October 24, 2018 Mbështet shpresën, lufto për jetën
Europa Donna Albania dhe YWCA of Albania organizuan në datën 10 mars aktivitetin “Mbështet shpresën, lufto për jetën”. Përmes këtij aktiviteti u synua të rritet ndërgjegjësimi i shoqërisë për sfidat e vështira me të cilat ndeshen çdo ditë gratë që luftojnë me kancerin e gjiri, si dhe të kërkohen rrugë e mjete efikase për të ndikuar në qeveri, për rritjen e buxhetit për luftën kundër kancerit të gjirit në përgjithësi, e në mënyrë të veçantë për trajtimin e pacientëve me këtë sëmundje.
Në aktivitetin “Mbështet shpresën, lufto për jetën” ishin të pranishëm përfaqësues e diplomat të huaj në Shqipëri, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare si dhe përfaqësues të Spitalit Onkologjik. Aktiviteti nisi me interpretimin e ndjerë dhe të shkëlqyer të aktores Taulanta. Nëpërmjet vargjeve dhe interpretimit shprehu përjetimet e një gruaje me kancer gjiri. Në aktivitet u shfaq dhe një dokumentar i shkurtër rreth kancerit të gjirit, dhe rrëfimi i Brunilda Alimerkaj, e cila po lufton me kancerin për herë të dytë.
Bruna tregoi historinë e saj dhe luftën që po bën prej 9 vitesh me këtë “përbindësh” siç e quajti ajo. Historia dhe forca që tregoi Bruna për të pranishmit, i preku të gjithë.
Më pas u bë publike një Letër e Hapur, ku shtroheshin çështje shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me trajtimin mjekësor të pacientëve me kancer gjiri. Në mbyllje të veprimtarisë u ftuan të gjithë pjesëmarrësit të firmosin “Letrën e Hapur”.