November 17, 2021 Humb jetën Doktor Shahin Kadare, me një kontribut të jashtëzakonshëm në mjekësi dhe mbështetës i madh i kauzës së kancerit të gjirit
Mjeku onkolog Shahin Kadare është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm pas një beteje 1-vjeçare me kancerin.
Doktor Shahin Kadare është një nga të parët doktorë të Shkencave në fushën e mjekësisë, me një kontribut të jashtëzakonshëm në studimet onkologjike, si referues në dhjetëra konferenca dhe kongrese ndërkombëtare shkencore. Ai ka botuar studimet e tij shkencore në revistat më të njohura të mjekësisë në botë.
Doktor Shahin Kadare fillimisht u diplomua në vitet ’60 në Tiranë dhe më pas kreu një specializim në Rumani. Ndershmëria, përkushtimi dhe profesionalizimi i tij, e kthyen atë në një autoritet të padiskutueshëm shkencor në fushën e onkologjisë.
Ai është themelues i Laboratorit të Morfologjisë Patologjike dhe ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e kësaj dege të mjekësisë në Shqipëri, përmes diagnostikimit mikroskopik të tumoreve. Ai arriti të krijoje në bashkëpunim me kirurgët shqiptarë të kohës, skemën e trajtimit operativ të tumoreve, duke verifikuar rrezikshmërinë e tyre qysh gjatë operacionit.
Ai shërbeu për disa vite, pas vitit 1997 si ambasador i Shqipërisë në Suedi dhe vende të tjera, por iu rikthye sërish profesionit të mjekut.
Doktor Shahin Kadare është mbështetës i kauzës sonë dhe ka luajtur rol kyç në themelimin e revistës “Europa Donna Albania”, në të cilën ka bërë shkrime të njëpasnjëshme, të dedikuara vetëm për këtë revistë. Këtë dedikim, Doktori e ka bërë plotësisht vullnetarisht.
Shahin Kadare është po ashtu vëllai i shkrimtarit të njohur Ismail Kadare.
Europa Donna Albania dhe i gjithë stafi, shprehin ngushëllimet më të ndjera për familjen.
Më poshtë keni disa prej shkrimeve të doktorit të ndjerë në revistën tonë: