Kanceri dhe trauma psikologjike që përjeton individi dhe familjarët

Kanceri dhe trauma psikologjike që përjeton individi dhe familjarët

Mimoza Dosti, psikologe 

Një nga interpretimet e Traumës psikologjike është “plagë e shpirtit”, diçka që thyen dhe ndërhyn  në jetën e një personi duke tronditur dhe mënyrën e të përjetuarit. Ekzistojnë forma të ndryshme të eksperiencave traumatike. Në rastin e njohjes dhe diagnostikimit me kancerin, individi dhe familjarët e tij përjetojnë një eksperience traumatike të madhe “T”.

Situata në të cilën ndodhet individi paraqitet e bashkëshoqëruar me një diagnozë e cila kërcënon integritetin fizik, psikologjik dhe social të personit. Njëkohësisht kjo diagnozë prek drejtpërsëdrejti në aspektin psiko-emocional dhe familjarët, të cilët bëhen njëkohësisht mbështetës të familjarit të tyre por dhe bashkëvuajtës jo në aspektin e vuajtjes fizike, por të asaj psiko-traumatike si pasojë e gjendjes shëndetësore ku ndodhet familjari i tyre. Përjetimi  i procesit traumatik duhet theksuar që është Individual dhe merr forma të ndryshme përjetimi nga persona te ndryshëm. Në bazë të përjetimit të traumës, lënë gjurmë dhe pasojat e saj, të cilat mund të jenë të lehta, mesatare dhe të rënda, me shtrirje në kohë përkatësisht afatshkurtër, afatmesme, afatgjatë.

Njohja dhe pranimi i kësaj diagnoze është një nga fazat më të vështira për individin. Nën efektin e traumës ndodh që individi tashmë (pacient) të mos e pranoje këtë diagnoze. Mohimi është një nga fazat e përpunimit të traumës. Kjo fazë kthehet në një problematikë serioze për pacientin, sa më e gjatë të jetë periudha e mohimit të diagnozës akoma më e vështirë bëhet marrja e trajtimit të nevojshëm për pacientin. Kanceri është një diagnoze e cila sjell jo vetëm problematika fizike por dhe problematika psiko-traumatik të cilat i ndryshojnë rrjedhën e jetës individit.

Kjo lloj traume e çorienton individin në drejtim të të menduarit, të përjetuarit dhe të sjelljes. Ky përjetim nuk e ndihmon aspak situatën shëndetësore ku ndodhet personi. Në këtë gjendje të rënduar fizike, psikologjike dhe emocionale individi mund të përjetoj mendime të errëta për shëndetin dhe jetën e tij, humbje shprese, pasiguri, frikë nga simptomat e sëmundjes, frikë nga trajtimi i saj, frikë nga vdekja, stres, gjendje ankthi, tension, pagjumësi, humbje oreksi, trishtim, mpirje emocionale, nervozizëm, mungesë përqendrimi, mungesë interesi, vështirësi për t’u përshtatur me sëmundjen, vështirësi për t’u përshtatur me të tjerët etj.

Përveç këtyre ajo çka i mundon më së shumti personat e traumatizuar nga sëmundja e kancerit është dhe pyetja “PSE”?, e cila ka të bëjë me përpunimin  e ngjarjes traumatike, me mos gatishmërinë si dhe me paaftësinë e personit për ta pranuar atë që po i ndodh. Ky proces vështirësohet si pasojë e mos-integrimit të diagnozës brenda historisë së vet. Personi në mënyrë të pavetëdijëshme e ngadalëson këtë proces dhe favorizon shfaqjen e disa fazave të tjera si faza e stresit akut, faza e stresit post traumatik. Në situata të tilla individi, tashmë pacient, duhet të ndihmohet jo vetëm në drejtim te mirëqenies së shëndetit fizik por dhe në drejtim te mirëqenies së shëndetit psikologjik. Në këto kushte pacientit i vijnë në ndihmë mjekët, të cilët përmes protokolleve mjekësore kujdesen për shëndetin fizik të pacientit.

Gjithashtu, figurë e rëndësishme janë edhe psikologët, psikoterapeutët që ju ofrojnë ndihmë për te pranuar dhe përpunuar përjetimin e këtij momenti te veçantë. Kjo realizohet  duke treguar përkujdesjen e tyre profesionale në mbështetjen, këshillimin individual dhe familjar.

Mbështetja që i ofrohet këtyre personave është vetë përpunimi i traumës. Ky bashkpunim dhe kjo përkujdesje ndihmon që rrjedha e përpunimit të traumës të jete sa më e përshtatshme për personin. Duke qenë e tillë dhe pritshmëria për një shëndet sa më të qëndrueshëm fizik dhe psikologjik do të ishte sa më e lartë. Pacienti pa konflikt psikologjik dhe në gjendje paqeje me diagnozën përcjell tek të afërmit besimin dhe shpresën për të ardhmen.

Botimi numër 6 i revistës Europa Donna Albania