Pa i kuptuar pasojat, kërkoja shkakun; për të mposhtur sëmundjen i lashë të gjitha

Pa i kuptuar pasojat, kërkoja shkakun; për të mposhtur sëmundjen i lashë të gjitha

Elona Qira është mjeke stomatologe, 31-vjeçe dhe është diagnostikuar me kancer gjiri pak më shumë se një vit më parë. Një vajzë e re, në kulmin e arritjeve profesionale iu desh të përballej me atë që quhet dhe sëmundja e shekullit. Elona rrëfen se nuk ka pasur asnjë simptomë përveç rënies në peshë, deri sa një ‘e ngritur’ në gjoks, e bëri atë t`i nënshtrohej disa ekzaminimeve të mëtejshme.

U diagnostikova menjëherë pas ekzaminimeve rutinë e më tej pas atyre më të specializuara që përcaktuan një karcinomë duktale invazive. Ishte një ndjesi e keqe që me vështirësi më lejoi të kuptoja që do i nënshtrohesha një mastektomie. Pa i kuptuar pasojat kërkoja shkakun kudo, pa e ditur që do ishte një rrugë shumë e gjatë tashmë. Pas një kalvari idesh e formash trajtimi u vendos protokolli i trajtimit me kimioterapi si fillim për 6 muaj e pastaj ndërhyrja kirurgjikale. Kimioterapia ishte përballja e parë me tumorin. Fizikisht nuk ishte e rëndë por rëndesa psikologjike ishte e pashmangshme,”- tregon ajo.

Elona është përballur dhe me humbjen e flokëve, pas kimioterapisë, gjë që shpesh konsiderohet si një ndjesi frike edhe më e fortë se ajo e vetë sëmundjes. Që nga momenti i parë kur filluan t`i binin flokët, Lona, siç miqtë e saj e thërrasin, filloi të shmangte pasqyrën.
“Me frikësonte të shihja veten,ama asnjëherë si mbajta paruket. Ishte më mirë kështu për mua,të mësoja ta përballoja çdo gjë me çdo ndryshim që po pësoja. Për në shumë gjëra janë tabu, çuditërisht edhe sëmundjet, por duhet të ndryshojë kjo gjë dhe ndryshimi nis nga ne që jemi të prekura me tumor,”- e përshkruan Lona situatën me të cilën po përballej në momentet e para të humbjes së flokëve.

Por sa e tremb fjala “kancer” atë?
“Nuk po përballesha për herë të parë me një sëmundje dhe ndoshta kjo është dhe arsyeja pse  e përjetova me një lloj qetësie. Kuptoja çdo ditë e më shumë rëndësinë për çdo sekondë të jetës, ndaj ndihesha më e fuqishme. E kam ndarë me të gjithë njerëzit pranë meje dhe sot e ndjej që kam bërë shumë mirë .Çdo moment i kaluar me njerëzit është një buzëqeshje më shumë për mua ,një fitore tjetër, ndaj kësaj sëmundjeje. Padyshim që përballem me frikën ,por dëshira për të jetuar është më e madhe”- tregon Lona.

Për shkak të trajtimeve, Lonës i është dashur të heqë dorë nga puna, por kjo nuk e bën atë të mos dëshirojë rikthimin në profesionin e saj të çmuar duke treguar dhe solidaritet me kolegët që punojnë në Onkologjik, që i ofrojnë dhe shërbim.

“E kisha të pamundur të ndiqja punën gjatë trajtimit ashtu siç tashme nuk jam në pune. Tashmë pjesa më e rendë ka kaluar dhe rikthimi në punë është një dëshirë e madhe. Shërbimi pranë spitalit të  Onkoligjikut është i kënaqshëm. Jam ndiere e qetë dhe e sigurte. Ne kemi një staf mjekësh për tu admiruar për fluksin e madh të punës dhe vështirësitë që përballen çdo ditë. Por, padyshim që ka vend për përmirësime në gjithë sistemin,”- shprehet mjekja stomatologe.