October 24, 2018 Europa Donna Albania ankesë për mungesën e Herceptines në Spitalin Onkologjik.
“Europa Donna Albania” është bijë e organizatës ombrellë “Europa Donna”, e cila është një organizatë jofitimprurëse, e përbërë nga organizata anëtare në të gjithë Europën. Ky koalicion organizatash punon për të rritur ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit dhe për të mobilizuar mbështetjen e grave europiane për të ushtruar më shumë presion për përmirësimin e edukimit lidhur me kancerin e gjirit, diagnostikimin dhe trajtimin e përshtatshëm dhe gjenerimin e fondeve për kërkime shkencore.
Europa Donna Albania përfaqëson interesat e grave shqiptare lidhur me parandalimin dhe trajtimin e kancerit të gjirit përballë institucioneve shëndetësore dhe autoriteteve publike të cilat e kanë për detyrë ta realizojnë këtë.
Aktualisht në Spitalin Onkologjik në QSUT trajtohen rreth 120 paciente me kancer gjiri, të cilat për shkak të mungesës së medikamentit në vazhdimësi nuk po trajtohen sipas protokollit.
Protokolli përcakton qartë se gratë e diagnostikuara me kancer gjiri të hershem ose metastatik që kanë rezultuar HER2+ , duhet të trajtohen me trastuzumab ( Herceptin) çdo 21 ditë për 18 cikle në kancerin e gjirit të hershem dhe deri në progresion të sëmundjes kur kanceri gjirit është metastatik. Administrimi me vonesë i barit, nga 1javë deri në 10 ditë sikurse po ndodh në Spitalin Onkologjik mund të ketë pasoja në ecurinë e sëmundjes e cila mund të progresoj më shpejt.
Gjithashtu në kushtet kur premtohet një sistem shëndetësor me mbulim universal është e papranueshme që ende 40 gra të jenë në listë pritje dhe mos t’ju jepet mundësia e trajtimit në kohë.
Europa Donna Albania bën me dije se nuk do e tolerojë mosrespektimin e të drejtave shëndetësore të pacientëve me kancer gjiri. Ajo do e ngrejë zërin fort dhe do e përcjellë shqetësimin e tyre në institucionet përgjegjëse dhe në media.
Ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Drejtorisë së QSUT-së të marrë masa për trajtimin e pacienteve me kancer gjiri sipas protokolleve mjekësore.