March 07, 2019 Si funksionon roli i psikologut brenda procesit të kurës në spitalin onkologjik
Alketa Çoku, Psikoterapeute e Psikoanaliste
Psikologe pranë Shërbimit të Spitalit Onkologjik “Nënë Tereza” QSUT, Tiranë
Rëndësia e fjalës, e të shprehurit të gjendjes emocionale nëpërmjet saj, njihet që në kohët e lashta. Por evidencat e reja kërkimore kanë vërtetuar atë që shumë studiues kohë më parë hipotizonin për rëndësinë e shprehjes së ndjenjave dhe përjetimeve emocionale nëpërmjet fjalës. Freud kur vuri bazat për psikoanalizën, bazë e shfrytëzuar më vonë edhe nga psikologjia klinike, shpjegoi rolin e fjalës në përjetimin e situatave që realiteti i paraqiste qenieve njerëzore. Teknika e zhvilluar prej tij “talking cure” (kura nëpërmjet fjalës), në shumë studime sot jep rezultatin që klinikisht çdo profesionist i fushës “psi” ka vërtetuar me pacientët e tij.
Seanca të vazhdueshme psikoterapie sjellin ndryshime të dukshme si në perceptimin e ngjarjeve të jetës, ashtu edhe në kuadër të funksionimit optimal të trurit (Shih. Studimet kërkimore të Paquette-Lévesque-Mensour et al. 2003; Berti-Ceroni 2003). Kjo situatë klasike ndodh kur individi shkon vet tek psikologu, sepse e kupton që diçka në jetën e tij nuk po funksionon siç duhet dhe nuk shkon në drejtim të dobisë së tij. Ky është motivimi që çon përpara individin drejt një ndryshimi të mundshëm. Pra është pacienti që ka dëshirën të ndryshojë rrjedhën e jetës së tij. Në shërbimet spitalore e gjithë kjo skemë është më e komplikuar. Kur flasim për rolin e psikologut brenda një shërbimi shëndetësie, siç është spitali, duhet të kemi parasysh kontekstin dhe objektivin e prezencës së tij në këto shërbime. Psikologu nuk është më vetëm me pacientin, por është pjesë përbërëse e një rrjeti, ekipi pune, që ka një qëllim të përbashkët për të gjitha profesionet e implikuara: trajtimin dhe kurën e sëmundjes që ai person po përballon dhe përkujdesjen për individin. Pra, në plan të parë vjen trupi, sëmundja që mundon trupin dhe pushton mendjen dhe ekzistencën e pacientit.
Një masë e huaj ka pushtuar trupin e pacientit dhe jeta e tij është transformuar nga momenti i marrjes së diagnozës ekzistenca e tij nuk është më si më parë. Në spitalin onkologjik e gjithë kjo situatë është e amplifikuar, pasi kanceri ka një risonancë negative në gjuhën e përditshme. Ka shumë pacientë të shtruar në shërbimin tonë që kur i dëgjoj të flasin për sëmundjen, nuk arrijnë dot ta emërojnë atë. Nuk thonë dot “po vuaj nga kanceri” por thonë “kam sëmundjen e keqe”. Për shumë të tjerë kjo mënyrë të shprehuri mund të kaloje si e parëndësishme, por në realitetin psikik ka pasoja të dukshme dhe ndikon drejt për drejt në situatën konkrete. Por të ndalojmë pak në këtë pikë e ta analizojmë më thellë duke bërë një hap të vogël mbrapa deri në gjenezën e subjektit njerëzor. Si mund të ndikojë fjala trupin e njeriut? Mund të duket absurde po të shikohen këto problematika në nivel sipërfaqësor. Secili prej nesh ka ardhur në jetë nga bashkimi i dy njerëzve që kanë përcjell jo vetëm ADN e tyre por edhe botën e tyre të brendshme, dëshirat e tyre, fantazitë e tyre, pjesë të karakterit të tyre. Të gjitha këto kalojnë nga një brez tek tjetri nëpërmjet komunikimit, atij verbal dhe atij jo verbal, duke formuar individin e ri me rrënjët e ngulura në botën e Tjetrit. Mjeti i preferuar njerëzor për komunikimin është fjala, prandaj përdorim shprehje të tipit “gjuha kocka s’ka por kocka thyen”.
Rëndësia që fjala ka në jetën tonë është jetike, ashtu si uji, ushqimi apo gjumi, rëndësia e fjalës si mjet i privilegjuar në lidhje me personat e tjerë. Nëse është fjalë që sjell dashuri, mirësi, pranim të tjetrit, mirënjohje, përjetimi është më se pozitiv. Por ka edhe fjalë që na vrasin, na prekin, na sëmurin dhe këto janë më të vështira për t’u harruar apo përpunuar. Mendimet sorollaten në tru duke mos e lënë të qetë personin, rrisin tensionin e tij dhe stresin ndaj problematikave që po kalon. Pikërisht në këtë hap është e rëndësishme puna e psikologut: personi që i drejtohet atij, që merr shërbimin e tij të arrij, me kohën e vet dhe pa sforcime, të mund të artikuloj me fjalë ato emocione që e mundojnë, e stresojnë, e bëjnë të mendojë pa pushim natë e ditë. T’ia thuash disa emocione, sidomos ato negativet, personave që na rrethojnë, shoqëri, familje, burrë, grua, fëmijë, nuk është aspak e lehtë. Për më shumë duhet të them që është shumë e vështirë deri në disa pika edhe e pamundur. Kjo, sepse personi edhe në momente vështirësie mundohet ta tuteloj të afërmin, të mos e vrasi shpirtërisht, apo të mos vrasi veten e vet në lidhje me tjetrin. Pra trupi i njeriut nuk është vetëm organizëm biologjik, nuk funksionon në mënyrë të pavarur nga bota e tij shpirtërore. Trupi i njeriut është = (organizëm biologjik + gjuhë, edukim, kulturë). Jemi krijesa integrale që në tërësi jemi të ndërthurur nga ana biologjike në bashkëpunim me anën psikologjike dhe atë sociale.
Pra, për të qenë në ekuilibër duhet që këto fusha të jenë në bashkëpunim, në interaktivitet. Shumë pacientë më referojnë që e kanë më të vështirë të përballojnë shikimin pyetësor të personave që i rrethon, sidomos në fazën e kimioterapisë me ndryshimet fizike që ajo sjell, nevojën që ndjejnë se duhet t’i sqarojnë dhe nga ana tjetër dëshirën për mos të dashur të flasin për veten dhe sëmundjen. Pra, përveç rëndesës nga një trup që ndihet i lodhur apo i pafuqishëm, duhet të përballojnë edhe vështirësinë në lidhje me të tjerët dhe gjykimin e tyre, me anën e tyre relazionale e sociale. Kjo i rëndon më shumë nga ana shpirtërore dhe mendore. Duke zgjedhur të flasin me një profesionist, zgjedhin në një farë mënyrë të “ndahen” nga ato ndjenja që supozojnë negative në lidhje me veten. Me shprehjen e emocioneve “ndahen” edhe nga përjetimet, nga afektiviteti që është i lidhur me ato mendime. Kjo i bën të ndihen më mirë, të përballojnë më mirë fazat pre dhe post operatore, apo periudhën e vështirë të kimioterapisë apo radioterapisë.
Është themelore vendimi të pranosh që ke nevojë të flasësh me dikë për këtë aspekt të jetës tënde. Këtë mund ta shohim shumë lehtë në punën që bëjmë në grupe në shërbimin tonë. Kur flasim me pacientët individualisht duhet më shumë kohë që të arrijnë të shprehin këtë vështirësi. Në punën që bëjmë në grup terapeutik është më e thjeshtë. Identifikimi me persona të tjerë që ndajnë të njëjtën eksperiencë i ndihmon pacientët të hapen më lehtë dhe të ndihen më pak të gjykuar. I gjithë ky proces nuk do të kishte kuptim, apo nuk do të ishte shumë efikas, po të ishte i shmangur nga rrjeti mjekësor dhe nga profesionistët mjekë e infermierë. Roli i tyre në kalimin dhe prezantimin e rëndësisë së anës psikologjike mund të jetë vendimtarë për një introduksion në një botë që ndonjëherë bëhet fare e panjohur, siç është bota jonë e brendshme. Pra, bashkëpunimi midis profesionistëve për të mirën e pacientit, sjell ekuilibrimin e tre fushave që shpreha më parë, organike, psikologjike e sociale.