October 08, 2018 Sëmundjet tumorale në Shqipëri, shifrat alarmante dhe statistikat nëpër qarqe
Numri i pacienteve me kancer gjiri në vendin tonë po rritet gjithnjë e më shumë dhe në vitin 2015 ka arritur në 5158 të diagnostikuara, nga 3286 gra të prekura në 2014-ën. Mungesa e medikamenteve vazhdon të mbetet një çështje e mprehtë, pavarësisht ndryshimeve të bëra ndër vite. Një tjetër problem është dhe mungesa e ‘Regjistrit Kombëtar të Kancerit të Gjirit’. Shqipëria nuk e ka një të tillë dhe ende flasim me statistika dhe shifra të mbledhura nga disa institucione dhe shërbime të ndryshme dhe Europa Donna Albania.
‘Monitor’ shkruan se: Shëndeti i popullatës shqiptare po kalon një tranzicion të vështirë për shkak të përhapjes me shpejtësi të sëmundjeve që vrasin shpejt, sidomos ato kardiake dhe neoplazmave (tumoralet). Nga viti 2012-2017 kanë humbur jetën nga sëmundjet tumorale më shumë se 3500 persona çdo vit. Sëmundjet malinje ishin shkaktari i dytë i vdekjeve në Shqipëri gjatë vitit 2017, me një rritje 2.1 për qind në raport me vitin e kaluar.
Por teksa popullsia po tkurret dhe po plaket prej rënies së numrit të lindjeve dhe emigracionit, numri i personave që humbasin jetën nga kjo sëmundje janë në rritje, sidomos në moshat e reja sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Në vitin 2017, numri i personave që humbën jetën nga sëmundjet tumorale ishin 74 më shumë se në vitin 2016.
Sëmundja zgjerohet te moshat të reja
Neoplazmat më parë ishin sëmundje karakteristike për moshat mi 60 vjeç, sidomos ndër duhanpirësit, por gjithnjë e më shumë sëmundja po prek moshat më të reja. INSTAT raportoi se në vitin 2017 humbën jetën nga tumori 10 të rinj të moshës 10-14 vjeç me një rritje 66 për qind në raport me vitin 2016, ku kishin humbur jetën 6 të rinj të moshës së adoleshencës.
Gjithashtu të dhënat tregojnë se ka një rritje të vdekjeve nga tumoret për grupmoshën 40-60 vjeç.
Në vitin 2017 u ndanë nga jeta 68 persona të moshës 40-44 vjeç, 10 më shumë se në vitin 2016. Vdekjet u shtuan në grupmoshën 55-59 vjeç, ku humbën jetën 363 persona, 33 më shumë se një vit më parë (shiko tabelën).
Mjekët në klinikën onkologjike në QSUT, pohojnë se vitet e fundit ka shtim të rasteve tumorale sidomos në moshat e reja. Femrat gjithnjë e më shumë po preken nga kanceri i gjirit dhe i uterusit, ndërsa meshkujt nga prostata.
Burimet në Onkologjik pohojnë se rastet me kancer janë dhjetëfishuar vitet e fundit dhe statistikat nuk janë të sakta. Shumë persona operohen dhe diagnostikohen jashtë, ndërsa ka shumë raste nga Kosova që trajtohen në Shqipëri. Por, përpos numrit në rritje, mjekët janë të shqetësuar se po preket grupmosha e re 20-40 vjeç.
Sipas INSTAT, në 2017-n, vdekjet më të mëdha nga tumoret ishin te meshkujt, me 61% të totalit.
Të dhënat e INSTAT, të përpunuara nga Monitor për 1000 banorë tregojnë se në vitin 2017 është rritur prevalenca e vdekjeve nga tumori për grupmoshat 10-29 vjeç; 40-59 vjeç; ndërkohë që ka pasur ulje për grupmoshat 30-39 vjeç dhe mbi 60 vjeç.
Qarqet më të prekura, Gjirokastra dhe Korça
Numrin më të madh të jetëve të humbura nga sëmundjet tumorale e ka Tirana, për shkak edhe të numrit më të madh të banorëve, por prevalencën më të lartë të jetëve të humbura e ka Qarku i Gjirokastrës, me 2.21 jetë të humbura për 1 mijë banorë. Gjirokastra ka më shumë jetë të humbura për shkak të plakjes së popullsisë me ritme më të larta se në qarqet e tjera. Pas Gjirokastrës vjen Korça me 1.66 të vdekur për 1000 banorë, më pas Shkodra me 1.64 për 1 mijë banorë, Vlora me 1,50 të vdekur.
Numrin për të ulët të jetëve të humbura për 1 mijë banorë e ka Tirana me 0.99 të vdekur për 1000 banorë më 2017, më pas Lezha me 1.05 të vdekur për 1000 banorë, Durrësi me 1.11 jetë të humbura për 1000 banorë dhe Kukësi me 1.17 jetë të humbura për 1000 banorë.
Të dhënat nga administrata e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” QSUT, tregojnë se në repartin e onkologjisë u trajtuan 7 mijë raste të reja në vitin 2017 në raport me rreth 5 mijë raste të reja që ishin në vitin 2014.
Shkaktarët e sëmundjes dhe rekomandimet
Ekspertët në Spitalin Onkologjik pohojnë se, ndotja e mjedisit dhe dieta ushqimore janë faktorë përgjegjës për kancerin në rritje. Ata pohojnë se rastet më të shumta janë në zonat e ndotura të vendit sidomos në qytetet industriale, si Elbasani, Fieri dhe zonat kufitare të vendit, sidomos ato me Kosovën, ku ka pasur ndotje në kohën e luftës.
Në vendin tonë, kanceri mund të mbahet në nivele të ulëta nëse rritet kontrolli mbi sigurinë ushqimore, të frenohet duhanpirja dhe të ulet ndotja në mjedis, rekomandojnë mjekët. Nëse këta faktorë rreziku nuk frenohen, mjekët pohojnë se vitet e mëvonshme do të jenë një katastrofë në përhapjen e sëmundjes.