September 20, 2021 Shqipëria hap regjistrimet për “Race for the Cure 2”, si mund të bëheni edhe ju pjesë
Ky është viti i dytë që Shqipëria zhvillon një nga garat më të rëndësishme në Europë siç është “Race for the Cure” (Gara për Kurën).
Për shkak të pandemisë së Covid-19 dhe masave kufizuese që janë ende në fuqi, edhe këtë vit – njësoj si vitin e kaluar – aktiviteti do të jetë simbolik, duke dashur të shmangim në mënyrë absolute grumbullimet dhe rrezikimin e pjesëmarrësve.
Në këtë aktivitet do të jenë të rinj e të reja, pacientë, familjarë, staf mjekësor dhe kushdo tjetër që mbështet apo ka dëshirë të mbështesë këtë kauzë.
Ky event do të zhvillohet në 30 shtete të Europës dhe “Race for the Cure” është ngjarja më e madhe sportive europiane për të rritur ndërgjegjësimin për shëndetin e grave. Ndihmon organizatat dhe institucionet të mbledhin fonde për ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit. Çdo vit, 500,000 raste të kancerit të gjirit diagnostikohen rishtazi në Evropë dhe 130,000 njerëz vdesin si rezultat i kësaj diagnoze, kështu që këto burime janë vendimtare. Sot edhe më shumë se kurrë!
Race for the Cure sjell së bashku vajzat dhe gratë e kuruara, familjen dhe miqtë për një shëtitje 3 km ose një vrapim prej 5 km. Gratë që e kanë kaluar këtë sfidë festojnë fitoren e tyre ndaj kancerit të gjirit, pjesëmarrësit mbështesin të dashurit e tyre të prekur nga sëmundja dhe përkujtojnë të dashurit që kanë vdekur.
Ju mund të garoni kudo ku jeni, mjafton të regjistroheni në këtë link: “Merr pjesë” dhe të regjistroheni për garën tuaj.
Të gjitha të ardhurat e mbledhura nga regjistrimet dhe bluat do të shkojnë për përpunimin e parukeve për gratë me kancer gjiri.
“Race for the Cure Albania 2021” nis me datën 26 shtator dhe zgjat deri me 10 tetor.
Aktiviteti përmbyllës dhe më i rëndësishmi i kësaj gare do të mbahet me 9 tetor tek “Liqeni Artificial”. Për të gjitha detajet mbi aktivitetin ju ftojmë të na ndiqni në ditët në vazhdim.