Dhimbjet e gjirit, pse shkaktohen dhe çfarë fshihet pas tyre ?

Dhimbjet e gjirit, pse shkaktohen dhe çfarë fshihet pas tyre ?

 

Dhimbjet e gjirit janë një dukuri klinike shumë e shpeshtë dhe mund të takohen në gratë e të gjitha moshave. Në raste shumë më të rralla, dhimbjet e gjirit, mund të takohen edhe tek djemtë, zakonisht gjatë moshës së pubertetit, si rrjedhojë e ndryshimeve zhvillimore të gjinjve nën efektin e hormoneve seksuale.  Ky shkrim përmbledh një informacion se çfarë përfaqësojnë dhimbjet e gjirit, nga se shkaktohen, kur shfaqen, sa të shpeshta janë dhe çfarë rreziku real paraqesin për gruan.

Cilat janë shkaqet e dhimbjeve të gjirit?
Dhimbjet e gjirit mund të lindin nga shkaqe të shumta dhe të ndryshme. Në varësi të tyre, dhimbjet e gjirit grupohen në dy kategori kryesore:
Dhimbjet e shkaktuara si rrjedhojë e ndryshimeve normale, fiziologjike, që ndodhin pa pushim në gjirin e gruas, nën ndikimin e faktorëve hormonale.
Dhimbjet e shkaktuara si rrjedhoje e gjendjeve patologjike dhe sëmundjeve të ndryshme të gjirit. Dallimi nëse një dhimbje e shfaqur në gji bën pjesë në njërin apo në tjetrin grupim është tepër i rëndësishëm si për mënyrën e trajtimit të saj ashtu dhe për fatin e mëtejshëm të gruas.

  1. Çfarë janë dhe si shpjegohen dhimbjet “fiziologjike” të gjirit?
    Gjiri është një organ në ndryshim të vazhdueshëm. Gjatë gjithë jetës, që nga vitet fëmijërisë e deri në moshën e thyer, organizmi i gruas dhe indi i gjirit, në veçanti, kalon nëpër disa etapa të njëpasnjëshme zhvillimi siç janë :
  • Puberteti kur vajzës i fillojnë menstruacionet e para
  • Periudha e pjekurisë seksuale kur organizmi i saj bëhet i aftë të kryejë normalisht të gjitha funksionet fiziologjike madhore që janë pjesë e pandarë e jetës së një gruaje të rritur siç janë, jeta aktive seksuale, shtatzënia dhe laktacioni (ushqyerja e foshnjës me gji)
  • Menopauza kur gruas gradualisht i ndërpriten mentruacionet dhe ajo humbet aftësinë riprodhuese, domethënë, aftësinë për të mbetur shtatzënë dhe për të lindur fëmijë.

Edhe pse këto cikle madhore ndryshimi, janë procese fiziologjike që ndodhin normalisht tek çdo grua nën efektin e hormoneve seksuale, zakonisht,  ato shoqërohen me një varg ndjesish, shqetësimesh,  dhe shfaqjesh klinike të ndryshme, herë më të qeta dhe herë më të shprehura. Në mozaikun heterogjen dhe të larmishëm  të shenjave dhe simptomave që shoqërojnë proceset fiziologjike, normale të zhvillimit të gjirit, një nga shfaqjet klinike  më kryesore dhe më shqetësuese janë pa dyshim, dhimbjet e gjirit. Të gjitha këto shfaqje klinike lidhen thjesht me ndryshimet hormonale normale që ndodhin në organizmin e gruas dhe nuk paraqesin asnjë rrezik serioz as për jetën dhe as për shëndetin e saj. Rëndësia kryesore e tyre qëndron në faktin se shpesh ato mund të imitojnë simptomatologjinë klinike të sëmundjeve apo patologjive reale të gjirit dhe, për këtë arsye, për diagnostikimin e saktë të tyre shpesh është i nevojshëm këshillimi dhe vizita klinike tek një mjek specialist i  sëmundjeve të gjirit .

  1. Dhimbjet e shkaktuara nga sëmundjet apo gjendjet patologjike të gjirit
    Përveç ndryshimeve të shkaktuara nën efektin e hormoneve femërore, gjiri është një organ i preferuar dhe terren mjaft i favorshëm për zhvillimin e një numri të konsiderueshëm gjendjesh patologjike, tumorale ose jo tumorale. Këto patologji shoqërohen si rregull,  me shqetësime, dhe shenja klinike  të ndryshme, ku përfshihet dhe dhimbja, të cilat shpesh, janë të njëjta apo tepër të ngjashme me ato që takohen edhe në gjendjet fiziologjike që përshkruam më sipër. Dallimi i saktë, në se shfaqja e dhimbjes apo dhe simptomave te tjera është thjesht një shprehje kalimtare e proceseve fiziologjike që po ndodhin në atë kohë në indin e gjirit apo ka si shkak një patologji më serioze, përbën një nga sfidat më të rëndësishme qoftë për mjekun e  përgjithshëm, qoftë për mjekun e specializuar në patologjinë e gjirit.

Në shumicën e rasteve, ndjenja e dhimbjes nuk është tregues i një procesi patologjik të gjirit dhe takohet zakonisht gjatë ndryshimeve fiziologjike dhe hormonale periodike që ndodhen në gji. Megjithatë, pothuaj gjithmonë, ajo krijon tek gruaja e painformuar një ndjenjë të thellë shqetësimi, frike dhe depresioni, çka bën të domosdoshme përcaktimin e saktë dhe sa më të shpejtë të shkakut të saj të vërtetë.

Sa të shpeshta janë dhimbjet gjirit. Kur dhe ku takohen më tepër
Afërsisht, rreth 70% e grave, pra, më shumë se dy në çdo tre gra, përjetojnë episode të ndryshme të dhimbjeve  të  gjirit në periudha të ndryshme  të jetës së tyre. Në përgjithësi, dhimbjet e gjirit janë më shpeshta në gratë që ndodhen  akoma në fazën menstruale të jetës së tyre ose afër fillimit të menopauzës. Në gratë që kanë hyrë në moshën  e menopauzës dhimbjet e gjirit takohen më rrallë. Dhimbjet mund  të jenë të lokalizuara vetëm në njërin gji ose mund të takohen njëkohësisht në të dy gjinjtë e gruas.

Në shumicën e rasteve, dhimbjet ndihen në pjesën e sipërme , të jashtme të gjirit dhe jo rrallë mund të përhapen në drejtim të gropës së sqetullës. Forma e shfaqjes dhe intensiteti i tyre janë të ndryshme dhe varen në radhë të parë nga shkaku apo faktori që i ka shkaktuar. Në një numër rastesh, dhimbjet mund të jenë më të lehta dhe shfaqen në formën e një ndjenje  rëndimi ose shtrëngimi të thjeshtë në zonën e gjirit. Në raste të tjera ato mund të jenë më të mprehta, në formë therje, djegie, thumbimi ose pickimi.

Si klasifikohen dhimbjet e gjirit në varësi të kohës kur shfaqen në raport me ciklin menstrual të gruas dhe përse kjo gjë është e rëndësishme për tu orientuar mbi natyrën e dhimbjes dhe shkaqet e mundshme të saj?

Në shumicën dërrmuese të rasteve, shkaqet dhe mekanizmat se si  dhimbjet e gjirit lindin, lidhen ngushtë me 3 faktorë klinikë të rëndësishëm: a) kohën apo ditët kur ato shfaqen përgjatë ciklit menstrual të gruas,  b) kohëzgjatjen e tyre dhe c) faktin nëse shfaqja e dhimbjeve është e rregullt, periodike apo e rastësishme dhe e paparashikuar. Të dhënat apo treguesit e mësipërm mund të na ndihmojnë shumë si një orientim  fillestar për të kuptuar natyrën dhe shkaqet e dhimbjes.Bazuar në këtë princip, të gjitha dhimbjet e gjirit ndahen apo klasifikohen në dy kategori kryesore: dhimbjet ciklike dhe dhimbje jo-ciklike.

Dhimbjet ciklike gjirit quhen të gjitha dhimbjet e gjirit që shfaqen rregullisht gjatë ciklit menstrual. Është e kuptueshme që dhimbjet ciklike takohen vetëm në gratë menstruante (përpara menopauzës) dhe ndajnë mes tyre disa karakteristika të përbashkëta. Si rregull dhimbjet shfaqen rregullisht në mënyrë periodike ose ciklike ashtu si dhe cikli mentrual. Në shumicën e rasteve, dhimbjet fillojnë disa ditë përpara fillimit të menstruacioneve të radhës, por, në disa raste mund të fillojnë edhe më parë. Me fillimin e menstruacioneve dhimbjet ciklike zakonisht qetësohen ose zhduken krejtësisht, për tu shfaqur përsëri në javën, apo ditët përpara se të fillojë cikli menstrual i ardhshëm. Dhimbjet ciklike takohen si rregull në të dy gjinjtë në ndryshim nga dhimbjet jo ciklike që takohen zakonisht vetëm në njërin pre tyre. Intensiteti i dhimbjeve mund të luhatet nga dhimbje të lehta deri të rënda dhe në shumicën e rasteve janë më të shprehura në pjesën e jashtme, të sipërme të gjirit. Jo rrallë ato mund të përhapen në sqetull, poshtë krahut dhe në zonën (rajonin) e shpatullës. Shfaqja e dhimbjeve ciklike shoqërohet shpesh më zmadhimin e gjinjve, rritjen e ndjeshmërisë së tyre si dhe theksim të nodularitetit normal të gjirit. Si shpjegohen dhimbjet ciklike të gjirit dhe cilat janë shkaqet që provokojnë shfaqjen e tyre?

Së pari duhet theksuar se dhimbjet ciklike të gjirit nuk lidhen apo nuk krijohen nga shkaqe patologjike. Ashtu si dhe shumë shqetësime apo shfaqje të tjera klinike tek gratë, ato janë rrjedhojë e ndryshimeve që ndodhin në nivelet e hormoneve femërore përgjatë ciklit menstrual të gruas. Struktura dhe fiziologjia normale e gjirit ndodhet nën ndikimin e drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm të luhatjeve të tilla. Baticat dhe zbaticat ciklike të niveleve hormonale në gjakun e gruas shoqërohen zakonisht me një varg ndryshimesh dhe ndjesish  klinike ku përfshihet dhe dhimbja. Këto ndryshime dhe ndjesi klinike shfaqen dhe zhduken rregullisht, në mënyrë ciklike dhe të përsëritur sepse janë pasqyrim i drejtpërdrejtë dhe respektojnë rigorozisht ciklet ndryshimeve periodike të niveleve hormonale në gjakun e gruas. Pas fillimit të menopauzës, me ndërprerjen e aktivitetit hormonal të ovareve, dhimbjet ciklike të gjirit, normalisht ndërpriten me përjashtim të rasteve kur  gratë, marrin terapi hormonale zëvendësuese për të mjekuar efektet anësore të menopauzës.

Dhimbjet ciklike të gjirit nuk lindin nga shkaqe patologjike. Ato janë  shfaqje kalimtare, të përkohëshme, që shkaktohen nga ndryshimet e niveleve hormonale femërore përgjatë ciklit menstrual dhe nuk kanë asnjë pasojë serioze për shëndetin e gruas.

Dhimbjet jo-ciklike gjirit. Në këtë grup përfshihen të gjitha llojet e dhimbjeve që nuk kanë lidhje me ciklin menstrual. Dhimbjet jo- ciklike takohen më rrallë se dhimbjet ciklike dhe mund të takohen si para ashtu dhe pas menopauzës, por, zakonisht, shfaqen më shpesh pas moshës 40 vjeçare. Dhimbjet jo- ciklike mund të jenë të vazhdueshme ose dhimbje që vinë dhe shkojnë, dhe, në përgjithësi, nuk ndjekin ndonjë rregull të qartë të kohës kur shfaqen dhe të mënyrës si qetësohen. Dhimbjet mund të shfaqen në të dy gjinjtë, por më shpesh janë të njëanshme dhe  përfshijnë vetëm një zonë të kufizuar të gjirit. Dhimbjet  jo-ciklike zakonisht stabilizohen vetë në rreth 50% të rasteve. Shkaqet e dhimbjeve  jo-ciklike mund te jenë nga më të ndryshmet dhe në një shumicë rastesh përcaktimi i saktë  i prejardhjes së tyre mund të jetë  mjaft i vështirë. Ndër shkaqet më të shpeshta mund të jenë infeksionet e gjirit (mastitet), ndryshimet indore si rrjedhojë e obezitetit (shtimit në peshë) ose shtatzënisë, përdorimi i mbajtëseve të papërshtatshme të gjinjve, përdorimi i medikamenteve hormonale si për shembull terapia hormonale zëvendësuese  gjatë menopauzës  ose pilulat kontraceptive, patologjitë tumorale beninje ose malinje të gjirit, traumat e ndryshme  etj. Në disa raste, dhimbjet jo ciklike edhe pse ndjehen në zonën e gjirit, në të vërtetë, e kanë burimin e tyre nga indet jashtë gjirit.

Këto dhimbje quhen dhe dhimbje ektramammare (jashtë gjirit) dhe shkaktohen në shumicën e rasteve nga inflamacioni i muskujve mbi të cilët mbështeten gjinjtë ose inflamacioni i strukturave kockore dhe kërcore të  kafazit torakal (brinjët dhe pllaka sternale).

A është kanceri një shkak i shpeshtë i dhimbjeve të gjirit?
Megjithëse frika më e madhe dhe shkaku i parë i mundshëm që i vjen gruas në mendje sa herë që ka dhimbje në gji, është kanceri, për fat të mirë, e vërteta është shumë më e ndryshme. Dhimbja nuk është një shfaqje  klinike karakteristike e kancerit të gjirit . Vetëm 1 në çdo 20 raste të kancerit të gjirit, pra rreth 5% e tyre, mund të  shoqërohen me dhimbje.

Dhimbja është një shfaqje klinike as e shpeshtë dhe as karakteristike e kancerit të gjirit . Vetëm 1 në çdo 20 raste të kancerit të gjirit, pra rreth 5% e tyre, mund të  shoqërohen me dhimbje.

Megjithatë, pavarësisht faktit se kanceri i gjirit, në shumicën dërrmuese të rasteve, nuk shoqërohet me dhimbje, është e këshillueshme që sa herë që një grua ndjen dhimbje shqetësuese të gjirit, të cilat nuk lidhen me ciklin menstrual, domethënë janë dhimbje jo-ciklike, duhet të këshillohet sa më parë me mjekun specialist.