Noduset e gjirit. Çfarë janë dhe si duhen trajtuar

Noduset e gjirit. Çfarë janë dhe si duhen trajtuar

Dr.Shahain Kadare
Specialist, Onkolog

 

 

Termi “nodus” në gjuhën mjekësore, ka kuptimin e fjalës “kokërr”,  “masë “ ose “formacion” indor që zhvillohet në gji ose kudo tjetër në organizëm për arsye të ndryshme.

Noduset e gjirit janë relativisht të shpeshta dhe krijohen nga shkaqe të ndryshme që mund të jenë patologjike, por mund të jenë gjithashtu dhe fiziologjike, domethënë të zhvillohen gjatë ndryshimeve normale që gjiri pëson nën efektin hormonal në periudha të ndryshme të jetës së gruas.    Shumica e noduseve të gjirit, pavarësisht se cili është shkaku i fomimit të tyre  janë të padhimbshme dhe kjo është arsyeja kryesore përse një numër i madh grash  me noduse në gji  paraqiten me vonesë tek mjeku.

Prania e nje mase ose nodusi tumoral, në indin e gjirit mund të konstatohet ose nga vetë gruaja me anë të prekjes, siç ndodh në një numër të konsiderueshëm rastesh,  ose nga mjeku gjatë kontrolleve mjekësore periodike.  Si rregull, zbulimi i noduseve të gjirit, me anë të prekjes ose “palpimit”, siç quhet në gjuhën mjekësore, zakonisht është i mundur kur përmasat e tyre kanë arritur, ose kanë kaluar madhësinë rreth 1cm diametër.

Noduset më të vogla mund të zbulohen vetëm me anë të ekzaminimeve imazherike siç është mamografia ose ekografia.

Në varësi të natyrës së tyre, noduset e gjirit ndahen në dy grupe ose kategori të kryesore:

■    noduset “beninje” , pra noduset  jo-kanceroze, të cila krijohen zakonisht në terren të një gjendje fiziologjike hormonale ose të një patologjike  beninje.

Noduset beninje të gjirit, praktikisht, nuk paraqesin asnjë rrezik serioz për shëndetin dhe, si rregull, shërohen plotësisht pas heqjes të thjeshtë kirurgjikale.

Në këtë grup bëjnë pjesë kryesisht:

  • formacionet cistike të thjeshta;
  • disa tumore beninje që quhen fibroadenoma dhe zhvillohen kryesisht në moshën e adoleshencës dhe në gratë e reja;
  • ndryshimet fibrocistike që shkaktohen zakonisht si rrjedhojë e luhatjeve hormonale përpara ose gjatë ciklit menstrual.

Në përgjithësi, noduset beninje kanë zakonisht formë tre-dimensionale, dhe në prekje janë të lëvizshme, me sipërfaqe të lëmuar dhe kufij të rregullt, me konsistencë që sipas rastit mund jetë e fortë si në rastin e fibroadenomave ose e  butë, elastike në rastin e formacioneve cistike .

■    noduset “malinje”. Në këtë grup bëjnë pjesë noduset që krijohen si rrjedhojë e zhvillimit të kancerit të gjirit.

Noduset malinje, zakonisht, janë mjaft të fortë gjatë prekjes, kanë kufij të çrregullt dhe shpesh janë të fiksuar me lëkurën dhe indet rrethuese.

Jo rrallë këto noduse mund të shoqërohen me tërheqje të lëkurës ose të thithit në thellësi të indit të gjirit si dhe me sekrecione hemorragjike.

Dallimi në se një nodus i gjirit që sapo kemi konstatuar, është i natyrës beninje apo malinje është tepër i rëndësishëm dhe duhet të ndjekë një procedurë diagnostike të kujdesshme të drejtuar nga një mjek i specializuar dhe me përvojë në trajtimin e patologjive të gjirit.

Në shumicën dërrmuese të rasteve, për të bërë dallimin e saktë ndërmjet noduseve beninje dhe malinje, mund të janë të nevojshme një varg ekzaminimesh komplekse klinike, imazherike dhe mikroskopike.

Është tepër e rëndësishme të kihet parasysh se shumica dërrmuese e noduseve të gjirit nuk janë kancer, por patologji të tjera beninje.

Vetëm një numër relativisht i vogël, jo më shumë se 10 % e rasteve,  pra një në çdo 10 noduse, është nodus kanceroz dhe kërkon një trajtim kompleks dhe të specializuar.

Për këtë arsye, për çdo lloj nodusi që mund të konstatohet në gji  ose në sqetull gruaja duhet të këshillohet me mjekun specialist dhe t’i nënshtrohet pa humbur kohë të gjitha ekzaminimeve të nevojshme diagnostike për të konfirmuar ose për të përjashtuar natyrën malinje ose beninje të nodusit si dhe për të filluar menjëherë mjekimin e duhur.

Ekzaminimet kryesore të cilat përdoren në zbulimin dhe diagnostikimin e saktë të patologjive të ndryshme të gjirit ndahen në tre grupe kryesore:

  1. Metodat klinike të cilat bazohen thjesht në kontrollin e jashtëm të gjirit me anë të vrojtimit dhe të prekjes nga mjeku specialist.
  2. Metodat imazherike ku bëjnë pjesë :
  • Mamografia, do të thotë “grafia e gjirit”. Me anë të kësaj metode mund të arrijmë të zbulojmë noduset e vogla të gjirit në faza shumë të hershme të zhvillimit, kur diametri i tyre nuk e ka kaluar akoma madhësinë  3 mm.
  • Ekografia, e cila si rregull, përdoret si një metodë diagnostike plotësuese për të rritur saktësinë diagnostike në rastin e noduseve të dyshimta të gjirit të konstatuara gjatë ekzaminimit fizik ose mamografik të gruas.
  • Rezonanca Manjetike bën pjesë në teknikat më të reja imazherike që po gjen një përdorim gjithnjë e më të gjerë në praktikën diagnostike të patologjive të gjirit.
  1. Metodat bioptike (ose histopatologjike)

Ekzaminimin mikroskopik i indit tëumoral mbetet metoda kryesore dhe më e rëndësishme, në vendosjen e diagnozës përfundimtare të noduseve të gjirit.

Trajtimi i noduseve te gjirit varet tërësisht nga natyra e tyre beninje ose malinje.

Noduset beninje, sipas rastit, mjekohen me metoda të thjeshta siç është, për shembull, zbrazja me anë të një shiringe e përmbajtjes cistike ose heqja e thjeshte kirurgjikale në rastin e fibroadenomave.

Noduset malinje kërkojnë një mjekim kompleks dhe mund të bëhet vetëm në klinika onkologjike të specializuara.