Intervista/ Psikologia e Spitalit të Onkologjikut Irsida Lalaj

Intervista/ Psikologia e Spitalit të Onkologjikut Irsida Lalaj

Irsida Lalaj prej 8 vitesh është psikologe në Sptalin Onkologjik, e cila ka kaluar shumë pacientë dhe histori të ndryshme force dhe dëshpërimi. Irsida është më pranë pacientëve se asnjë tjetër, duke luftuar çdo ditë përkrah personave të sëmurë, të cilët ndiqen në këtë pavion. Në një intervistë të dhënë për “Europa Donna Albania” psikologia e Onkologjikut shpjegon hapat nëpër të cilat kalojnë këta pacientë duke filluar që nga këshillimi e duke vazhduar deri tek rifitimi i besimit për jetën.

Cili është roli i psikologut në Spitalin Onkologjik?
Roli i psikologut te pacientët e prekur nga  kanceri i gjirit para dhe pas trajtimit është shumë i rëndësishëm në ecurinë me sukses të sëmundjes. Gjatë diagnostikimit me këtë sëmundje pacienti i prekur nuk duhet të humbë besimin për jetën dhe në këtë rast shoqërohet nga psikologu i cili është gjatë gjithë kohës pranë tij me këshilla dhe mbështetje emocionale .

Pacientët tek Onkologjiku a janë në dijeni të psikologut dhe rolit që keni ju?
Pacientët dhe familjarët e tyre janë në dijeni të psikologut në këtë  shërbim, rol që tashmë ka 11 vite që është futur në këtë shërbim . Mbas një punë sensibilizuese që bëhet herë pas here në ambientet e shërbimit Onkologjik pacientët e rinj njihen dhe me rolin dhe rëndësinë e psikologut në ecurinë me sukses të  sëmundjes së tyre .

Cilat do të ishin këshillat më të mira për t’i ardhur në ndihmë një personi të diagnostikuar me kancer?
Nuk ka rregulla të prera. Kulturat dhe personaliteti nga njëri pacient tek tjetri ndryshon. Ajo që mund të ndihmojë njërën, mund të mos funksionoje tek tjetra. Prandaj, gjëja më e rëndësishme është ta vësh veten në vendin e tjetrit dhe të kuptosh se për çfarë ka nevojë e çfarë do vërtet nga ti.

A duhet komunikuar diagnoza një personi që sëmundja i ka avancuar dhe nuk ka shpresë për jetën?  Nëse po si?
Komunikimi i diagnozës është një problem më vete pasi akoma nuk kemi një ligj apo rregull që pacientit duhet me patjetër ti komunikohet diagnoza . Sipas një studimi që kemi kryer në vitin 2009 rezultoi se familjarët janë pikërisht ura ndarëse midis mjekut-pacient-psikolog në komunikimin e diagnozës. Jo të gjithë pacienteve i tregohet e vërteta pasi çdo njëri ndryshon nga tjetri dhe i përjeton emocionet në mënyrë të ndryshme. Komunikimi i diagnozës duhet të thuhet vetëm në prani të psikologut .

A ka pacientë që e refuzojnë këshillimin e psikologes dhe si reagoni në këto raste?
Jap maksimumin tim në ndihmë të këtyre pacienteve të cilët vuajnë nga këto sëmudje të rënda, Por ka dhe nga ata pacientë që refuzojnë të flasin me psikologun, kjo ndodh zakonisht në prezantimin e parë pskolog-pacient. Por më pas ne kemi takime të tjera dhe “thyhet akulli”. Personat e prekur me tumor duhet të kenë parasysh se duhet të komunikojnë sa më shumë me psikologun në mënyrë që të kalojnë më me lehtësi situatën në të cilën ndodhen. Momentet kur shoh pacientë, që më parë e refuzonin këtë shërbim, teksa bëhën optimistë dhe luftojnë për jetën është vlerësimi më i madh që unë mund të marr nga puna ime.

A ndikojnë historitë e pacientëve që ndiqni ju në perceptimin që i jepni ju jetës?
Puna në shërbimin Onkologjik më ka bërë më të fortë dhe më optimiste për jetën . Çdo gjë e shohë me ngjyra dhe i jap rëndësinë e duhur çdo çasti në jetë. Çdo njëri nga ne duhet ta shijojë dhe ti japi rëndësi jetës së tij.

Çfarë mesazhi dëshironi t`i jepni të gjitha femrave që vuajnë nga kanceri i gjirit?
Nëna ,vajza,motra , mbrohuni nga kanceri i gjirit, zbulimi sa më herët ju shpëton jetën. Duhet të keni parasysh që duhet të bëni kontrolle të herëpashershme dhe vetë-kontrolle të gjirit tuaj. Zbulimi i hershëm është avantazh.