Rriti flokët për t`i dhuruar, historia frymëzuese e Donjetit

Rriti flokët për t`i dhuruar, historia frymëzuese e Donjetit

Fushata e dhurimit të flokëve tek Europa Donna Albania ka ndikuar shumë njerëz të dhurojnë flokët e tyre për një kauze kaq të ndjeshme sa është kanceri i gjirit. Historitë e dhuruesve të flokëve janë nga më të ndryshmet por ne do të ndajmë sot me ju një histori frymëzuese.

Dhurimi i flokëve nga gjinia mashkullore për gratë me kancer gjiri, është gjest i veçantë. I tillë është Donjeti, 28-vjeçari nga Kosova, i cili është i pari djalë që ka dhuruar flokët për këtë kauzë në Shqipëri. Nga nëntori i 2016-ës deri në nëntor të 2018-ës, Donjeti nuk vuri gërshërë e as makinë mbi flokët e tij.

Pas dy vitesh, Donjeti vendosi të presë flokët dhe pas një kërkimi në Internet, u njoh me nisëm e ‘Europa Donna Albania’ dhe vendosi t`i dhurojë flokët për këtë kauzë.

Por si nisi e gjitha?  Pse Donjeti vendosi të dhuronte flokët?

Historia ime fillon kështu: Krejt rastësisht kam takuar një grua që po kërkonte të blinte paruke mirëpo fatkeqësisht ajo nuk kishte mundësi ta përballonte një paruke me flokë natyrale.

Dëshira e saj ishte ta kishte një paruke të tillë. Dhe nga këtu filloi gjithçka. Unë në fakt i rrita flokët për të sepse atë ditë i premtova që do t`ja siguroja një paruke me flokë natyrale.

Por ajo fatkeqësisht nuk arriti ta përballojë sëmundjen. Më vonë hulumtova për organizata që unë mund të dhuroja flokët për këtë kauzë dhe kështu gjeta Donjeta Zeqan dhe i dërgova tek ajo me postë për tek Europa Donna Albania.

 

Donjeti vazhdon më tej rrëfimin e tij i cili tregon se iniciativa të tilla i ka ndjekur por asnjëherë nuk ka qenë i përfshirë kaq afër sa kjo kauzë e cila e bëri të rriste flokët dy vite. Ai tregon se është thuajse i informuar mjaftueshëm për kancerin e gjirit dhe se meshkujt kanë një rol kyç në mbështetjen që i duhet bërë vajzave dhe grave në një situatë të tillë sidomos.

Donjeti e përmbyll rrëfimin e tij për ‘Europa Donna Albania’ me një mesazh:

“Kjo sëmundje nuk është më sëmundja më e keqe në botë. Me zhvillimin e mjekësisë dhe farmaceutikes kjo sëmundje dalëngadalë po mposhtet dhe pika më e fortë për të luftuar këtë sëmundje është energjia pozitive dhe dëshira për të fituar këtë betejë. Këtë sëmundje mund ta mposhtim së bashku. MOS U DORËZO ASNJËHERË!”

Revista online
Klikoni linkun poshtë:

Botimi 5