October 24, 2018 Një lajm shumë i mirë për pacientet me kancer gjiri, ‘Herceptina’ në listen e barnave të rimbursueshme
Qeveria shqiptare ka miratuar listën e re me 36 barna të rimbursueshme. Medikamenti për kancerin e gjirit, “Herceptinë”, është përfshirë në këtë listë dhe pacientet do ta marrin edhe në spitale të tjera të vendit, për të lehtësuar procedurat. Në listë është përfshirë një formë-dozë e re e medikamentit Herceptine (subcutane), që mund të merret me shiringë, edhe në spitale të tjera të vendit. Tanimë, gratë me kancer gjiri që trajtohen me herceptinë, do të mund ta marrin atë me shiringë edhe në spitale të tjera të vendit, pa u dashur të marrin rrugën për në spitalin e QSUT-së në Tiranë. Kjo formë doze e herceptinës, shkurton edhe kohën e trajtimit për to. Nga 4 orë që duhej të qëndronte pacientja në spital, tanimë ajo merret për 20-30 minuta.
“Është një premtim i mbajtur. Nuk do të ketë më mungesa për trajtimin me Herceptinë, të grave që vuajnë nga tumori i gjirit. Me futjen e këtij bari në LBR, si dhe me kontratën e posaçme të lidhur mes MSHMS dhe prodhuesit të autorizuar, na ka lejuar që të mbulojmë trajtimin me këtë bar, për të gjitha gratë me tumor të gjirit që kanë nevojë për këtë medikament”, – ka pohuar Manastirliu.
Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë gjatë mbledhje së qeverisë që u zhvillua në qytetin e Fierit, ka qenë vetë kreu i qeverisë i cili bëri me dije miratimin e listës së barnave në këtë mbledhje, si dhe përfshirjen e Herceptinës në listën e barnave të rimbursueshme dhe zgjidhjen përfundimtare për Herceptinën, medikament për trajtimin e kancerit të gjirit.
“Lista e barnave të rimbursueshme është zgjeruar, për të mbuluar shtresat në nevojë. Janë 36 barna të reja që do të rimbursohen nga shteti, ku do të përfshihet si një zgjidhje përfundimtare edhe herceptina, medikament jetik për kancerin e gjirit, që ka një trajtim të shtrenjtë”, – tha Kryeministri.
Pacientet me kancer gjiri duhet të trajtohen me “Herceptinë”, një herë në tre javë, pa ndërprerje. Herceptina është medikament shumë i shtrenjtë. Një seancë me “Herceptinë” kushton 2000 euro. Një grua e diagnostikuar me kancer gjiri, kërkon 18 të tilla.