Mbi shkaqet e kancerit të gjirit

Mbi shkaqet e kancerit të gjirit

Prof. Dr. Shahin Kadare
Specialist Onkolog

Shkaku apo shkaqet e kancerit të gjirit tek njeriu mbeten ende të panjohura. Megjithatë shkencëtarët kanë zbuluar një numër faktorësh, prania e të cilëve, në organizmin e njeriut apo në mjedisin ku ai jeton, shton rrezikun për të zhvilluar kancer të gjirit.

Këta faktorë quhen bashkërisht “faktorë rreziku”.

Duhet kuptuar se prania e një ose më shumë faktorësh  rreziku, tek një individ i caktuar, nuk do të thotë që ajo ose ai do të sëmuret detyrimisht nga kanceri i gjirit.

Prania e faktorëve të rrezikut do të thotë thjesht se mundësia apo “rreziku” që ky person të zhvillojë kancer gjatë jetës se tij, është më e lartë krahasuar me personat e tjerë tek të cilët faktorë të tillë mungojnë.

Ka shumë gra me një ose më shumë faktorë rreziku të cilat nuk sëmuren asnjëherë nga kanceri i gjirit, ashtu sikurse në të kundërt shumë gra të tjera diagnostikohen me kancer të gjirit edhe pse tek to nuk haset asnjë nga faktorët e njohur të rrezikut.

Faktorët e riskut të kancerit të gjirit janë të ndryshëm dhe mund të kategorizohen  në dy grupe kryesore.

Faktorë që nuk mund të ndryshohen, prania e të cilëve nuk  varet nga vullneti i njeriut siç është p.sh. mosha, gjinia, raca e njeriut etj.;

Faktorë që mund të ndryshohen. Ky grup përfshin një numër të madh agjentësh kancerogjene (që shkaktojnë kancer) të pranishëm në mjedisin që rrethon njeriun ose faktorë që lidhen me mënyrën e jetesës dhe zakonet individuale të një personi si p.sh. përdorimi i duhanit, alkoolit, dieta, numri i lindjeve etj.

Pikërisht, përpjekjet për parandalimin e kancerit të gjirit, janë përqendruar në administrimin e kujdesshëm të këtij grupi faktorësh rreziku.

  1.  Faktorët e rrezikut që nuk mund të ndryshohen.

►  Gjinia 

Thjesht të qenit grua, përbën një faktor madhor rreziku për zhvillimin e kancerit të gjirit.

Kanceri i gjirit është rreth 100 herë më i shpeshtë në gratë se tek burrat. Shkaku i një dukurie të tillë nuk lidhet me faktin se gjiri tek gratë është shumë më i bollshëm se tek burrat, por kryesisht me veprimin fiziologjik që hormonet e ndryshme, kryesisht hormonet femërore seksuale ushtrojnë në indin e gjirit.

►  Mosha

Rreziku i kancerit të gjirit rritet së bashku me moshën.  Shumica dërrmuese e rasteve të kancerit të gjirit (rreth 80%) zhvillohen në gratë që kanë kaluar moshën 50 vjeçare.

►  Anomali apo “mutacione” gjenetike të trashëguara

Shkenca mjekësore ka provuar se në shumicën dërrmuese të rasteve (rreth 85-90%), kanceri i gjirit nuk është i trashëguar, por zhvillohet si rrjedhojë e faktorëve të tjerë, të jashtëm ose të brendshëm të organizmit, që nuk janë të lidhur me faktorë gjenetikë.

Megjithatë, në një numër të kufizuar rastesh (rreth 5 deri 10%), kanceri është  i trashëgueshëm dhe shkaktohet  si rrjedhojë e përcjelljes nga prindërit tek fëmija e disa deformimeve gjenetike qe quhen “mutacione”.

Në qelizat e çdo njeriu ka disa gjene që nxisin zhvillimin e kancerit dhe quhen gjene onko-nxitëse dhe disa gjene që e frenojnë procesin kanceroz dhe quhen gjene onko-mbrojtëse  sepse kanë efekt mbrojtës ndaj kancerit.

Dy gjenet kryesore onko-mbrojtëse janë gjenet BRCA 1 dhe BRCA 2.

Kur një person lind me mutacione (dëmtime) në një apo të dy nga këto  gjene, rreziku i saj për të zhvilluar kancer është shumë herë më i lartë se ai i grave të tjera, gjenet e të cilave janë normale dhe nuk paraqesin defekte apo ndryshime gjenetike.

► Historia familjare e kancerit te gjirit

Është provuar se rreziku i zhvillimit të kancerit te gjirit është shumë më i lartë tek gratë që kanë, ose kanë pasur një familjar të afërt (nënë, motër, vëlla ose fëmijë) të prekur nga kanceri i gjirit.

Kur një grua ka vetëm një familjar të afërt me kancer të gjirit atëherë rreziku rritet deri ne 2 herë.

Kur gruaja ka 2 familjarë të afërt me kancer të gjirit atëherë rreziku rritet deri ne 4-5 herë.

Rastet familjare të kancerit të gjirit shpjegohen jo vetëm me një predispozicion gjenetik familjar ndaj sëmundjes, por edhe me faktin se anëtarët e së njëjtës familje, jo rrallë ekspozohen njësoj kundrejt të njëjtëve faktorë kancerogjene të rrezikut në mjediset ku ata jetojnë ose punojnë.

► Raca

Gratë e racës së bardhë sëmuren më shpesh nga kanceri i gjirit krahasuar me gratë e racës afro- amerikane dhe racës aziatike.

► Disa sëmundje të tjera të gjirit

Disa sëmundje të tjera të gjirit, kryesisht me natyrë hormonale, edhe pse në vetvete nuk janë kanceroze mund të krijojnë një terren të favorshëm për zhvillimin e kancerit te gjirit.

► Historiku menstrual i gruas

Gratë të cilave i kanë filluar menstruacionet në një moshë më të hershme se normalisht (përpara moshës 12 vjeçare), ose në të cilat ndërprerja e menstruacioneve ka ndodhur në një moshë më të madhe (pas moshës 55 vjeçare) kanë një rrezik disi  më të lartë se gratë e tjera. Një dukuri e tillë, me sa duket, lidhet me ekspozimin më të gjatë të këtij grupi grash ndaj efektit të hormoneve femërore estrogjenike.

Rrezatimi i mëparshëm i gjirit

Gratë që në fëmijërinë e tyre ose në mosha të reja i janë nënshtruar rrezatimit për arsye të ndryshme, si p.sh. për mjekimin e sëmundjeve të tjera tumorale ose jo tumorale, kanë një rrezik shumë më të lartë për t’u prekur nga kanceri i gjirit, veçanërisht në qoftë se rrezatimi është bërë gjatë adoleshencës pra në kohën që gjiri është akoma në procesin e zhvillimit.

► Ekspozimi ndaj trajtimit të mëparshëm me Diethylstilbestrol (DES)

Në vitet 1940-1960, për të ulur rrezikun e dështimit gjatë barrës është përdorur shpesh mjekimi me një hormon femëror të quajtur diethylstilbestrol (DES). Studime të ndryshme kanë vënë në dukje se këto gra si dhe fëmijët e lindura prej tyre kanë një rrezik disi më të lartë për  kancer të gjirit se gratë e tjera.

  1. Faktorët e rrezikut që mund të ndryshohen.

► Mos pasja fëmijë ose lindja në moshat më të vona.

Gratë që nuk kanë fëmijë ose kanë lindur fëmijën e tyre të parë pas moshës 30 vjeçare kanë një rrezik lehtësisht më të lartë të kancerit të gjirit.

Në të kundërt gratë që kanë lindur në moshë të re ose që kanë lindur shumë fëmijë kanë një rrezik më të ulët.

► Përdorimi i kontraceptivëve oralë (nga goja)

Gratë që përdorin kontraceptivë orale kanë një rrezik më të lartë krahasuar me gratë e tjera, por duhet thënë se ky rrezik është mjaft i ulët dhe ndërpritet pas ndërprerjes së përdorimit të kontraceptivëve.

Mjekimi hormonal zëvendësues pas menopauzës

Ky lloj mjekimi cili përdoret për të lehtësuar shqetësimet e grave gjatë menopauzës mund të rriti rrezikun e kancerit të gjirit kur aplikohet (merret) për një kohë të gjatë.

► Ushqyerja me gji

Sipas disa studimeve gratë që i kanë ushqyer fëmijët e tyre me ushqim artificial kanë një rrezik lehtësisht më të lartë të kancerit të gjirit se nënat e fëmijëve që i kanë ushqyer me gji.

►  Alkooli

Është provuar se përdorimi i alkoolit shoqërohet me një rrezik të shtuar të zhvillimit të kancerit të gjirit i cili rritet proporcionalisht me sasinë e alkoolit të konsumuar.

► Mbipesha ose obeziteti

Mbipesha ose obeziteti rrit rrezikun e kancerit të gjirit, veçanërisht në gratë pas menopauzës si rrjedhojë e rritjes së nivelit të hormonit estrogjenik në organizëm.

Mungesa e aktivitetit fizik

Ka të dhëna në rritje se aktiviteti fizik pakëson rrezikun e kancerit të gjirit.

Krahas faktorëve të mësipërm, ka dhe një numër faktorësh të tjerë që dyshohen se mund të ndikojnë në rritjen e rrezikut të kancerit të gjirit por, të dhënat  e deritanishme janë akoma të pamjaftueshme për të konfirmuar apo për të hedhur poshtë këto dyshime.

Duhet thënë se, jo rrallë, në shtypin e përditshëm ose në emisionet radio-televizive hasim tituj ose shkrime sensacionale që njoftojnë “zbulime të fundit” mbi rrezikshmërinë kancerogjene të faktorëve apo produkteve të ndryshme, veçanërisht atyre kozmetike ose ushqimore. Në të shumtën e rasteve këto të dhëna janë të ekzagjeruara ose të pa konfirmuara shkencërisht dhe mund të krijojnë përshtypje apo bindje të gabuara.

Është mirë që, për të siguruar një informacion sa më të besueshëm dhe të bazuar në fakte shkencore, të mënjanohen burimet informative sipërfaqësore dhe spekulative të servirura nga “gazetarë” apo “specialistë” të panjohur.

Për të siguruar një informacion të besueshëm duhet bërë kujdes për të përzgjedhur burime serioze, duke nënkuptuar informacionet  e transmetuara nga forume dhe specialistë të njohur të fushës së kancerit.