October 29, 2019 Fakte thelbësore mbi kancerin e gjirit nga Dr. Orges Spahiu
Dr. Orges Spahiu,
Shef i Njësisë së Radioterapisë, Shërbimi Onkologjik – QSUT
Kanceri është shkaku i dytë kryesor i vdekshmërisë globale dhe përgjegjës për 9.6 milion vdekje në vitin 2018. Sot në botë rreth 1 në 6 vdekje ndodh si pasojë e kancerit. Afërsisht 70% e vdekjeve nga kanceri ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta e të mesme.
Rreth 1/3 e vdekjeve nga kanceri janë si pasojë e 5 rreziqeve kryesore lidhur me stilin e jetesës dhe dietën: indeksi i mbipeshës trupore, sasia e paktë e frutave dhe perimeve, mungesa e aktivitetit fizik, përdorimi i duhanit dhe përdorimi i alkoolit.
Përdorimi i duhanit është një faktor më i rëndësishëm i rrezikut për kancerin, përgjegjës për rreth 22% të vdekjeve nga kanceri. Infeksionet shkaktare të kancerit si hepatiti dhe Human papilloma virus (HPV) janë përgjegjëse përderisa në 25% të rasteve me kancer në vendet me të ardhura të ulëta e të mesme.
Paraqitja në stadet e avancuara dhe mungesa e aksesit në diagnostikim dhe trajtim janë të zakonshme. Në vitin 2017, vetëm 26% e vendeve me të ardhura të ulëta raportuan se kanë shërbime të disponueshme për këtë patologji kryesisht në sektorin publik. Më tepër se 90% e vendeve me të ardhura të larta kane te disponueshme shërbimet e trajtimit krahasuar me më pak se 30% e vendeve me të ardhura të ulëta.
Impakti ekonomik i kancerit është domethënës dhe është në rritje. Kostoja ekonomike vjetore e kancerit në vitin 2010 ishte rreth 1.16 trilion US $. Vetëm 1 në 5 vende me të ardhura të ulëta e të mesme ka të dhënat e nevojshme për të nxitur politikat për kancerin.
Kanceri është një term i përgjithshëm për një grup të gjerë sëmundjesh që prekin çdo pjesë të trupit. Term atë tjerë të përdorur janë tumoret malinje dhe neoplazitë. Një tipar përcaktues i kancerit është krijimi i shpejtë i qelizave anormale që rriten përtej kufijve të tyre normal. Këto më tej mund të pushtojnë pjesët fqinje të trupit duke u përhapur në organe të tjera, proces ky i cili i referohet metastazimit të sëmundjes. Metastazat e sëmundjes janë shkaktari më i madh i vdekjeve nga kanceri.
Problemi
Kanceri është një nga shkaqet kryesore të vdekjes në mbarë botën, përgjegjës për rreth 9.6 milion vdekje në vitin 2018. Tumoret më të shpeshta vijojnë sipas radhës:
- Mushkëritë (2.09 milion raste)
- Gjiri ( 2.09 milion raste)
- Kolo-rektum (1.80 milion raste
- Prostata ( 1.28 milion raste)
- Kanceri i lëkurës (jo melanotik) (1.04 milion raste)
- Stomaku (1.03 milion raste)
Shkaqet më të zakonshme të vdekjes nga kanceri janë:
- Mushkëritë (1.76 milion vdekje)
- Kolo-rektum (862 000 vdekje)
- Stomaku ( 783 000 vdekje)
- Mëlçia (782 000 vdekje)
- Gjiri (627 000 vdekje)
Çfarë e shkakton kancerin?
Kanceri krijohet nga transformimi i qelizës normale në qeliza tumorale në një proces që kalon në stade të ndryshme. Sëmundja zakonisht progreson nga një lezion pre-kanceroz në një tumor malinj. Këto ndryshime janë si rezultat i ndërveprimit mes faktorëve gjenetikë të një personi dhe 3 agjentëve të jashtëm që përfshijnë:
- Karcinogjenet fizike, siç janë rrezatimi ultraviolet dhe ai jonizues;
- Karcinogjenet kimike, siç janë asbesti, përbërësit e tymit të duhanit, alfatoksina (një kontaminues i ushqimit), dhe arseniku (një kontaminues i ujit të pijshëm); dhe
- Karcinogjenë biologjikë, siç janë infeksionet nga disa lloj virusesh, baktere ose parazitësh.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (ËHO) nëpërmjet Agjensisë së saj të kërkimit për kancerin (IARC) mban një klasifikim të agjentëve shkaktarë të kancerit.
Plakja e popullsisë është një faktor themelor i zhvillimit të kancerit. Incidenca e kancerit rritet dramatikisht me moshën, veçanërisht për disa lloje tumoresh. Akumulimi i rreziqeve të përgjithshme kombinohet me tendencën e mekanizmave të riparimit qelizor për të qenë më pak efektiv ndërkohë që një person plaket.
Faktorët e rrezikut për kancerin
Përdorimi i duhanit, alkoolit, dieta e pashëndetshme dhe aktiviteti i mangët fizik janë faktorë kryesorë të rreziku të kancerit në mbarë botën. Këta 4 faktorë rreziku vlejnë edhe për sëmundjet të pa transmetueshme (NCDs).
Disa infeksione kronike janë faktorë rreziku për kancerin dhe kanë rëndësi të madhe në vendet me të ardhura të ulëta e të mesme. Afërsisht 15% e tumoreve të diagnostikuar në vitin 2012 i atribuoheshin infeksioneve karcinogjenike, duke përfshirë Helikobakter pilori, Human papilloma virus (HPV), Hepatiti viral B, Hepatiti C dhe virusi Epstein –Barr (EBV).
Hepatiti B dhe C e disa tipe të HPV_së rrisin rrezikun për kancerin e mëlçisë dhe të qafës së mitrës. Infeksionet me HIV rrisin në mënyrë domethënëse rrezikun e kancerit të qafës së mitrës.
Reduktimi i barrës së kancerit
Përreth 30-50% e sëmundjeve të kancerit aktualisht mund të parandalohen duke shmangur faktorët e rrezikut dhe duke zbatuar strategjitë parandaluese të bazuara në evidenca. Barra e kancerit mund të reduktohet gjithashtu nëpërmjet zbulimit të hershëm të kancerit dhe menaxhimit të pacientëve që sëmuren me kancer. Mjaft lloje kanceri kanë një shans të lartë të kurimit nëse diagnostikohen herët dhe trajtohen në mënyrë adekuate.
Modifikimi dhe shmangia e faktorëve të rrezikut
Të modifikosh ose të shmangësh faktorët kyç të rrezikut mund të reduktojë në mënyrë domethënëse peshën e kancerit. Këto faktorë rreziku përfshijnë:
- Përdorimi i duhanit, përfshirë cigaret dhe duhanin pa tym
- Mbipesha ose obeziteti
- Dieta e pashëndetshme me sasi të pakta frutash dhe perimesh
- Mungesa e aktivitetit fizik
- Përdorimi i alkoolit
- Infeksionet-HPV seksualisht të transmetueshme
- Infeksionet nga hepatiti ose infeksione karcinogjenike të tjera
- Rrezatimi jonizues dhe ultraviolet
- Ndotja e ajrit në zonat urbane
- tymi i brendshëm nga përdorimi shtëpiak i lëndëve djegëse të ngurta
Përdorimi i duhanit është faktori më i veçantë i rrezikut për kancerin dhe është përgjegjës për afërsisht 22% të vdekjeve në lidhje me kancerin në të gjithë globin.
Ndjekja e strategjive të parandalimit
Për të parandaluar kancerin, njerëzit duhet:
- Të rrisin shmangien e faktorëve të rrezikut të listuara më lart;
- Të vaksinohen kundër virusit HPV_së dhe hepatitit B
- Të kontrollojnë rreziqet profesionale
- Të reduktojnë ekspozimin ndaj rrezatimit ultraviolet
- Të reduktojnë ekspozimin ndaj rrezatimit jonizues (profesional ose atë diagnostik mjekësor)
Vaksinimi ndaj virusit HPV dhe hepatitit B mund të parandalojë 1 milion raste me kancer çdo vit.
Zbulimi i hershëm
Vdekshmëria nga kanceri mund të reduktohet nëse rastet zbulohen dhe trajtohen herët. Ka dy komponentë të zbulimit të hershëm:
Diagnoza e hershme
Kur identifikohet herët kanceri ka më shumë gjasa t’i përgjigjet trajtimit efektiv dhe të rezultojnë probabilitet më të madh mbijetese, sëmundshmëri më të ulët dhe trajtim me kosto më të reduktuar. Zbulimi i hershëm dhe shmangia e vonesave në trajtimin e kancerit mund të përmirësojnë ndjeshëm jetën e pacientëve.
Diagnoza e hershme konsiston në 3 hapa që duhet të integrohen dhe sigurohen në kohë:
- Ndërgjegjësim dhe aksesim i kujdesit shëndetësor
- Vlerësim klinik, diagnoza dhe stadifikimi
- Aksesi në trajtim
Diagnoza e hershme është e rëndësishme në të gjitha rrethanat dhe në pjesën më të madhe të sëmundjeve të kancerit. Në mungesë të diagnozës së hershme, pacientët diagnostikohen në stade të vona, atëherë kur trajtimi nuk mund të jetë më një opsion. Duhen dizenjuar programe për të reduktuar vonesat dhe barrierat e kujdesit shëndetësor duke e lejuar pacientin të aksesojë trajtimin në kohën e duhur.
Depistimi
Qëllimi i depistimit është të identifikojë individë me anomali që i takon një kanceri specifik apo një faze pre-kanceroze që nuk ka treguar ndonjë shenjë apo simptomë dhe t’i referojnë ato për diagnostikim dhe më pas trajtimin.
Programet e depistimit mund të jenë efektive për disa lloje kanceri, kur përdoren testet e duhura, dhe kur zbatohen efektivisht, të lidhura me hapat e tjerë të procesit të depistimit dhe kur sigurohet cilësia.
Në përgjithësi, një program depistimi është një ndërhyrje shumë më komplekse e shëndetit publik se diagnostikimi i hershëm.
Shembuj të metodave të depistimit janë:
- Inspektimi vizual me acid acetic (VIA) për kancerin e qafës së mitrës në vendet me të ardhura të ulëta
- Testi HPV_se për qafën e mitrës
- PAP testi për kancerin e qafës së mitrës në vendet me të ardhura të mesme e larta
- Dhe ekzaminimi me Mamografi për kancerin e gjirit në vende me sisteme shëndetësore të konsoliduara.
Trajtimi
Një diagnozë e saktë është esenciale për një trajtim efektiv dhe adekuat pasi çdo lloj kanceri kërkon një regjim trajtimi specifik që përfshin një ose më shumë modalitete të tilla si kirurgjia, radioterapia dhe kimioterapia. Përcaktimi i qëllimeve të trajtimit dhe kujdesit paliativ është një hap i parë i rëndësishëm dhe shërbimet shëndetësore duhet të integrohen dhe të përqendrohen tek njerëzit. Qëllimi parësor është përgjithësisht të kurojë kancerin ose të zgjasë në mënyrë të konsiderueshme jetën. Përmirësimi i cilësisë së jetës është gjithashtu një qëllim i rëndësishëm. Kjo mund të arrihet nëpërmjet kujdesit paliativ dhe suportit psikologjik.
Shanset e kurimit të kancerit të diagnostikuar herët
Disa lloje kanceri, edhe kur qelizat kanceroze kanë udhëtuar në pjesë të tjera të trupit, si seminoma testikulare, leucemia dhe limfomat tek fëmijët, mund të kenë kurabilitet të lartë kur ofrohet dhe sigurohet trajtim i duhur.
Revista online
Klikoni linkun poshtë:
Botimi 5