe gra me kancer gjiri.
Pavarësisht njoftimeve tona të vazhdueshme në rrjetet sociale lidhur me fushatën e “Dhurimit të flokëve”, ndjejmë të nevojshme të bëjmë një postim specifik duke shpjeguar sërish që kjo fushatë momentalisht është pasive! Pra, është një fushatë e mbyllur. Kemi flokë mjaftueshëm gjendje që presim të kthehen në paruke dhe për këtë do na duhet ndihma juaj (mënyra se si mund të kontribuoni do të bëhet shumë shpejt publike)!
Falenderojmë çdo vajzë, djal dhe grua dhe të gjitha vajzat e vogla që vijojnë të shprehin interes për t`u bërë dhe ato pjesë e këtij sensibilizimi. Për ne, kjo është një arritje e madhe pasi nga 4 vajza që vendosën të dhurojnë flokët në vitin 2016, sot janë dhjetëfishuar dhe kjo do të thotë se mesazhi ynë është përhapur siç duhet!
Ritheksojmë se pavarësisht nevojës së madhe për paruke për këto paciente, qëllimet tona si organizatë janë:
ADVOKIM DHE LOBIM
Fushata për sigurimin e trajtimit optimal. Nëpërmjet advokimit dhe lobimit EDA ka si qëllim të plotësoje kushtet dhe nevojat që i takojnë pacienteve me kancer gjiri.
PROMOVIM
Të promovojë shpërndarjen dhe shkëmbimin e informacionit faktik dhe të përditësuar mbi kancerin e gjirit në të gjithë Shqipërinë.
SENSIBILIZIM
Të theksohet nevoja për diagnostikimin e hershëm nëpërmjet aktiviteteve e fushatave ndërgjegjësuese dhe sensibilizuese.
PËRFAQËSIM
Përmirësim i cilësisë se jetës së grave me kancer gjiri. EDA është zëri i pacientëve dhe do të çojë zërin dhe shqetësimin e tyre në institucionet përgjegjëse.
KUJDES CILËSOR
Të sigurohet kujdes dhe mbështetje cilësore gjatë dhe pas trajtimit.
MBËSHTETJE
Mbështetje dhe informacion për gratë me kancer gjiri duke ofruar dhe vënë në shërbim të gjitha mënyrat e komunikimit për të adresuar problemet e tyre.
Prandaj, ne na duhet të punojmë çdo ditë për të përmbushur edhe këto qëllime shumë të rëndësishme! Kjo nuk do të thotë se fushata nuk do të rikthehet, por momentalisht është e mbyllur. Për çdo paqartësi, mund të na shkruani dhe nëse nuk merrni përgjigje të menjëhershme, ju lutemi të na mirëkuptoni, do ju përgjigjemi sa më shpejt të jetë e mundur!
Faleminderit për mbështetjen që na jepni dhe që na ndiqni në çdo event dhe aktivitet! Mos harroni se edukimi shëndetësor fillon nga vajzat dhe djemtë e rinj, prandaj le të bashkëpunojmë për të rritur ndërgjegjësimin për shëndetin e gjirit.
Europa Donna Albania.