“Kanceri është bashkë-piloti im”; Claudia, aktivistja austriake rrëfen betejën me sëmundjen

“Kanceri është bashkë-piloti im”; Claudia, aktivistja austriake rrëfen betejën me sëmundjen

Claudia Altmann-Pospischek, 43-vjeçe, e diagnostikuar me kancer metastatik ,jeton në Wiener Neustadt/Vienna dhe prej kohësh është pjesë e organizatës Europa Donna Austria. Ajo është kthyer në një shembull për gratë që vuajnë nga kjo sëmundje dhe frymëzim shprese me blogun e saj të personalizuar pikërisht për këtë kategori pacientesh.

Në një intervistë për Europa Donna Albania, Claudia ka rrëfyer eksperiencën e saj nga fillimi i diagnostikimit, ku tregon se sëmundja i ka ardhur pa asnjë lloj shenje, që mund ta bënte atë të kuptonte që diçka nuk po shkon me trupin e saj.  Ajo tregon se në  moshën 38-vjeçare, është diagnostikuar me metastaza të mëlçisë dhe kockave që nga fillimi (de novo). Që do të thotë faza katër. Claudia ka bërë disa operacione, një të gjirit si dhe tre operacione të mëlçisë. Ka bërë kimioterapinë intravenoze dhe tani merr pilula chemo (Xeloda) si një trajtim afatgjatë efikas.

Ajo nuk punon, pasi është  në pension invalidor profesional, por angazhohet në teatrin e qytetit si “texter”.  Pas diagnozës, Claudia filloi një karrierë të re si aktiviste e kancerit të gjirit dhe blogere. Kjo është dhe puna që asaj i pëlqen më shumë.

Por si u ndje Claudia kur mori vesh lajmin e diagnostikimit?
Isha e shkatërruar. E gjithë bota u shemb për mua. Nuk e imagjinoja kurrë që një ditë do kisha kancer, pasi askush në familjen time nuk ka qenë i prekur më parë.  Pas një kohe me shumë ankth e pyesja veten vazhdimisht, “Pse mua?”. Por në të gjitha vitet që pasuan,  kam mësuar të pranoj sëmundjen time dhe të jetoj me të. Shpesh e përdor këtë metaforë: “Kanceri është bashkë-piloti im. Unë nuk mund  ta heq qafe atë plotësisht, por unë jam ajo që ka një dorë të fortë për ta kontrolluar”.

Më pas kimioterapia…
“Është lufta brenda trupit tuaj” – kjo përmbledh të gjitha.  Është një trajtim shumë i vështirë me disa efekte anësore – duke filluar nga lodhja e trupit e deri tek humbja e flokëve. Të mos flasim për ndikimin psikologjik.

“Kur humba flokët”
Kur dëgjoja se urgjentisht duhej  t’i nënshtrohesha kimioterapisë, pyetjet e mia të para ishin: “A do të thotë kjo se do t’i humbas flokët?” Dhe jo “A do të shërohem plotësisht?”. Pra, humbja e flokëve ishte një frikë që më kapi menjëherë. Është një shenjë e dukshme e kancerit. Unë kam qenë gjithmonë në gjendje të flas për sëmundjen time, por nuk doja që njerëzit në rrugë të më shihnin të “fiksuar”. Kështu, unë përdorja një parukë kur dilja në publik. Parukja ishte shoku  më i mirë në atë kohë. Dhe unë u përpoqa të mbuloja humbjen e flokëve edhe me grimin e duhur.

E them fjalën “kancer” pa frikë
Unë them “kancer” pa asnjë problem. Është thjesht emri i sëmundjes sime. Kur përpiqesh të thyesh tabutë, është e nevojshme t’u tregosh njerëzve se çfarë vuani. Le të flasim për kancerin – me zë të lartë, të qartë dhe sa herë të jetë e mundur. Që në fillim i thashë njerëzve se kisha kancer. Doja që të gjithë ta dinin se çfarë po ndodhte në jetën time. Rrjedhimisht, fillova me blogun tim, ku doja të informoja njerëzit për këtë formë të avancuar të sëmundjes.

Ndërkohë që Claudia vazhdon rrëfimin e saj për një rrugëtim që ka nisur prej vitesh tashmë, ajo shprehet se për të nuk ka rëndësi nëse pret një orë më shumë apo më pak në spital. Për të, më i rëndësishëm është trajtimi: “Të ulesh dhe të presësh është një kompetencë thelbësore për pacientët. Kështu është. Por gjëja e rëndësishme dhe kryesore është që të trajtohet si duhet.”

Ajo vazhdon më tej, duke treguar se cilat janë gjërat më të çmuara në jetë dhe se si ia ka dalur të bie dakord me sëmundjen e saj.

Pas gjithë këtyre viteve që jetoj me kancer të gjirit metastatik, mund të them se unë jam krejtësisht një person elastik. Thesari më i madh është një rrjet solid shoqëror – Pjetër, bashkëshorti im, familja dhe miqtë e mi. Për më tepër, gjeta një “punë” të re si një aktiviste dhe ambasadore e kancerit të gjirit – kjo punë më bën të lumtur. Dhe preferoj  të çmoj kohën kur takohem me njerëz, duke shkuar në koncerte apo duke udhëtuar në botë.

A është Claudia e frikësuar?
Mendoj se çdo pacient me kancer ka frikë nga shumë gjëra: ekzaminimi i ardhshëm, si do të vazhdojë jeta, dhimbje e rëndë, humbja e cilësisë së jetës, afati i vdekjes … dhe kështu me radhë. Dhe po, kjo është gjithashtu një frikë e imja.

Si funksionon shërbimi onkologjik në Austri, problemet me medikamentet dhe trajtimi
Kujdesi i kancerit në Austri është në përgjithësi i shkëlqyer. Unë bëra dhe ende bëj trajtimet më të mira që janë në dispozicion. Nuk ka pasur asnjëherë mungesë. Prandaj, unë jam një pacient me fat. Duke pasur kancer do të thotë që ju duhet të shpenzoni para. Duhet paguar një sasi të vogël për trajtimin në spital, kur shihni një doktor, ilaçet në farmaci e kështu me radhë. Për më tepër, duhet të paguash ndihmë psikologjike ose mjekësi komplementare. Të kesh kancer, po ashtu është patjetër një barrë financiare.

Si lindi ideja e krijimit të një blogu i dedikuar për kancerin e gjirit? Si ka ndikuar tek njerëzit dhe çfarë shkruan më shumë?
Sa herë që kisha ekzaminime shumë njerëz më kërkuan t’i mbaja  ata të përditësuar. Në një moment unë nuk isha më në gjendje të telefonoja ose t`ju shkruaja të gjithëve, pa  harruar asnjë person. Prandaj, mendova për një mënyrë për t’i informuar të gjithë në të njëjtën kohë. Pra, u krijua ideja për të bërë një blog, ku familja dhe miqtë mund të shihnin se si po shkonin gjërat. Kështu fillova blogun tim të “Claudia’s Cancer Challenge” (www.facebook.com/claudiascancerchallenge) dhe papritmas gjithnjë e më shumë njerëz po pëlqenin faqen time. Kjo ishte një përvojë mahnitëse. Postoj çdo ditë – kështu që blogu im është si një ditar i kancerit. Shkruaj për jetën time si një paciente me kancer të gjirit metastatik, shpresat dhe frikën time, jap informata për sëmundjen, promovoj ngjarjet relevante, përpiqem të rris ndërgjegjësimin, kujtoj gratë për të marrë pjesë në programet e shqyrtimit dhe shkruaj edhe për takimet, udhëtimet dhe kështu me radhë . Shkrimi është hobi im, puna ime, strategjia ime e përpunimit dhe dashuria ime e madhe.

Si është të jetosh me kancer metastatik?
Të jetosh me kancerin e gjirit metastatik është si një udhëtim në rul (roller coaster). Ka momente që ke frike, dhimbje dhe dëshpërim të tmerrshëm. Ka raste të shpresës, guximit dhe forcës. Është një sfidë fizike, si dhe një barrë psikologjike. Është një mënyrë e vështirë për të ardhur në fazën e pranimit. Kjo sëmundje do t’ju shoqërojë deri në fund.  Është shumë herët kur ju përballeni me një mesatare ku thuhet se mund të jetoni 2 deri në 4 vjet- kjo sigurisht shkatërron planet e jetës. Strategjia ime është duke bërë më të mirën që mund ta shmang progresin. Përpiqem të bëj gjëra që më mbajnë dhe të kënaqem me jetën në t gjitha kuptimet.

Por Austria i lehtëson këtyre grave…
… duke u dhënë atyre trajtimet dhe mjekësinë më të mirë në dispozicion.

Cilat janë projektet dhe planet tuaja për të ardhmen?
Mbaj njerëzit përditësuar nëpërmjet blogun tim çdo ditë. Gjithashtu, disa ditë më parë, kam krijuar një kurs “repartee for cancer patients”. Kam dhe një hapësirë ku shkruaj  për platformën e kancerit të gjirit në gazetën më të shitur gjermane. Për më tepër, ndjek rregullisht kongrese dhe ngjarje dhe shpesh herë jam dhe folëse. Përveç kësaj, jam e përfshirë me Europa Donna Austria dhe Cancer Aid Austria.

Projekti im i madh për momentin është të shkruaj librin tim të parë, i cili – surprizë, surprizë – merret me jetën time si paciente me kancer.

Unë dua të jem zëri dhe fytyra e një sëmundjeje që vështirë se ndonjëherë do të ndriçojë.