July 09, 2020 COVID-19
Nga Prof Dr. Shahin Kadare dhe Prof As. Majlinda Buba
Nëse ndonjëherë ka patur një kohë për të qenë kaq të paduruar që shkencës i duhet kaq shumë kohë për të zgjidhur problemet komplekse që kërcënojnë shëndetin dhe jetën e njeriut, kjo kohë do të ishte pikërisht tani kur bota po përballet me pandeminë COVID-19.
Por, nëse gjithashtu, ka patur ndonjëherë një kohë për të qenë mirënjohës për shkencën, është përsëri tani! Nëse nuk do të ishte për shkencën, ne nuk do ta dinim kurrë se çfarë është ky virus, nuk do të ishim në gjendje të realizojmë testet e zbulimit të tij, nuk do të kishim ecur kaq shumë në hapësirat e studimit të vaksinave dhe mundësive të tjera për ta parandaluar dhe mjekuar atë me sukses.
– Susan M. Love, MD, MBA, Founder and Chief Officer of Susan Love Research Foundation
HYRJE
Ky shkrim synon të përfshijë të dhënat dhe faktet më të rëndësishme që ne njohim deri më sot mbi sëmundjen e re të traktit respirator – COVID 19 të shkaktuar nga “ Korona-virusi i ri “ SARS.
Kuptohet se, për shkak të zhvillimit të shpejtë të situatës, materiali mund dhe ka të ngjarë të mos jetë i plotë në disa drejtime, e megjithatë kemi bindjen se, në tërësi, informacioni, këshillat dhe rekomandimet e shpalosura në vijim do të mund të ndihmojnë në lehtësimin dhe zbutjen e pasojave negative të pandemisë COVID-19 si dhe të ndikimeve që ajo mund të ketë në ecurinë klinike të sëmundjeve të tjera kronike të njeriut përfshirë dhe kancerin.
Çfarë është COVID-19 dhe cili është kuptimi i këtij termi ?
“Covid-19” është termi më i shpeshtë me të cilin emërtohet pandemia aktuale e sëmundjes virale që ka shpërthyer kohët e fundit dhe është përhapur me një shpejtësi të frikshme, brenda pak muajsh, në të gjithë botën .
Termi “Covid 19” është propozuar si shkurtim i emërtimit anglisht të sëmundjes “Corona Virus Disease – COVID) – “Sëmundja e Corona Virusit”, një infeksion i rëndë viral i mushkërive që karakterizohet nga ethe, kollë e thatë, vështirësi në frymëmarrje dhe dobësi e shprehur fizike.
Shifra 19 i referohet vitit 2019, vit në të cilin u zbulua në Kinë rasti i parë i kësaj sëmundje.
Çfarë janë koronaviruset dhe çfarë shkaktojnë në organizmin e njeriut?
Sëmundja COVID 19, siç e tregon dhe emri, shkaktohet nga një virus i cili bën pjesë në grupin e “koronaviruseve”.
Koronaviruset janë një grup i veçantë virusesh, i zbuluar në vitet ’30 të shekullit të kaluar të cilët mund të shkaktojnë sëmundje serioze të frymëmarrjes si tek kafshët ashtu dhe tek njerëzit.
Foto 1. Pamje mikroskopike e koronavirusit me zgjatimet karakteristike sipërfaqësore që i japin pamjen e “kurorës”
Çfarë është “korona-virusi i ri” dhe përse quhet kështu?
Pak muaj më parë, në fundin e vitit të kaluar, një virus i ri i tipit SARS, i panjohur deri atëherë, arriti të transmetohej përsëri nga kafshët tek njerëzit duke shkaktuar një tjetër sëmundje infektive virale akoma më të rrezikshme se dy epidemitë e mëparshme (të shkaktuara nga viruset SARS dhe MERS).
Për të emërtuar korona-virusin e ri SARS, të sapozbuluar, u përdor termi “Korona-virus i ri” për arsyen e thjeshtë se ishte një virus i ri, i pa identifikuar më parë si një shkaktar i mundshëm i infeksioneve virale tek njerëzit.
Termi “corona”, më të cilin cilësohet ky virus e ka prejardhjen nga gjuha latine – “Corona” – “kurorë”, sepse në pamjen mikroskopike sipërfaqja e virusit rrethohet nga një “veshje” mbi të cilën ngrihen një shumicë zgjatimesh që i japin pamjen e një kurore (shih foto 1)
Siç do ta shohim, koronavirusi “i ri” është shkaktari i COVID-19, pandemisë aktuale virale që ka pushtuar botën mbarë.
Shikim telegrafik i historikut të Covid 19
Ditën e fundit të vitit të kaluar, (31 dhjetor 2019), në Zyrën Vendore të OBSH, në Kinë u raportua një formë e re pneumonie e çuditshme dhe e panjohur më parë.
Vatra e rasteve të para të sëmundjes u shfaq fillimisht në Ëuhan, një qytet në Provincën Hubei. Qysh në shfaqjen e rasteve të para të saj u vu re ajo kishte një potencial infektiv të fuqishëm dhe filloi të përhapej me shpejtësi në një numër gjithnjë e më të madh vendesh të ndryshme të botës.
Sëmundja dhe shkaku i mundshëm i saj , për një farë kohe ende të panjohura për ekspertët e fushës, zgjuan shpejt një interes të jashtëzakonshëm, të ushqyer pa dyshim, nga interesi shkencor, por, mbi të gjitha, nga frika dhe shqetësimi në rritje që po shoqëronte shtimin e pandalshëm dhe të rasteve të sëmundjes dhe të vdekjeve të shumta që shkaktoheshin prej saj.
Historiku dhe ecuria e sëmundjes COVID-19 është e pazakontë në historinë e mjekësisë botërore.
Ndërsa vetëm pak muaj më parë, në fillimet e Janarit të kaluar, shumë pak njerëz mund të kishin dëgjuar se, diku, në një krahinë të largët të Kinës, ishte “gjallëruar” një vatër e re e një infeksioni viral të panjohur, jo më shumë se 2 – 3 muaj më vonë, e gjithë bota ishte e përfshirë në panikun e një gjendjeje të vërtetë pandemie të frikshme.
Në shumicën dërrmuese të vendeve të Globit u morën masa të jashtëzakonshme në përpjekjen për të vetë-imponuar distancimin shoqëror dhe fizik nga rastet e infektuara.
Raportimet e përditshme rreth numrit të rasteve reja dhe të vdekjeve të shkaktuara nga kjo sëmundje e re u bënë lajmi i ditës për shumicën e vendeve të botës
Pa kaluar shumë kohë nga shfaqja e saj u provua se infekioni i ri i porsashfaqur, shkaktohej nga një koronavirus i panjohur, i cili fillimisht u quajt me emrin “koronavirusi i ri 2019″, (2019-nCoV).
Një muaj më vonë, më 30 janar 2020, OBSH e shpalli shpërthimin e sëmundjes COVID-19 një emergjencë shëndetësore të përgjithshme.
Pa kaluar as dy javë, më 11 Shkurt të këtij viti, OBSH, propozoi që për këtë sëmundje të përdorej dhe termi ” COVID-19″, një shkurtim i “CoronaVirusDisease – 19”, (Sëmundja e Corona Virusit 19), si një term më i kuptueshëm dhe më i thjeshtë në përdorim.
Më 11 mars 2020, OBSH e shpalli COVID-19 pandemi globale (pandemia e fundit e ishte shpallur zyrtarisht më shumë se11 vjet më parë për gripin H1N1, në vitin 2009).
Mënyra e transmetimit të sëmundjes
Virusi Covid-19 përhapet kryesisht gjatë kontakteve të ngushta midis njerëzve, më shpesh, përmes spërklave të vogla të nxjerra gjatë kollitjes, teshtitjes ose bashkëbisedimit.
Spërklat, në shumicën dërrmuese të rasteve nuk udhëtojnë nëpër ajër në distanca të gjata por zakonisht, bien në tokë ose mbi sipërfaqet e ndryshme.
Më rrallë, njerëzit mund të infektohen duke prekur fytyrën e tyre pasi kanë prekur më parë një sipërfaqe të infektuar .
Periudha më e rrezikshme për përhapjen e infeksionit është gjatë tre ditëve të para pas shfaqjes së simptomave, por nuk përjashtohet mundësia e transmetimit të infeksionit edhe përpara shfaqjes së tyre (transmetimi para-simptomatik).
Burim infeksioni mund të jenë gjithashtu edhe personat të cilët, edhe pse janë të infektuar, nuk kanë asnjë shfaqje klinike të sëmundjes. (transmetimi a-simptomatik). Vlerësohet se numri i personave të infektuar që janë asimptomatikë arrin deri në rreth 40%.
Pas shfaqjes së simptomave, njerëzit vazhdojnë të mbeten burim infeksioni afërsisht shtatë deri në dymbëdhjetë ditë në rastet e moderuara dhe, rreth dy javë në rastet më të rënda.
A janë personat me kancer më të rrezikuar për tu sëmurur nga Covid-19?
Për shkak se shpërthimi i COVID-19 është i ri, nuk ka ende informacion të mjaftueshëm se si i prek virusi pacientët që vuajnë nga kanceri.
Sidoqoftë, këta të sëmurë konsiderohen një ndër grupet më rrezik më të lartë për mundësinë e kontraktimit të sëmundjes.
Si kanceri ashtu edhe trajtimi i tij mund të dobësojnë sistemin imunitar të organizmit dhe t’i bëjnë pacientët më të pambrojtur ndaj infeksioneve të ndryshme, përfshirë COVID-19.
Nga ana tjetër, pothuaj të gjitha mjekimet kundër kancerit si kimioterapia, terapitë e shënjuara, imunoterapia dhe radioterapia, dobësojnë sistemin imunitar dhe rritin rrezikun e komplikacioneve pas çdo lloj infeksioni. Edhe pacientët që nuk janë duke marrë trajtim aktiv për kancer duhet të tregohen të kujdesshëm pasi efektet e terapisë së mëparshme zakonisht janë afatgjata.
Shfaqjet klinike (shenjat dhe simptomat) kryesore të Covid-19
Shenjat dhe simptomat kryesore me të cilat mund të shfaqet klinikisht Covid-19 janë:
Ethe (me dridhje) (83–99%); kollë (59–82%); humbje e oreksit dhe e nuhatjes (40–84%); këputje (44–70%), vështirësi në frymëmarrje (31–40%), dhimbje muskulore dhe koke (11–35%)
Ndërsa, përgjithësisht, shumica e simptomave nuk janë të shprehura, në një numër rastesh sëmundja mund të ndjek një ecuri shumë më të rëndë duke kërcënuar seriozisht jetën e të sëmurit
Koha nga ekspozimi ndaj virusit deri në fillimin e simptomave, e quajtur “periudha e “inkubacionit” vazhdon zakonisht rreth 6 ditë, por mund të luhatet nga 2 deri në 14 ditë.
Ethet janë simptoma më e shpeshtë e sëmundjes, megjithëse, në një numër të sëmurësh të moshuar ose me probleme të tjera shëndetësore, ethet mund të jenë pak të shprehura ose të shfaqen më vonë gjatë ecurisë së mëpastajme të sëmundjes.
Një numër të sëmurësh (mendohet rreth 40%), edhe pse të infektuar nga virusi, mund të mos shfaqin fare simptoma dhe, vetëkuptohet, që këta persona, bartës asimptomatikë të infeksionit, përbëjnë një rrezik serioz për përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.
Po kështu, në përgjithësi, prania e simptomave në fëmijët e infektuar është më e rrallë dhe më pak e shprehur.
Jo rrallë, ecuria e Covid-19 mund të shoqërohet me komplikacione të ndryshme nga trakti i frymëmarrjes, sistemit kardiovaskular, turbullime funksionale të mëlçisë dhe të sistemit nervor, çrregullime shumë-organëshe, shok septik etj, që mund të çojnë deri në vdekje.
Një nga komplikacionet më të shpeshta dhe më të rrezikshme të COVID 19 është sëmundja inflamatore e mushkërive (pneumonia)
Prognoza
Ecuria klinike e Covid-19 deri tani ka qenë më e butë se ajo e MERS ose SARS për sa i përket ashpërsisë dhe numrit të rasteve fatale.
Niveli i vdekshmërisë për COVID-19 luhatet rreth 2%.
Vdekjet përfshinë kryesisht individë të moshuar ( ≥ 60 vjet) dhe persona me gjendje shëndetësore serioze.
Në fëmijët dhe të rinjtë ecuria e sëmundjes është më e lehtë. Që nga 16 marsi 2020 nuk ka patur raportime fatalitetesh ose shtrime urgjente në persona të moshës 19 vjeç ose më të rinj.
Tab. Fakte të Shpejta për COVID-19 (OBSH – Organizata Botërore e Shëndetësisë)
- Sipas të dhënave zyrtare të raportuara dhe përditësuara nga OBSH, llogaritet se deri më 5 Qershor 2020 janë raportuar 6,717, 327 milionë raste të shpërndara në 213 vende të ndryshme të Botës.
- Numri i të sëmurëve të shëruar ka arritur në 3,262,009 raste ndërsa numri i vdekjeve ka arritur shifrën 393, 449.
- Rreth 1 në çdo 6 persona që preken nga COVID-19 sëmuret rëndë me vështirësi të shprehur në frymëmarrje.
- Shkalla e vdekshmërisë për COVID-19 luhatet rreth 2%., një shifër ndjeshëm më e ulët se vdekshmëria nga epidemia MERS 2014 (34.5%) dhe SARS 2012 (10%) .
- Sëmundja e shkaktuar nga infeksioni COVID-19 ka një ecuri përgjithësisht të butë, veçanërisht në fëmijët dhe moshat e reja. Që nga 16 marsi 2020 nuk ka patur raportime fatalitetesh ose pranime në qendrat e urgjencave mjekësore të rënda në personat e moshës 19 vjeç ose më të rinj.
- Rastet fatale përfshinë kryesisht individë të moshuar (mbi moshën 60 vjet) dhe persona me patologji shëndetësore serioze (astma, diabet, sëmundje kronike të zemrës etj).
Pothuaj qysh me raportimin e rasteve të para të Covid-19, historiku sëmundjes dhe i prejardhjes së shkaktarit të saj, virusit SARS-CoV-2, ka provokuar njëherazi një nga teoritë konspirative më të çuditshme në historinë e mjekësisë e cila vazhdon të intrigojë një numër studiuesish dhe personalitetesh të një rrethi të gjerë që shkon përtej fushës së mjekësisë dhe shëndetit publik.
Mbi origjinën e koronavirusit të ri të sëmundjes (infeksionit) COVID-19
Bashkë me studimin e veçorive biologjike u hodhën dyshimet e para mbi prejardhjen e virusit. Thelbi i debati (mund të) përmblidhet në pyetjen e thjeshtë :
A është virusi i Covid 19 produkt i evolucionit natyral të agjentit viral (Covid-19 ) apo një strukturë (produkt) e konstruktuar artificialisht në kushte laboratorike.
Pa kaluar shumë kohë, partizanët e teorisë konspirative të prejardhjes së virusit, e shtynë në ekstrem hipotezën e tyre duke hedhur dyshime se virusi mund të jetë një produkt artificial i krijuar nëpërmjet modifikimeve gjenetike me qëllimin e mbrapshtë për tu përdorur si një armë biologjike e shfarosjes në masë.
Rëndësia e problemit mori përmasa të tilla që e bënë shpejt të detyrueshme përfshirjen e shërbimeve sekrete inteligjente të SHBA dhe të shteteve të tjera për të hedhur dritë mbi të vërtetën e misterit të prejardhjes së virusit SARS-CoV-2 .
Ndërkohë të dhënat nga burime të ndryshme nuk po siguronin asnjë provë bindëse për të mbështetur dyshimet e mësipërme.
Sipas një qëndrimi më të moderuar ka mundësi që “përhapja” e virursit edhe pse mund të mos ketë qenë e qëllimshme, mund të ketë ndodhur aksidentalisht.
Shumë shkencëtarë të njohur nga qendra shkencore të përparuara, megjithatë, pasi kanë studiuar tiparet (veçoritë) gjenomike të SARS-CoV-2 kanë arritur në përfundimin se të dhënat (provat) e gjetura nuk e mbështesin pretendimin se SARS-CoV-2 është një konstruksion laboratorik.
Gjetja e burimit të virusit është tepër e rëndësishme për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të infeksionit, por kërkimet shkencore, përfshirë modelet kompjuterike, studimet qelizore dhe eksperimentet në kafshë, provuan se identifikimi i burimit është më i ndërlikuar se sa mund të mendohet
Nëse do të ishte një virus i konstruktuar, sekuenca e tij gjenomike do të tregonte një përzierje elementesh sekuencash të njohura.
Sidoqoftë, OBSH konfirmon se “nuk është kështu”.
Të dhënat më të besueshme mbi origjinën e virusit të Covid 19 janë siguruar nga studimi i sekuencës gjenetike të viruseve të afërt me SARS-CoV-2.
Sekuenca e plotë gjenetike e SARS-CoV-2 nga rastet e hershme njerëzore në Kinë dhe sekuencat e viruseve të tjerë të izoluar nga e gjithë bota tregojnë se SARS-CoV-2 ka një origjinë natyrale, zoonotike nga kafshët dhe nuk është një virus i manipuluar ose i konstruktuar (artificialisht).
Sipas ekspertëve të OBSH, streha natyrale e paraardhësit të koronavirust janë lakuriqët e natës. Misteri më i madh (E panjohura më e madhe) mbetet se në ç’mënyrë ky virus arriti të transmetohet nga lakuriqët tek njerëzit.
Shumica e shkencëtarëve janë të mendimit se kalimi nga lakuriqët tek njerëzit është realizuar nëpërmjet një specie ndërmjetëse të një kafshë të egër (jo shtëpiake) që mendohet të jenë harllucat (iriqët? pangolins; pangolini)
Megjithatë, këto mbeten vetëm hipoteza anekdotike përderisa akoma nuk është arritur që virusi të izolohet në asnjë nga kafshët e dyshuara
Ndërkohë, debati vazhdon dhe argumentuat e sjella nga të dy “kampet” nuk po arrijnë akoma të na sigurojnë një përgjigje bindëse.
Nga numri i fundit i revistës Europa Donna Albania, të cilën mund ta lexoni në linkun: Shfletoni revistën