February 12, 2018 Kanceri i gjirit në Shqipëri, të dhëna dhe statistika
Nga Kozeta Filipi dhe Alban Ylli
Situata epidemiologjike në vendin tonë
Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë mes femrave në Shqipëri. Të dhënat bazuar në shërbimet shëndetësore dhe të dhënat e vdekshmërisë dëshmojnë një rritje të qëndrueshme të këtij kanceri në Shqipëri gjatë viteve të fundit. Për fat të keq në Shqipëri mungon Regjistri Kombëtar i Kancerit të Gjirit. Por Instituti i Shëndetit Publik ka mbledhur disa të dhëna dhe statistika, të cilat mbeten end të dhënat më të besueshme për kancerin në Shqipëri.
Më poshtë është i përmbledhur një artikull me të dhënave dhe statistika të kancerit të gjirit në Shqipëri, i përgatitur nga Kozeta Filipi dhe Alban Ylli nga “Depart amenti i Epidemiologjisë Kronike dhe Sistemeve Shëndetësore » në ISHP.
Incidenca e standartizuar sipas moshës (45/100.000) për kancerin e gjirit është më ulet se në vendet mesdhetare të Bashkimit Europian, por mjaft më e lartë se vendet e Mesdheut Lindor (të tilla si Turqia, Egjypti apo Tunizia). Raporti vdekshmërisë incidencë që pasqyron kapacitetet për kapje të hereshme dhe trajtim për kancerin e gjirit vlerësohet të jetë 0.35 për kancerin e gjirit dhe 0.4 për kancerin e qafës së mitres. Këto tregues, megjithëse në shumë raste më të lartë se vendet e Mesdheut Lindor janë më të ulet se në vendet mesdhetare të BE (përkatësisht 0.19 dhe 0.25)
Efektet e vërejtura në sistemin shëndetësor prirjet e kancerit të gjirit në sistemin shëndetësor në Shqipëri
Rritja e barrës së kancereve në sistemin shëndetësor si edhe rritja e kapaciteteve demostrohet në një analizë të volumit të shërbimeve pranë shërbimit Onkologjik në QSUT. Kështu në vitin 2014 krahasuar me 2013 janë regjistruar 26.6% më shumë paciente të shtruar, 42.8% me shumë konsulta ambulatore, 7.3% më shumë paciente të trajtuar me radioterapi, 22.1% me shumë ekzaminime biopsi dhe citologji, 7% më shumë ekzaminime radiologjike dhe endoskopike, 55% më shumë ekzaminime imuno-histokimike për pacientët e shtruar.
Numri i përgjithshëm i shtrimeve në QSUT (grafiku 1) shpreh volumin e gjithë shërbimeve të ofruara përfshire vizitat për diagnozë, kirurgji, kemioterapi dhe radioterapi. Një pacient shtrohet disa herë në vit në spital për marrjen e këtyre shërbimeve. Ky indikator ndikohet jo vetëm nga profili i sëmundjes në popullatë por edhe nga mundësia për të ofruar me shërbime. Volum i shtrimeve duket se ka ardhur duke u rritur dhe në vitin 2014 ka pasur një hop me rreth 20% më shumë shtrime sesa mesatarja e pesë viteve paraardhëse.
Numri i përgjithshëm i ndërhyrjeve kirurgjikale është një tjetër tregues më specifik i shpeshtësisë së sëmundjes së kancerit të gjirit dhe i volumit të shërbimeve të ofruara. Edhe për këtë tregues, vërehet një rritje duke arritur për herë të parë në vitin 2014 vlerën e mbi 500 operacioneve (grafiku 2).
Çdo vit në QSUT janë hasur rreth 350 raste të reja me kancer gjiri me një prirje të lehtë rritje dhe me një pikë prej 443 rastesh në vitin 2013 (grafiku 3).
Diametri i kancerit të gjirit në momentin e diagnozës është një tregues i rëndësishëm i lidhur me kapjen e hershme të këtij kanceri. Megjithatë duket se fushatat e ndërgjegjësimit dhe forcimi i kapaciteteve në kujdesin parësor kanë filluar të japin një efekt të vogël duke pakësuar në minimum (vetëm 3%) proporcionin e kancerit të gjirit të lanë shumë pas dore dhe të identifikuar vetëm në mbi 5 cm (Grafiku 4).